Uthulla

“Nga Xhabiri r.a. tregohet se Pejgamberi, alejhi selam, kërkoi nga familja e vet t’i sjellin për ushqim erëza, por ata i thanë: “Nuk kemi asgjë tjetër përveç uthullës”. Pejgamberi alejhi selam atëherë kërkoi uthull, pastaj filloi të hajë duke thënë: “Sa të mira janë erëzat dhe uthulla, sa të mira janë erëzat dhe uthulla!” (Përmbledhja e Imam Neveviut, versioni shqip, numër 741).
Çfarë është uthulla dhe përse është një ngjëratë e mirë?

Uthulla bëhet me anë të fermentimit të lëngut të frutave të ëmbla dhe të drithërave, si elbi, molla dhe rrushi. Procesi i krijimit të uthullës kërkon fermentimin në një ambient plot oksigjen, që është e kundërta e fermentimit alkoolik, që kërkon një ambient pa praninë e oksigjenit. Alkooli në këto lëngje oksidohet në acid acetik. Uthulla përmban 4 për qind ose më shumë acid acetik. Ngjyra dhe shija e saj ndryshojnë në varësi të bazës së saj.
100 gramë uthull përmban vetëm 16 kalori. Uthulla përmban gjithashtu sodium, potasium, kalcium, magnez, fosfor, hekur, zink dhe klorin, por nuk ka vitamina.
Ibn Sina (vdiq në vitin 1037) ka shkruar në librin e tij të famshëm Al-Qanoon fit Tibb (Kanuni i Mjekësisë), se uthulla është një agjent i fuqishëm mpiksës. Nëse hidhet në një plagë të jashtme, do të ndihmojë gjakderdhjen dhe ënjtjen. Uthulla ndihmon tretjen, forcon mishin e dhëmbëve dhe është një hapëse e mirë e oreksit.

Uthulla trajton plagët e jashtme

Enciklopedia “Martin-Dale Encyclopaedia of Pharmaceuticals 1989” përmend se uthulla ka shumë përdorime të dobishme. Disa prej tyre janë:
1. Trajton helmimin nga substancat alkaline (jo acidike).
2. Ndihmon në uljen e temperaturës.
3. Trajton pickimet e bletëve dhe të kandilit të detit duke aplikuar një përzierje të barabartë kripe dhe uthulle në vendin e pickimit, e cila ul dhimbjet dhe parandalon inflamacionin.

Vetia antimikrobiale e uthullës

Botimi i vitit 1989 i librit Complete Nutrition të Dr. Micheal Sharon, thotë: “Uthulla luan rolin e dezinfektuesit për zorrët. Disa njerëz e këshillojnë të përdoret për gargarë për gojën dhe fytin. Ajo dezinfekton brendinë e gojës nga mikrobet. Doza e zakonshme për gargarë është të përziesh një deri në tre lugë çaji uthull molle në një gotë uji dhe ta përdorësh në mëngjes dhe në mbrëmje.
”Dr. Sharoni shton se uthulla është e dobishme për shumicën e njerëzve, edhe pse te dikush mund të mos ketë efektet e dëshiruara.
A nuk ka thënë Profeti alejhi selam: “Sa të mira janë erëzat dhe uthulla, sa të mira janë erëzat dhe uthulla!”

Marrë nga revista Al-Jumuah
Përkthyer nga: Eglantina Muça/pertymoter.net/kohaislame

Artikulli paraprakLetër publike Kryetarit tim
Artikulli vijuesKontrabanda e hapur në veri e familjes Veselinoviq