Kosova nuk është vetëm e kryeministrit!

0
200

Daut Haradinaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se në rastet kur diskutohet për tema të rëndësishme, është e rëndësishme që të ketë unitet të fortë të të gjitha forcave politike.

Duke komentuar mundësinë e krijimit të një ekipi të përbashkët për bisedimet e mundshme për veriun, Haradinaj, ka theksuar se kjo do të ishte çështje më e rëndësishme sesa një agjendë e thjeshtë e kryeministrit ose e një partie në pushtet.

I pyetur të komentojë nëse do të merrte pjesë AAK-ja në bisedime për çështje të rëndësishme me Serbinë, ai ka deklaruar se tjetërsimi i sovranitetit të vendit asnjëherë nuk duhet të vihet në pikëpyetje, ndërsa ka theksuar se AAK-ja do të mbështeste çdo iniciativë pozitive, qoftë nga Qeveria apo nga dikush tjetër.

Ndërsa duke komentuar thirrjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i ka bërë ftesë LDK-së dhe AAK-së që të bashkohen për rrëzimin e Qeverisë, Haradinaj ka thënë për “Tribuna Shqiptare” se AAK-ja është opozitë konstruktive që do ta luajë rolin brenda institucioneve të Kosovës.