Kosovë, BIK: Xhaminë e Ibrit do ta rindërtojmë, herët a vonë!

0
167

Bashkësia Islame e Kosovës ka këmbëngulur në vazhdimësi për rindërtimin e xhamisë së rrënuar afër urës mbi lumin Ibër, në veri të MItrovicës. Madje për këtë qëllim ka pasur tri donacione dhe leje ndërtimi nga komuna. Por, e vetmja gjë që ka munguar ka qenë siguria.

Kështu është shprehur sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi, për mediat kosovare. Madje, ai shprehet i sigurtë se xhamia do të rindërtohet, gjithsesi.

“Në atë vend ka qenë xhamia dhe do të ribëhet. Le të bëhet çfarëdo aty, por xhamia do të bëhet në emër të Zotit. Megjithatë, ne kemi dashur që kjo xhami të bëhet duke na ofruar siguri për ndërtimin e saj, e jo të dërgojmë njerëz, të cilëve mund t’u ndodhë ndonjë e papritur. Sigurinë duhet ta ofrojë aktualisht KFOR-i, por edhe organet ndërkombëtare”, ka thënë Rexhepi.

Rër rindërtimin e xhamisë në hapësirën që është pronë e Bashkësisë Islame, dhe ku në kuadër të punimeve për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër paralajmërohet ndërtimi i një fushe tenisi, Rexhepi thotë se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike.

“Deri në Strasburg dhe përtej Strasburgut. Do të bëjmë çmos. Nuk do të ndalemi, duke kërkuar që të na mundësohet rindërtimi i asaj xhamie”, ka thënë më tej ai.

Kjo çështje, prej kohësh ka irrituar qytetarët e Mitrovicës, të cilët kanë kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e lartë vendas, përfshirë edhe ministren për Dialogun, Edita Tahiri.

Sipas sekretarit të BIK-ut, Resul Rexhepi, ata kanë këmbëngulur shumë herë, që çështja e rindërtimit të xhamisë të jetë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Ndërkohë, ka edhe fjalë e dyshime se, nën hapësirën e xhamisë së rrënuar gjendet varreza masive e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit.