Korrupsioni, pengesë për rritjen ekonomike

Janë bërë përparime në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, megjithatë ende mbetet sfidë për Kosovën dhe institucionet e saj.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga zyra e BE-së në Kosovë dhe Këshilli i Evropës në bashkëpunim me institucionet relevante të Kosovës, ku u prezantua “Projekti Kundër Krimit Ekonomik”, ku janë dhënë vlerësime në raportet në Anti-korrupsion dhe Anti-fushën e pastrimit të parave.

Sipas raportit për luftimin e korrupsionit, vlerësohet se, edhe pse Kosova ka ndërmarrë masa të ndryshme kundër korrupsionit, korrupsioni mbetet problem i madh i cili rrezikon rritjen ekonomike dhe paraqet kërcënim për zhvillim social e politik.

Ivan Koedjikov, Kryesues i Departamentit për Veprime Kundër Krimit në Këshillin e Evropës tha me këtë rast se ai ka besim se Kosova do të ketë mundësi që të vazhdoj hapat në uljen e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

“Me përvojën që kemi me Këshillin e Evropës është e drejtë të thuhet se korrupsioni dhe pastrimi i parave nuk mund të eliminohet tërësisht pasi këto janë pjesë të natyrës njerëzore, por ka mundësi që këto të kontrollohen me sukses në mënyrë që të mbahen në nivele minimale dhe që në fakt këto gjëra janë të nevojshme për një shoqëri demokratike”, tha Koedjikov, transmeton KP.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, deklaroi se është e nevojshme që të investohet në rritjen e kapaciteteve dhe fushat në kuadër të të gjitha institucioneve që merren me luftimin e këtyre dukurive. Ai tha se rekomandimet e dala nga ky projekt janë udhërrëfyes për institucionet që merren me luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Kurse, Thomas Gnoochi, kryesues i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Integrime për BE, zyra e BE-së në Kosovë, u shpreh se ky proces vlerësimi përfshinë dy cikle, ku i pari ka vlerësuar kornizën ekzistuese rregullative dhe institucionale si dhe efikasitetin e masave. Sipas tij, cikli i dytë synon sigurimin e implementimit të vazhdueshëm përmes përcjelljes së veprimeve të ndërmarra nga autoritet e Kosovës.

Në anën tjetër, Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion Hasan Preteni tha se janë duke bashkëpunuar mirë me të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për luftimin e korrupsionit. Ai vlerësoi se duhet një angazhim me i madh sidomos në amandamentimin e ligjit për deklarimin e pasurisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Ai tha luftës kundër korrupsionit në Kosovë po i mungojnë shifrat dhe mbetet shumë për t’u dëshiruar sa i përket veprimit të gjykatave.

Projektin e ka mirëpritur edhe Daut Xhemajli, zëvendësministër i Drejtësisë, i cili tha se ky raport vlerëson dhe saktëson mangësinë në kushtet e implementimit të legjislacionit, por të gjeturat do të jenë udhëzues për veprimet e duhura në luftimin e këtyre dukurive.kohaislame

Artikulli paraprakTë pamoralshmit vs të moralshmit
Artikulli vijuesMEDIA – fushat anti-Islame