Kërkoje tek vetja

Një miku im kishte lexuar kritikën e një buzëqumështi ndaj meje personalisht, kritikë e mbushur me smirë, xhelozi dhe ofendime, për shkak të një mendimi që kishte shfaqur, mendim i cili nuk i kishte pëlqyer mesa gjuha e përdorur ishte shumë e rëndë dhe e ngarkuar me epitete të rënda dhe therëse. I befasuar nga ajo që kishte lexuar, më tha:”Si mund ta jetosh jetën tënde normalisht dhe si mund të flesh rehat, teksa e lexon diçka të tillë?!”
Unë i buzëqesha dhe i thashë:”Nuk ka asgjë për të cilën duhet të shqetësohem, aq më tepër kur bëhet fjalë për një person i cili ka mendime të kundërta me ato të miat dhe mendimet e tij i shpalos në një mënyrë që i përshtatet atij. Ai duhet të mërzitet dhe shqetësohet, jo unë. Dikush, i tha një personi tjetër:”Do të thur për ty ca vargje plot sarkazma, të cilat do të shoqërojnë jo vetëm gjatë jetës, por edhe në varr.”
Tjetri iu përgjigj:”Jo i dashur jo. Ato vargje do të shoqërojnë ty gjer në varr, jo mua.”
Ndoshta, problemi qëndron në përdorimin e termave fetarë, pasi motivi i tij siç duket ishte po fetar. Xhelozia, sinqeriteti dhe çiltërsia, mund të jenë tipare që ai i ndjen karshi vetes, sakaq dyshimin, skepticizmi dhe mendimi i keq, janë tipare që i ndjen karshi të tjerëve, sidomos atyre që kanë mendim të ndryshëm me të. Këtu qëndron thellësia e problemit. Ai kërkon të të shkatërrojë, të paktën moralisht, e kjo, në emër të Zotit!!!
Mikut tim i thashë:”Mënyra më madhështore për tu përballur me akte të tilla, është ti përulesh dhe përgjërohesh Zotit, të ndjesh sa pranë e ke dhe sa Madhështor është Ai, të sjellësh ndërmend se Ai i di gjithë nijetit dhe qëllimet që mbajnë zemrat, Ai di gjithçka që fshehin ato, të tuat dhe të kundërshtarit tënd. Ai di gjithçka rreth robërve të Tij, interesave të tyre, çfarë thonë dhe cilat janë pasojat. Ai ka bërë ahiretin mbretëri ku do të sundojë drejtësia, pasi atë Ditë do të dominojë vetëm pushteti hyjnor. Ajo është Dita kur padrejtësia do të shuhet një herë e përgjithmonë, dita kur të gjitha sekretet do të publikohen. “Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun.” (Gafir, 16)
“Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur”. (Hakka, 18)
“ditën, kur do të zbulohen të fshehtat, kur njeriu nuk do të ketë as fuqi, as ndihmës.” (Tarik, 9-10)
Është Ai Zot të cilin e adhuron pa pasur nevojë për ndërmjetës, Ai të cilit i përgjërohesh që të të marrë për dore dhe të të udhëzojë në udhën e drejtë, larg dyshimeve. Është Ai para të cilit zhvishesh totalisht nga qëllimet e liga dhe hamendësimet e padëshiruara. Është Ai para të cilit pranon mangësitë dhe të metat e tua, pranon gabimet, euforinë dhe injorancën, të mirën dhe të keqen. Është Ai të cilin e thërret për ndihmë fillimisht nga vetja jote, e mandej nga e keqja e të tjerëve dhe dëmi i tyre. Meqë Ai e ka bërë ligj që asnjëri nga krijesat të mos shpëtojë nga e liga, atëherë përgjëroju që të të pajisë me aftësi dhe energji për ta përballuar me durim dhe disiplinë. Kështu, nuk ke përse tu hysh në hak njerëzve, nuk ke përse tu bësh padrejtësi, nuk ke përse të insistosh në gabim, nuk ke përse të lëkundesh përderisa beson se je në të drejtë. Zoti me emrin e të cilit të hakërrehet dikush, është po Zoti të cilit i beson dhe ti, i kërkon ndihmë, e adhuron, i lutesh, i bie në sexhde dhe i përgjërohesh.
Miku im! Askush nuk mund të të zemërojë dhe hidhërojë, pa vullnetin tënd!
Ndjenjat negative që të kaplojnë, nuk janë për shkak të aktualitetit përreth, as për shkak të një kritike të pavend, sarkazme kalimtare, mendimi të keq apo ashpërsisë së një të afërmi…. Aspak.
Ajo që ndjen përbrenda ndodh për shkak të analizës tënde personale të gjërave përreth.
Kur të ndryshosh këndvështrimin tënd karshi ngjarjeve përreth, do të ndryshojnë dhe emocionet dhe ndjesitë e tua, do të qetësohet vala e zemëratës edhe ndaj vetë ngjarjes.
Frikë, është ajo që ne e shohim të frikshme, siguri, ajo që shohim të sigurt.
Një herë, gjatë një takimi me një personalitet, i frikësohesha një pyetje të sikletshme, me të cilën mund të më befasonte bashkëbiseduesi. Jo për ndonjë gjë, por sepse nuk isha përgatitur. Nuk desha të flas për diçka që nuk kisha dije dhe nuk kisha lexuar. Por më pas, fillova të thellohem rreth kësaj pyetjeje që e perceptoja si të sikletshme dhe në mendje më erdhën përgjigje tepër të ekuilibruara dhe të goditura. Fillova të uroj që bashkëbiseduesi të ma drejtojë pyetjen në fjalë, po, pikërisht atë të cilën i druhesha më parë. Nuk doja t’ia di më për qëllimin që fshihej pas pyetjes, pasi do të më mundësonte një shans të bukur për të thënë diçka të bukur.
Kur ndodh një zënkë me fjalë mes teje dhe dikujt tjetër, ai të ofendon me fjalë të rënda. Këtë, ti mund ta interpretosh si një fyerje, poshtërim dhe denigrim të personalitetit tënd, duke e mbajtur zemërimin si një re të zezë mbi qiellin e shpirtit gjatë gjithë ditës. Por edhe kur shkon e shtrihesh në shtrat, përpëlitesh si të shtriheshe mbi prush, të kujtohet momenti dhe imazhet të përsëriten në mendje herë pas here. Dëshiron ta harrosh, por nuk mundesh.
Mundohu të ndryshosh mënyrën e interpretimit dhe analizës së rastit, duke e interpretuar si një moment të vështirë në të cilin po kalon personi në fjalë, borxhe që i kanë rënduar supet, punë e rëndë mendore, sëmundje e rëndë, depresion, stres, probleme bashkëshortore, papunësi etj…
Jeta është e mbushur me vështirësi dhe vuajtje. Jo të gjithë njerëzit mund të jetojnë të qetë fizikisht dhe shpirtërisht, duke i trajtuar gjërat me gjakftohtësi, ekuilibër dhe urtësi.
Ndoshta, edhe ai mund të gjendet në të njëjtën situatë si ti, duke u përpëlitur nga pagjumësia, shenjë e pendimit dhe dhimbjes që i shkaktoi reagimi ndaj teje.
Nëse thua:”Atëherë përse nuk vjen të më kërkojë falje?” gjë e cila është ilaçi më i mirë kur u hyjmë në hak të tjerëve, duke u falur një buzëqeshje pas zymtësisë, një fjalë të mirë pas ofendimit dhe një kërkim falje pa frikë e turp… Mos harrojmë se personi në fjalë mund të ketë qenë i zemëruar, sepse kjo është natyra e tij.
Prandaj, ndryshoje këndvështrimin tënd ndaj gjërave me të cilat përballesh çdo ditë, do të shohësh që me këndvështrimin do të ndryshojnë dhe ndjesitë dhe emocionet. Kujto gjithmonë se Zoti, nuk e ndryshon gjendjen tënde, derisa të ndryshosh veten tënde.
Dikur dëgjova një herë një djalosh duke u lutur kundër kundërshtarëve të tij me fjalët:”O Zot! Më ruaj prej tyre si dhe me ç’të duash! Ti je Dëgjuesi dhe Shikuesi im.”
I thashë:”I je lutur Atij që di, sheh dhe dëgjon gjithçka. Do të ishte më mirë ti luteshe që të mbrojë nga e liga e vetes tënde, nga e liga e gjithçkaje që të rrethon.”
Miku im! Gurët që të hidhen nga të katër anët, mund ti grumbullosh dhe të ndërtosh një rrugë e cila të çon tek mësimi dhe të ushtruarit me durimin dhe suksesin. Kjo, vetëm nëse je syçelë, shfrytëzon rastet, je pozitiv në qëndrimet dhe mendimet e tua, je i ndërgjegjshëm se nuk je boshti i gjithësisë, ashtu siç nuk është kundërshtari yt. Paqja të shoqëroftë në jetë!

 

Selman Aude

Artikulli paraprak13 të vdekur në airoportin e Mogadishu’s
Artikulli vijuesFalënderoji ziliqarët e tu!