Tri zjarr-vënie në veri

Tri raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm janë shënuar mbrëmë në dy lokacione në veriun e Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se rastet janë shënuar pak para mesnatës, por edhe pas saj, kur persona të panjohur deri më tash për policinë, kanë shkaktuar zjarr-vënie të qëllimshme në tri automjete private.

Besim Hoti
​​“Dy rastet e para janë shënuar në veri të Mitrovicës, në rrugën Sutjeska, ndërsa rasti i tretë është regjistruar në Zveçan. Në të trija rastet nuk kemi pasur persona të lënduar. Do të thotë cak i sulmeve ishin automjetet”.

“Ndërkaq, motivet, deri në këtë çast, mbeten akoma të panjohura ashtu sikurse edhe të dyshuarit e këtyre akteve kriminale”, ka thënë Hoti.

Policia i ka regjistruar këto raste si vepra penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, apo zjarr-vënie e qëllimshme, dhe sipas zëdhënësit Hoti, organet e rendit janë duke i zhvilluar hetimet për zbardhjen e rasteve dhe autorëve të tyre.

Këto incidente pasojnë mjetin shpërthyes që është hedhur një ditë më parë në një shtëpi private në Zveçan.

Shtëpia i takonte Dushan Millisavleviqit, i cili është edhe zëvendësshef i Zyrës Administrative në veri, e cila vepron nën Qeverinë e Kosovës.(b.b.)

Artikulli paraprakKëshilli i Sigurimit, dështon deklarata për Gazan
Artikulli vijuesIzraeli qëllon mbi 100 caqe në Gaza