Këshilli i Sigurimit, dështon deklarata për Gazan

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk ra dakort për të dalë me një deklaratë të përbashkët për konfliktin e rindezur së fundmi në Rripin e Gazas mes palestinezëve dhe Izraelit.

Deklarata ishte propozuar nga Maroku dhe në të dënohej agresioni izraelit dhe kërkohej që të ndalej sa më parë shkëmbimi i zjarrit, e sidomos bombardimi në zonat civile.
Bisedimet mes anëtarëve pritet të rinisin ditën e martë, ndërsa Moska kërkon nga Izraeli që të ndalë dhunën e paprecedentë ndaj palestinezëve.
Nëse nuk do të gjendet një formulë e dakortësuar mes palëve, deklarata fillestare e paraqitur nga Maroku do të hidhet në votim brenda 24 orëve.
Edhe pse bisedimet e armëpushimit kanë vazhduar përgjatë gjithë ditës në Egjipt, Izraeli nuk i ka ndaluar sulmet në rripin e Gazës, ku bilanci i viktimave është rënduar me 26 vdekje të tjera. Nga ana tjetër, ndonëse më pak raketa po lëshohen prej andej në drejtim të qyteteve jugore të shtetit hebre, vrulli i tyre nuk është fashitur krejtësisht.Në 6 ditë dhunë kanë humbur jetën mbi 100 palestinezë e tre izraelitë dhe pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve, përfshirë atë të shefit të OKB-së, Ban Ki Moon, situata vazhdon të përshkallëzohet.Përfaqësues të Hamas-it sqarojnë se ishte kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ai që kërkoi armëpushimin, por i takon Izraelit të ndalojë luftën që vetë e nisi, deklaruan ata. Tel Avivi mohoi menjëherë të ketë bërë një kërkesë të tillë.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit turk, Rexhep Tajip Erdogan, e përshkroi Izraelin si “shtet terrorist” dhe përmendi “masakrat e fëmijëve” gjatë bombardimeve në Gaza.
Rexhep Tajip Erdogan: “A mund të ketë një vend në këtë botë, për ata që masakrojnë fëmijët? A mund të themi se ata respektojnë racën njerëzore? Për këtë arsye shumë të thjeshtë, unë them se Izraeli është shtet terrorist dhe aktet e tij janë akte terroriste”.
Marrëdhëniet dikur të ngrohta mes Turqisë dhe Izraelit janë ashpërsuar shumë pas mësymjes së anijes turke të ndihmës në 2010-n nga forcat izraelite, gjatë bllokadës detare në Gaza.
Situata në Lindjen e Mesme ka përbërë boshtin e takimit të Ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes së Bashkimit Europian.
Tony Blair, i dërguari i Kuartetit për Paqen në Lindjen e Mesme, që përfshin Shtetet e Bashkuara, BE-në, Rusinë dhe OKB-në, tha se shpreson që brenda pak ditësh do të arrihet një armëpushim, ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të bllokut, Catherine Ashton, deklaroi se sulmet e Izraelit duhet të ndalojnë menjëherë, ndërsa e gjithë kriza, sipas saj, mund të zgjidhet vetëm me një alternativë afatgjatë. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakIsh-kryeministri kroat dënohet me 10 vjet burgim
Artikulli vijuesTri zjarr-vënie në veri