Të gjitha i bashkojnë tenderët

Në Kosovë ende nuk ka parti të profilizuara si të djathta apo të majta. Shpesh në deklarime të zyrtarëve të ndryshëm nga partitë në vend është thënë se u përkasin këtij apo atij krahu.

Në statutin e Partisë Demokratike të Kosovës thuhet vetëm se PDK “është parti politike, e pavarur dhe unike, e anëtarëve, të cilët organizohen dhe veprojnë me qëllim të përmbushjes së detyrave programore”.

E Lidhja Demokratike e Kosovës është e përcaktuar si parti e qendrës së djathtë “LDK-ja është parti politike e qendrës së djathtë, e anëtarëve të lirë dhe të përgjegjshëm,të cilët veprojnë mbi bazë të Statutit, për të arritur objektivat e përcaktuara në Programin e saj politik” thuhet në nenin 2 të statutit të kësaj partie.

Arben Gashi nga LDK ka deklaruar për Indeksonline se LDK është parti djathtiste dhe si e tillë mëton të vijë në pushtet sepse në gjendjen aktuale Kosovës i duhet qeverisje djathtiste.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës llogaritet në mesin e partive të qendrës së djathtë.
Ndërkohë për Lëvizjen Vetëvendosje profilizimi nuk ka rëndësi. “Sa i përket emrit se si quhet kjo politikë – ‘e majtë’ apo e ‘djathtë’, kjo është dytësore dhe jo esenciale”, thotë Glauk Konjufca për Indeksonline.

Sipas tij profilizime të tilla ka vetëm në shtetet dhe shoqëritë shumë të zhvilluara dhe se te ne është herët për ndarje të tilla.
“Në Kosovë ende nuk kemi arritur në këtë fazë” shton Konjufca.

Ndërkohë analisti Ardian Arifaj për Indeksonline pranon faktin se në Kosovë nuk ka parti të profilizuara.
Sipas Arifit shumica e Partive politike në vendin tonë janë të djathta me shumicën e parimeve por jo tërësisht. Ndërkohë ai thotë se ”nuk ka parti të majtë në Kosovë”.

Sipas tij kjo mungesë vërehet sidomos në Kuvendin e Kosovës në të cilin po të kishte deputetë të djathtë dhe të majtë do të kishte më shumë debate dhe rezultate.

Edhe për analistin Behlul Beqaj partitë në Kosovë nuk kanë profil në bazë të planprogramit. Sipas tij secila prej partive edhe pse quhen të djathta apo të majta bëjnë veprime të programeve të kundërta “kur janë afër tenderëve”.

“Partitë i përngjajnë njëra tjetrës si veja vesë, dallimet janë veç mes atyre që janë pranë tenderëve dhe atyre që pretendojnë tenderët. Ndërkaq sa u përket koncepteve ekonomike, sociale, politike e juridike në esencë ato kanë dëshmuar se shumë parti të djathta kanë bërë veprime që nuk u përkasin të djathtave dhe anasjelltas” derisa janë në pushtet.

Sipas Beqajt Kosova ka nevojë për parti të qendrës dhe të majta por “me veprime konkrete dhe jo vetëm deklarative”.
Indeksonline është munduar të kontaktojë me zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca e Kosovës por kjo nuk ka qenë e mundur./indeksonline/.kohaislame

Artikulli paraprakNesër hidhet gur-themeli i xhamisë qendrore
Artikulli vijuesSiria dhe Turqia vazhdojnë sulmet e ndërsjella