Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar për “disa parime themelore” për Sirinë.
Kerry i ka bërë këto komente për kanalin MSNBC, pasi presidentët Barack Obama dhe Vladimir Putin janë takuar në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ai ka thënë se ka pasur marrëveshje se grupi militant i Shtetit Islamik duhet të luftohet dhe se në Siri duhet të menaxhohet tranzicioni politik.
Por, Kerry ka shtuar se Moska, mbështetëse kryesore e regjimit në Damask, duhet të kuptojë se nuk mund të ketë paqe në Siri pa largimin e presidentit Bashar al-Assad.
Kerry po ashtu ka thënë se planifikon të takojë homologun rus, Sergei Lavrov, të mërkurën.