Kosova me udhëzues online të tregtisë ndërkombëtare

Prishtinë, 4 mars – Zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar lansuan sot në Prishtinë “Udhëzuesin e tregtisë ndërkombëtare në Kosovë”. Ky udhëzues i paraqitur në mënyrë elektronike, ka për qëllim të ndihmojë eksportuesit dhe importuesit e mallrave dhe shërbimeve në Kosovë për të kryer transaksione ndërkombëtare të tregtisë.Udhëzuesi i tregtisë ndërkombëtare në Kosovë prej sot do të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve që janë të përfshirë në tregti ndërkombëtare. Në ueb faqen zyrtare të tij, gjenden të dhëna rreth procesit të eksportit, të importit dhe tregtisë me shërbime.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se ky udhëzues, ndonëse duket hap i vogël, është substancial për ata që veprojnë në ekonominë e Kosovës.

“Ky udhëzues ka rëndësi të shumëfishtë pozitive, në rend të parë ka karakter edukativ, në rend të dytë ka karakter të ndërmarrësisë dhe mbi të gjitha ka karakter të përmirësimit të imazhit të Kosovës përmes një hapi të rëndësishëm drejt internacionalizimit të ndërmarrësisë kosovare dhe lehtësimit të procedurave për eksport dhe import”, tha Gerxhaliu, transmeton RTK.

Edhe zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cyneid Ustaibo, vlerësoi se udhëzuesi ka rëndësi të madhe, në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Tani me këtë dokument bizneset mund t’i kuptojnë më lehtë dhe mund t’i përmbushin më shpejt obligimet që dalin nga transaksionet tregtare”, tha Ustaibo.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, theksoi se udhëzuesi përmban tërë informatat që iu nevojiten bizneseve për eksport dhe import.

“Ky udhëzim përmban të dhëna për procedurat e Doganave, Bankave dhe institucioneve tjera financiare, zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe eksportin dhe importin e mallrave. E gjithë kjo është qenësore që të kemi një biznes transparent në Kosovë”, tha Shauket.

Kurse, sipas drejtorit të Doganave, Naim Huruglica, ky udhëzues për herë të parë në mënyrë më të organizuar do të japë ndihmesë për punën që bëjnë ata që eksportojnë dhe importojnë.

Ndryshe, udhëzuesi http://itg-rks.com ofron informata në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht./koha

Artikulli paraprakUshtrimet trupore dhe sëmundjet e zemrës
Artikulli vijuesNikoliq: Me trishtim do të pranoja njohjen e Kosovës nga Egjipti