Kosova do t’i bashkohet Ditës ndërkombëtare vjetore për shkatërrimin e armëve të vogla.
Me mbështetjen e Zyrës së Jashtme Gjermane dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Kosova do të merr pjesë në këtë ngjarje rajonale duke shkatërruar mbi 2382 armë të vogla dhe të lehta (AVL), përkatësisht 888 armë të shkurtra dhe 1494 armë të gjata të zjarrit si dhe mijëra pjesë të tyre.
Në ceremoninë e shkatërrimit të armëve do të marrin pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, zëvendës përfaqësuesja Rezidente e UNDP, Alessandra Roccasalvo, përfaqësuesja nga Ambasada Gjermane në Kosovë, Henriette Kotter dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.
Ngjarja e shkatërrimit të armëve do të përdoret edhe për lansimin e fushatës “Festo me zemër, dhe jo me armë” për zvogëlimin/parandalimin e zjarrit festiv, që është një bashkëpunim me UNDP SEESAC e që mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Armët e shënjuara për shkatërrim janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së tyre për hetimin e krimeve.