Kosova shpresa e lypësve nga Shqipëria

Është kthyer në po të njëjtin vend ku ishte dy vite më parë. I thinjur, e me këpucë të grisura F. Xhaferi sapo ka mbërritur nga Kukësi në Oborrin e Qendrës Klinike Universitare.
Më një letër të bardhë në dorë, në të cilën nuk shkruan asgjë, ai kërkon nga kalimtarët ti falin ndonjë metelik për bukë.
Në ditën e parë të “punës” në Prishtinë, ai tregon se këtu po ia del më mirë se në vendlindje. Rruga në skaj të së cilës është vendosur frekuentohet nga shumë qytetarë dhe mundësitë që atij ti hedhin para janë më të mëdha.
“Në Kukës janë shumë lypës dhe e kam shumë të vështirë të mbijetoj”, thotë Xhaferi, që e gjen  më të lehtë ta ushtrojë“zanatin” e tij të ndaluar me ligj në Kosovë.
Policia që është e thirrur ti largoj nga rruga madje edhe ti gjobis ata që shtrijnë dorën në rrugë ka evidentuar gjatë  vitit 2014 se në tërë Kosovën ishin 578 persona lëmoshë kërkues, prej të cilëve 455 ishin nga Shqipëria.
Që nga viti 2009 ekziston Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike, i cili ndalon lëmoshën në vende publike. Madje me këtë ligj kushdo që zihet duke kërkuar lëmoshë, dënohet me shumën nga 30 deri 500 euro! Por, Policia e Kosovës nuk jep të dhëna nëse kanë shqiptuar ndonjë gjobë ndaj atyre që janë evidentuar si lëmoshëkërkues.
Për këtë nuk ka dëgjuar as Xhaferi.
“Jo nuk më pengon policia, është dita e parë që jam këtu. Kam qenë edhe para dy viteve por nuk kam has në pengesa”, thotë ai për Gazetën Fjala.
Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar shumica e tyre që kërkojnë lëmoshë janë femra të nacionalitetit rom që vijnë nga Shqipëria dhe janë të përqendruara kryesisht në qytetin e Prizrenit.
Në këtë qytet vjet ushtronin aktivitetin e tyre 214 lypës derisa në Prishtinë ishin 166 persona, 84 nga ta femra  dhe  82  meshkuj, shumica prej tyre me shtetësi shqiptare të nacionalitetit rom, ashkali dhe serb.
lypsat 2014Situata duket më ndryshe në raportin e 2015-ës nga muaji janar deri në muajin prill. Në këtë periudhë janë101 persona të cilët kërkojnë rrugëve, shumica e tyre janë fëmijë të gjinisë mashkullore nga Kosova.
lypsat 2015
Por, janë edhe një numër i madh i grave të moshuara që zënë vend përgjatë sheshit kryesor në kryeqytet.
Ato nuk flasin thuajse me askënd dhe nuk dëshirojnë të zbulojnë identitetin e tyre. Shumica që kërkojnë lëmoshë janë të mbuluara ose vendosin mbulesa siq kërkohet në fenë islame për femrat dhe nga mëngjesi deri në mbrëmje shtrinë dorën para kalimtarëve.
Në pyetjet e Gazetës Fjala, lidhur me këtë dukuri në vend, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk qëndron duarkryq por vazhdon të mbaj aktivitete të ndryshme për largimin e këtyre personave nga rruga e sidomos fëmijëve, sepse ata shpeshherë mund të jenë viktimë e krimeve  të ndryshme, apo viktimë e trafikimit .
“Policia e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme organizon fushata vetëdijësuese dhe ligjërata në institucione shkollore për dukurit negative në shoqëri dhe pasojat e këtyre dukurive sidomos për fëmijët”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të policisë./Gazeta Fjala/
 
Artikulli paraprakDjali i besimtarit të arrestuar mbi akuzën për "terrorizëm" tregon vështirësitë dhe presionet
Artikulli vijuesNdërron jetë babai i foshnjës palestineze që u dogj nga zjarrvënia e kolonëve hebre