Koreja e Veriut dënon me burgim të përjetshëm pastorin

Gjykata më e lartë në Korenë e Veriut ka dënuar me burgim të përjetshëm në një kamp pune një pastor kanadez.

Ai akuzohej për krime kundër shtetit.

Hyeon Soo Lim, 60 vjeç, u arrestua në kryeqytet pasi udhëtoi atje në janar për punë humanitare.

Prifti i krishterë, me origjinë nga Koreja e Jugut, u shfaq në një konferencë për shtyp, ku rrëfeu se kishte komplotuar për të rrëzuar qeverinë dhe ngritjen e një shteti fetar.

Koreja e Veriut i ndalon aktivitetet fetare.

Lim u dënua pas një gjyqi që zgjati 90 minuta në Gjykatën Supreme.

Prifti hyri në sallën e gjyqit me pranga, i shoqëruar nga dy oficerë të sigurisë.

Prangat iu hoqën gjatë gjyqit, ndërsa ai nuk e ngrinte kokën gjatë shumicës së gjyqit.

Pyetjeve të gjykatësit i përgjigjej me një ton të nënshtruar.

Sipas agjencisë shtetërore koreano-veriore, Lim ka dhënë një konferencë për shtyp ku ka pranuar se qëllimi i tij ishte rrëzimi i qeverisë.

Ai ka pranuar se ka dhënë leksione se si “Koreja e Veriut do shembet me dashurinë e Zotit”.

Ai ka pranuar edhe se ka ndihmuar dezertorët në këtë vend.

Artikulli paraprakMitrovica e Jugut?
Artikulli vijuesUshtarët izraelitë vrasin dy palestinezë të rinj në Jerusalem