Kontrabanda e hapur në veri e familjes Veselinoviq

Një pjesë të madhe të tregut të Kosovës me naftë, barna, drithëra, drogë e armë e mbulon Zvonko Veselinoviq. Numri më i madh i konsumatorëve të këtyre produkteve janë shqiptarë. Zvonko me grupin e tij fiton miliona euro në mënyrë të paligjshme. Po kaq humb edhe buxheti i Kosovës. Ka arritur t’i shmanget drejtësisë falë lidhjeve të mira me policë e prokurorë kosovarë. Mbi 3 milionë euro naftë ka futur në Kosovë gjatë viteve 2009-2010.

“Koha Ditore” ka bërë një hetim të kriminalitetit të veri të Kosovës dhe ka siguruar dosje zyrtare të Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it, Doganave dhe Prokurorisë, në të cilat përshkruhet veprimtaria kriminale në veri të Kosovës. Zvonko Veselinoviq i arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në Serbi bashkë me vëllanë e tij Zharko kontrollon gjithçka në atë pjesë. Sipas dosjeve, ai ka kryer këtë veprimtari me dijeninë e EULEX-i dhe të Policisë së Kosovës. Në pak raste kur ka pasur tentativa për arrestimin e tij, në krah i kanë dalë zyrtarë të rendit dhe të ligjit, siç është ish-komandanti i stacionit të Policisë së Kosovës në veri, Milija Milosheviq, prokuror shqiptar e miq të tjerë.

Kontrabanda e mallrave është bërë në sy të doganierëve të EULEX-it. Ata kanë regjistruar hyrjen e kamionëve në pikat kufitare 1 dhe 31, por nuk kanë mbledhur taksat. Mosveprimin e doganierëve e kanë konstatuar policët e EULEX-it dhe Prokuroria. Orvatje për ndalimin e kësaj veprimtarie kriminale atje ka bërë Dogana e Kosovës, mirëpo për shkak të pamundësisë për të kontrolluar pikat kufitare vetëm ka bërë raporte e kallëzime penale.

Prokuroria e EULEX-i ka lëshuar urdhër arrestim kundër Veselinoviqit qysh vitin e kaluar. Ky urdhër arrest nuk është zbatuar, ani se është ditur adresa e saktë e tij. Veselinoviq i dyshuar për përfshirje në mbi 20 vepra penale, dyshohet se pas lirimit nga paraburgimi në Serbi ndodhet në veri të Kosovës ku po vazhdon veprimtarinë.

EULEX-i që po heton veprimtarinë kriminale në veri të Kosovës nuk ka dashur të prononcohet në asnjë pyetje të “Kohës Ditore” të martën. Nuk ka folur nëse po e kërkon Veselinoviqin ende.

Zvonko kontrollon mbi 15 firma të ndryshme tregtare. Shumica të regjistruara në Kosovë. Mallin e sjell nga Serbia, Zvicra, Çekia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania, Qiproja, Bosnja, e Mali i Zi dhe ua shet shumicën shqiptarëve gjithandej Kosovës.

Inteligjenca e EULEX-it e lidh Zvonko Veselinoviqin me të paktën tetë kompani të përfshira në kontrabandën e naftës dhe të substancave tjera dhe shmangien e tatimit. Këto janë “PP Bono Sistems”, “Team Petrol”, “Team Oil”, “Grin Gas”, “Raskos”, “Laki Nacionial”, “TPP Sokolica”, “P.U.P. Ferari” dhe “SZTR Prizma”.

“Koha Ditore” paralajmëron se do në ditët në vijim do të sjellë detaje të bashkëpunimit të Zvonkos dhe serbëve të tjerë me shqiptarë në tregtinë e naftës, drogës e mallrave të tjera, të futura në Kosovë në mënyrë ilegale./koha/kohaislame

Artikulli paraprakUthulla
Artikulli vijuesQeveria ia dhuron AUK-ut 31 hektarë