Disa këshilla se si mund të ndiheni rehat në shtëpinë tuaj dhe ta ktheni atë në një vend tërheqës edhe për miqtë
Në vitet e fundit, shtëpia është kthyer në vendin, ku jo thjesht qëndron një familje e caktuar, pra pjestarët e saj, por mbi të gjitha është parë edhe më gjerë, si vendi i takimeve mes njerëzve të dashur dhe vendi i cili, më tepër se cilido vend tjetër, jep mirëqenie.
Është vendi i dashur, i cili të mirëpret gjithnjë, aty ndihesh rehat dhe i mbrojtur. Ideja se shtëpia është një kafaz me katër faqe, ku kyçesh brenda dhe pengohesh të bësh jetë sociale aktive, ka kohë që nuk ekziston më. Shtëpitë, gjithnjë e më shumë, po konsiderohen si vendi i dashur dhe i domosdoshëm i pushimit, prej të cilit marrim energjitë e duhura dhe mund të kujdesemi për veten. Megjithatë, shtëpia nuk është vetëm kaq, por edhe vendi ku presim miqtë e dashur dhe ndajmë më ta moment qetësie.
Fenomeni i cili karakterizohet nga dëshira për të qëndruar dhe kushtuar vëmendje shtëpisë dhe familjarëve, quhet ndryshe edhe “nesting”, nga anglishtja do të thotë çerdhe, pra në një farë mënyre çerdhezim, nisur nga ideja se shtëpia është si çerdhe e ngrohtë. Më poshtë janë disa këshilla, të cilat nëse i ndiqni me kujdes, do të mund ta ktheni folezën tuaj , në një vend shumë herë më të dashur, jo vetëm për ju, por edhe për miqtë tuaj.
Një atmosferë qetësuese
Kjo tendencë vë në lëvizje edhe meshkujt e familjes, jo vetëm femrat. Pas vitesh të tëra, gjatë të cilave meshkujt ndiheshin sit ë tërhequr nga punët e shtëpisë, duke marrë vetëm rolin e atij që shkon në punë dhe siguron të ardhurat, ata duket se janë kthyer në “shtëpidashësit” më të mëdhenj. Kanë lënë kështu pas takimet pas pune me miqtë, apo darkat e vonshme të punës dhe sipas disa studimeve që trajtojnë çështjet e familjes, meshkujt janë kthyer në të përkushtuarit e mëdhenj të çerdhës familjare.
Ata duken gjithnjë e më të tërhequr prej atmosferës relaksuese dhe të qetë të shtëpisë, mes objekteve ku kanë kujtime dhe kanë krijuar identitetin e tyre, ku rigjejnë aromat familjare, pra shtëpinë.
Të jesh i dashuruar pas shtëpisë, do të thotë të transformohesh në një person pozitiv, i cili dashuron shoqërinë e familjarëve , të afërmve dhe pse jo, përpiqet t’i kënaqë ata edhe duke gatuar, sipas mënyrës së tij, për familjen.
Pastërtia dhe rregulli
Të dashurosh shtëpinë tënde, do të thotë në të njejtën kohë, të duash ta shohësh atë të pastër dhe të rregullt në çdo moment. Të bashkosh pastrimin e shtëpisë më impenjimet e përditshme në shtëpi, mund t’ju duket e vështirë dhe e lodhshme, mirëpo në fund të punëve do të kuptoni se sa e rëndësishme është të përfshiheni edhe në të tilla aktivitete, pasi në këtë formë lidheni edhe më shumë më ambjentin tuaj dhe kënaqësia që do të ndani me të afërmit dhe familjarët, pastërtinë dhe rregullin që keni vënë vetë, do të jetë e madhe.
Gjithashtu, në këtë pjesë, nëse eleminoni gjërat e vjetra, të thyera, të prishura dhe hapni ambjentin, do të ndiheni më të lirshëm dhe në këtë mënyrë do të keni mundësi të krijoni hapësira të reja dhe dinamizëm në shtëpinë tuaj, duke e bërë atë jo thjesht hapësirë familjare, por edhe një vend të këndshëm ku të kaloni moment me miqtë.
Pesë shqisat
Provoni të bëni një test të vogël me shtëpinë tuaj. Duke vënë në punë të pesta shqisat tuaja, hyni në çdo dhomë dhe shihni nëse në to merret frymë lirisht. E gjitha kjo mund edhe t’ju duket e pakuptimtë, mirëpo ju ndihmon të ndiheni më të lidhur me ambjentin tuaj dhe gjithashtu të shihni nëse ka diçka që nuk shkon në të apo jo. Kur të jeni përballë saj, do të kuptoni se sa e rëndësishme është që çdo metër katror i sipërfaqës së shtëpisë suaj duhet ta ndjeni brenda vetes sikur ju përket dhe i përkisni.
Me anë të shikimit vështroni muret e dhomave. A kanë ato ngjyrën e duhur për t’ju bërë të ndiheni rehat dhe të shplodhur? A keni ndriçim mjaftueshëm? A janë në harmoni të gjitha objektet që ndodhen në dhomë? Ndihesh i kënaqur me gjithçka që të rrethon në dhomë? Provoni në këtë mënyrë t’i jepni një përgjigje të gjitha pyetjeve të mësipërme dhe bëhuni realist me veten , duke ndryshuar atë çka nuk ju tërheq. Në fund të fundit ai do të jetë ambjenti juaj.
Me të dëgjuarën provoni të testoni akustikën e dhomave. Kjo është diçka e ndjerë e cila kërkon shumë përqëndrim. Përcaktoni në këtë mënyrë, nëse kjo është një dhomë të cilën do të donit ta përdornit për moment të gëzuara, për intimitet apo vetmi?
Provoni të prekni gjithçka që ju rrethon, muret, kuzhinën , orenditë dhe kuptoni se cila është ndjesia që provoni. Bëni një listë, pas kësaj, me gjërat që ju pëlqejnë dhe ato të cilat do të donit t’i eleminonit. Ato të cilat do t’i zëvendësoni, mundohuni t’i merrni në harmoni me të tjerat rreth e qark, kështu do të bëni një kombinim të bukur të gjithçkaje.
Mos harroni që edhe aroma e shtëpisë ka një rol shumë të rëndësishëm. Nuk është e thënë që shtëpia juaj të mbajë erë të mirë në çdo moment, apo ta aromatizoni atë në mënyrë artificial. Në fakt çdo shtëpi ka erë karakteristike të sajën dhe këtu qëndron e bukura e tyre, pasi aromat janë ndër faktorët thelbësorë për të lidhur njerëzit me sendet, objektet, ambjentet dhe njerëzit e tjerë.
Bëni mirë ndër të tjera që shtëpinë ta pasuroni me lule pasi ato do të mund t’i dhurojnë shtëpisë aromë natyrale dhe do të pastrojnë ajrin tuaj. Për të shmangur aromat e këqija, ajrosni herë pas here ambjentin ku jetoni, kontrolloni shpesh frigoriferin tuaj, për ushqimet, si edhe kujtoni që pastërtia është aroma më e mirë që mund të ketë një shtëpi.
Ndriçimi, ja çfarë duhet të keni parasysh
Shtëpitë, që të jenë mikpritëse, duhet të jenë të ndriçuara në mënyrë sa më të mirë e të kujdesshme. Nuk mjafton vetëm që jut ë keni një shtëpi të mobiluar me shije, apo sipas tendencave të fundit, apo edhe me një stilt ë veçantë, por mbi të gjitha, duhet të keni kujdes që ndriçimi të jetë ai i duhuri.
Para se të vendosni llampat e duhurua në shtëpinë tuaj, sigurohuni të lexoni parametrat e këtyre aobjekteve , ku nëse do të ndesheni me shkurtime si “ W (fuqia në vat), që tregon shpenzimin e energjisë, Lm(sasinë e dritës së lëshon), Lux(njësia matëse për ndriçimin) dhe Cd (intensitetin e dritës të lëshuar drejt një drejtimi të caktuar.)”
Një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe shkallëzimi i tonalitetit, i cili ndahet në dritë të ftohtë dhe të ngrohtë dhe mënyra se si kjo llampë na lejon që të shohim ngjyrat, e cila ndryshe quhet kromatim.
Sigurisht që ndriçimi nuk është i njejtë për të gjitha ambjentet e shtëpisë, por e rëndësishme është që të krijohet një shpërndarje e njëjtrajtshme e ndriçimit, në mënyrë që edhe pikat ku ka pak ndriçim, të pajisen me këtë të fundit.
Kështu, në zonën e korridorit duhet që llampat të zgjidhen nga ato të cilat ndizen shpejtë dhe parametrat e tyre të jenë nga 50 deri në 100 lux, zona e leximit duhet të jetë e ndriçuar në parametrat 200 deri në 500 lux, ambjenti i shkrimit, nga 300 në 750 lux, zona ku konsumohen vaktet e ushqimit nga 150 në 200 lux, kuzhina nga 200 në 500 lux, banjo nga 100 në 150 lux, me vetëm një
pikë ndriçimi pranë pasqyrës dhe dhoma e gjumit, nga 100 në 150 lux, me pikat e ndriçimit pranë dollapit./100revista