Këshillat që do t’ju largojnë shpërqendrimet

Karriera – Shpërqendrimi në zyrë ju merr shumë kohë dhe energji, pavarësisht nëse e ka burimin nga kolegët tuaj apo nga mendimet që ju enden në kokë. Por që ju të jepni maksimumin, nevojitet që t’i keni mendimet e kthjellëta. Ja disa këshilla si të jeni më produktivë në zyrë

Çdo punonjës përballet me shumë shpërqendrime në zyrë, pavarësisht dëshirës për të qenë sa më produktiv gjatë orarit të punës. Tringëllimat e vazhdueshme të lajmërimeve në rrjetet sociale, email-et urgjente që nuk mbarojnë ndonjëherë dhe telefonata të shpeshta. Si mund të punohet me kaq shumë shpërqendrime?

Përgjigjja është se shumica prej nesh nuk po jep në zyrë maksimumin apo atë që dëshirojmë të japim. Kërkimi nga Universiteti i Kalifornisë zbuloi se një punonjës i zakonshëm zyre kalon vetëm 11 minuta i përqendruar në një detyrë përpara se të shpërqendrohet nga diçka tjetër.

Dhe me t’u shkëputur vëmendja mund të duhen deri në 23 minuta për t’u kthyer te përqendrimi i mëparshëm. Për t’ju ardhur në ndihmë, një grup ekspertësh të produktivitetit japin këshillat e tyre që do t’ju ndihmojnë me vëmendjen.

Shkatërrues të produktivitetit: kolegët tuaj

Çdo zyrë e ka nga një punonjës që pretendon se po ngre një pyetje të shkurtër dhe që përfundon në një bisedë 30-minutëshe të serialit që u dha mbrëmë në televizor. Shtojini kësaj kohe që keni shpenzuar për t’u specializuar 23-minutëshin që ju duhet për të rifituar përqendrimin dhe kjo nënkupton se keni humbur disa orë nga produktiviteti. Ja si ta ndreqni:

Qëndroni në këmbë
Kur një koleg juaji të ngrejë një pyetje, ngrihuni në këmbë dhe diskutoni me të, rekomandon një strateg i produktivitetit. Arsyeja? Është më e lehtë t’i bini shkurt bisedës kur jeni në këmbë sesa kur po diskutoni të dy ulur.

Shfaqeni dëshirën për të mos biseduar
Shpesh varja e një tabele “mos më shqetësoni” mund të thotë shumë për ata që duan të hapin biseda me ju. Gjithashtu shihni në tryezën tuaj të punës për faktorë që mund të tërheqin njerëzit, si për shembull ëmbëlsira. Fshihini këto sende nga tavolina juaj dhe do të gjeni paksa qetësi.

Kombinoni bisedat
Edhe kur shpërqendrimet tuaja lidhen vërtet me punën, si për shembull email-et apo mbledhjet, ende keni shanse për të kontrolluar kohën. Një ekspert këshillon bisedën reale për të shmangur shkëmbimin e vazhdueshëm të email-eve për detaje. Në vend që të dërgoni email-e bëni më mirë të flisni personalisht. Krijoni një listë të njerëzve me të cilët ju kurseni kohë nëse flisni gojarisht. Po ashtu mbani një program, në mënyrë që t’i diskutoni gjërat sa më saktë dhe sa më shkurt.

Shkatërrues të produktivitetit: vetë ju

Jo të gjitha shpërqendrimet tuaja lidhen me kolegët. Në gjysmën e kohës ne jemi ata që e shkëpusim vetë veten nga detyrat. Pavarësisht nëse po luftoni me një varësi nga media sociale apo thjesht ndiheni të lodhur nga puna që po bëni, është shumë e lehtë që ta nxirrni veten nga binarët. Fatmirësisht ka disa mënyra si ta tregoni këtë.

Zgjidhni zhurmat në sfond
Me besimin se do të forconte bashkëpunimin dhe komunikimin, në SHBA rreth 70 për qind e zyrave janë bërë të hapura në një ambient të madh të përbashkët. Për shumë punonjës megjithatë, zyrat e hapura krijojnë më shumë shpërqendrime dhe më pak privatësi.

Kërkimet akademike tregojnë se zyrat e hapura ndalojnë mendimin kreativ të punonjësit dhe dëmtojnë vëmendjen. Nëse e gjeni veten të shpërqendruar nga një mjedis i tillë zyre merrni në dorë situatën dhe krijoni një muzikë sfondi që do t’ju ndihmojë të izoloheni nga të tjerët.

Mos bëni shumë gjëra njëherësh
Nuk ka rëndësi nëse çdo ditë po merreni me shumë projekte njëherësh apo po bisedoni për punë, por menaxhoni një faqe sociale të kompanisë apo gjëra të ngjashme, kryerja e disa punëve njëkohësisht ju dëmton shumë produktivitetin. Ekspertët thonë se është më mirë të bëni një gjë dhe pastaj të kaloni te diçka tjetër. Kjo ju bën gjithashtu më të zgjuar dhe më të kthjellët. Punët teke ju ndihmojnë gjithashtu të krijoni një listë prioriteti.

Lëreni mendjen të endet
Studimet tregojnë se përqendrimi ynë, ashtu si rezistenca fizike, është një burim i kufizuar. Kjo është arsyeja përse truri ynë lodhet shumë për të gjetur mënyra që të shmangë detyrat dhe të kërkojë shpërqendrim. Shumica e njerëzve punojnë vetëm për 90 minuta përpara se të fillojnë t’i bien nivelet e energjisë. Kur kjo ndodh, ndihmon që të bëni një pushim mendor dhe të rifitoni energjinë dhe fokusin.

Pranoni realitetin
Kërkimet tregojnë se puna me orë të zgjatura nuk ju bën shumë të suksesshëm në zyrë, pasi nëse produktiviteti juaj ka rënë, është e kotë të vazhdoni të punoni.

Ajo që ju mbetet është të shfrytëzoni maksimalisht periudhën produktive dhe të pranoni realitetin se ndonjëherë del jashtë kontrollit tuaj mundësia për të dhënë maksimumin, përtej dëshirës. Ajo që ju mund të kontrolloni është gjendja e trupit tuaj dhe përpiquni të shmangni stresin, privimin nga gjumi dhe problemet e tjera me shëndetin.

Artikulli paraprakPapagalli që arrin të komandojë teknologjinë
Artikulli vijuesMbi 480 uebsajte gjurmojnë çdo buton të shtypur nga vizitorët