Kontaminohet uji, ngordhin peshqit në lumin Drenica

0
126

Një numër i konsiderueshëm i peshqve kanë ngordhur në lumin Drenica, i cili kalon në rajonin e Gllogocit e vazhdon nëpër fshatrat e Fushë-Kosovës, ku bashkohet me lumin Sitnica, shkruan sot “Koha Ditore”. Banorët e fshatit Vragoli thonë se asnjëherë më parë nuk ka pasur ngordhje të peshqve në këtë masë. Zyrtarët shtetërorë gjatë ditës së diel i kanë përfunduar analizat e ujit të lumit, por edhe të puseve të Ujësjellësit prej nga banorët e kësaj ane furnizohen me ujë të pijshëm.

Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, i cili ishte pjesë e ekipit, ka bërë të ditur se janë kryer edhe analizat e ujit të lumit Drenica, të dielën pasdite.

Ai ka thënë se rezultatet e analizave tregojnë se uji i lumit është i helmuar në parametra të vegjël.

“Uji i pijshëm ka dalë se i përmbush të gjitha standardet dhe mund të përdoret. Nuk përbën ndonjë alarm”, ka thënë Tahirsylaj, duke shtuar se megjithatë uji i lumit është i kontaminuar.

E deri tek helmimi i ujit të lumit, Tahirsylaj ka thënë se ka ardhur nga bartja e xeheroreve me të cilat bujqit i kanë stërpikur arat.

“Pas reshjeve të shiut të gjitha ato pesticide që përdoren në bujqësi janë bartur në ujin e lumit, prandaj ka ndodhur kjo situatë. Ngordhja e peshqve ka ndodhur si pasojë e mungesës së oksigjenit”, ka thënë ai.

Lumi Drenica në fund të fshatit Vragoli bashkohet me lumin tjetër Sitnica. Ngordhja e peshqve ka ndodhur vetëm në lumin Drenica, kurse në lumin Sitnica nuk janë vërejtur peshq të ngordhur./koha/kohaislame