Ministria e Jashtme e Kinës, përmes zëdhënësit të saj Lu Kang, ka reaguar sot në Pekin lidhur me vizitën e vitit të kaluar të presidentit kinez, Xi Jinpig, në Britani të Madhe, duke e cilësuar atë si shumë të suksesshme.
Këto komente vijnë pasi Mbretëresha britanike Elizabeta II u zu dje në kamera duke i quajtur zyrtarët kinezë si “shumë të pasjellshëm”.
“Vizita shtetërore e Presidentit Xi tetorin e kaluar në Britani të Madhe është një ngjarje e suksesshme, dhe delegacionet e të dyja palëve kanë bërë përpjekje të mëdha për këtë. Si Kina, ashtu edhe Britania e Madhe, e kanë pranuar këtë në nivelet më të larta”, ka thënë Lu.
Ai ka shtuar se pas vizitës në fjalë, marrëdhenia mes Kinës dhe Britanisë ka hyrë në një ‘epokë të artë’. Ai gjithashtu ka thënë se të dyja palët po punojnë së bashku që t’i realizojnë marrëveshjet për bashkëpunim, të nënshkruara gjatë vizitës së Xi në Britani.
Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, është kapur dje në kamera duke thënë se zyrtarët kinezë kanë qenë “shumë të pasjellshëm” gjatë vizitës shtetërore të presidentit Xi Jinping, vitin e kaluar.
Ajo është kapur duke biseduar me një zyrtarë të lartë të policisë në kopshtin e Pallatit Bukinghem, të mërkurën.
Pallati Bukinghem ka thënë se nuk i komenton bisedat private të Mbretëreshës.
“Vizita shtetërore e autoriteteve kineze ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme dhe të gjitha palët kanë punuar nga afër për të siguruar rrjedhën pa probleme të saj”, ka hënë Pallati mbretëror.
Në atë kohë, Mbretëresha e ka cilësuar vizitën si historike dhe ka thënë se lidhjet anglo-kineze po marrin “lartësi ambicioze”.
Vizita ka pasur të bëjë me investimet kineze.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe gruaja e tij, Peng Liyuan, janë nderuar me një banket shtetëror në Pallatin Bukinghem, të organizuar nga Mbretëresha.