Janë bërë saktësisht dhjetë ditë që kur shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, bëri akuza të rënda në drejtim të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), për keqpërdorimin e hiç më pak se 246 mijë eurove.
Ai bëri të ditur se këtë skandal e ka zbuluar auditori i Intelegjencës, Naim Ibrahimaj, i cili i ka dërguar raport presidentit Thaçi dhe kryeminsitrit Mustafa, në të cilin tregon edhe për punësimin e tetë personave pa konkurs fare në këtë institucion.
Dhe sipas Konjufcës krerët e shtetit në vend se ta vlerësojnë punën e auditorit Ibrahimaj, krerët e shtetit e kanë suspenduar atë nga puna, ndërsa për të mbuluar keqpërdorimet në fjalë kanë shkarkuar Agron Selimajn nga pozita e drejtorit.
Por, ndaj këtyre akuza, ende nuk ka pasur asnjë reagim as nga presidenca, qeveria e as AKI-ja, të cilat kanë zgjedhur heshjen.
Rrustem Berisha, zv.kryetar i komisionit kuvendar për AKI-në thotë se ende nuk kanë informacione për akuzat që ka ngritur Konjufca.
Ai thotë se ato duhet të hulumtohen organet kompetente dhe nëse vërtetohet një gjë e tulë duhet të merren masa ndaj individëve keqpërdorues.
“Komisioni do ta ftoj në raportim në javën e parë të marsit drejtorin e ri të AKI-së Driton Gashin ku do pyetet edhe për akuzat e ngritura nga deputeti Konjufca por edhe për raste tjera. Me këtë çështje duhet të merret qeveria dhe të vërteton a janë apo jo të sakta akuzat e ngritura dhe në bazë të gjetjeve të veproj”, thotë Berisha, për tesheshi. com, duke shtuar se nëse vërtetohen akuzat duhet të japin përgjegjësi personat keqpërdorues.
Albulena Haxhiu, deputete e VV-së, thotë se ka kohë që skandalet e kanë mbërthyer AKI-në dhe për këtë sipas saj duhet të mbahen përgjegjës treshja Mustafa-Thaçi-Veseli.
Sipas saj tre personat e lartcekur nuk kanë lënë gjë pa bërë vetëm e vetëm që të mbajnë në kontroll këtë institucion roli i të cilit do të duhej të ishte në shërbim të shtetit dhe jo individeve te caktuar.
“Glauku kur ka folur për këtë keqpërdorim e ka pasur të bazuar në fakte dhe për këtë keqpërdorim poashtu kanë qenë të njoftuar edhe Thaçi edhe Mustafa sepse janë njoftuar nga ish punonjësi i këtij agjensionin, auditor në inspektoriatin e AKI, të cilit ju ka ndërprerë kontrata e punës vetëm sepse ka raportuar për këto keqpërdorime.
Thaçit e Mustafës nuk i leverdis të flasin për këtë pasi që vet janë përgjegjës për degradimin e vazhdueshëm të AKI. Po të kishim institucione të pavarura, menjëherë pas adresimit të Glaukut për keqpërdorime të tilla, do të vepronin mirëpo fatkeqësisht Kosova ka institucione të drejtesise, që janë në shërbim të Mustafës dhe klanit ‘Pronto’ andaj edhe heshtin”, ka thënë Haxhiu, për tesheshi. com.
Ahmet Isufi, zyrtarë i AAK-së thotë se institucionet e drejtësisë nuk duhet të heshtin për akuza të tilla të mëdha siç është rasti për dyshimet e ngritura për keqpërdorime të mëdha në AKI.
“Cdo rast i dyshimt duhet të jetë angazhim për prokurorinë që të vërtetohen akuzat të cilat janë të drejtura ndaj kujdo. Duhet të mirren organet e drejtësisë me të gjitha rastet e krimit të orgaizuar dhe korrupsionit. Drejtësia në asnjë mënyrë nuk guxon të heq dorë nga hetimi i rasteve që dyshohen për afera korruptive”, thotë Isufi, për tesheshi. com.
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, vlerëson se pas akuzave të tilla të ngritura në drejtim të AKI-së Prokuroria e shtetit është dashur të deklarohet.
Ai thotë se për rrethanat kosovare, keqpërdorimi eventual i 246 mijë euro është shumë e madhe dhe një akuzë e tillë është tejet serioze, ashtu siç është edhe institucioni që akuzohet
“Opinioni kosovar duhet të informohet me këtë pretendim të ngritur. Së paku Prokuroria e shtetit është dashur të dalë me një komunikatë se rastin e kanë akceptuar dhe e kanë futur në procedurën e hetimit”, thotë Kajtazi, për tesheshi. com.
Ja kush mund ta hetojë AKI-në
Siç dihet agjentët sekret i hetojnë të tjerët, por ekziston edhe një mekanizëm që mund t’i kontrollojë ata.
Janë pikërisht anëtarët e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së që mund të kryejnë hetime brenda këtij institucioni.
Në nenin 36, pika 6 të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë përcaktohet qartë se komisioni mbikëqyrës parlamentar ka kompetencë që të kryejë hetime në lidhje me punën e AKI-së. /tesheshi.