Reshad Ganiqi po flinte në shtëpinë e tij që ndodhet në Porsgrunn të Norvegjisë, kur ia kanë thyer garazhin, për t’ia demoluar makinën BMW.
Plaçkitësit do të vidhnin edhe më shumë pjesë, sikur qeni tij të mos lehte pandërprerë dhe të zgjonte familjarët, transmeton Telegrafi.
“Shkova me shpejtësi në garazh, kur e pashë derën e hapur, ndërsa makina ishte demoluar në masë të madhe. Po të mos shkoja, do të grabisnin edhe më shumë pjesë”, ka thënë Ganiqi.
Raportohet se ata kanë arritur të çmontojnë rrotat, mbrojtëset, grillin, shumë pjesë nën kapak dhe amortizuesit. Sa i përket enterierit, janë marrë timoni, ndërruesi i shpejtësive, sistemi GPS dhe komandat e klimës.
Ende nuk ka ndonjë të dyshuar për rastin, me të cilin është duke u marrë policia në mënyrë intensive.
“BMW-së i vidhen pjesët, derisa pronari flinte në shtëpi”, ka qenë titulli i një prej mediumeve norvegjeze, për këtë rast të pazakontë. /Telegrafi/