Kosovë, Krejt Rinia Përdorin Teknologjinë e Informacionit

Në Kosovë pothuajse të gjithë të rinjtë janë përdorues të teknologjisë moderne. Këtë e tregon një anketë e kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-i.
 
Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë tregon se rreth 96 për qind e meshkujve kosovarë të moshave ndërmjet 15 dhe 24 vjeç, dhe rreth 95 për qind e femrave kosovare të kësaj moshe kanë shfrytëzuar internetin gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
 
Megjithatë, krahasuar me komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë (RAE) në Kosovë, përdorimi i internetit nga pjesa tjetër e popullsisë paraqitet më e lartë.
 
Sipas vrojtimit të UNICEF për komunitetin RAE, 76 për qind e femrave përdorin teknologjinë e informacionit përkundër dhe 91 për qind e meshkujve.
 
Kjo do të thotë se ndërsa ndryshimi ndërmjet meshkujve të etnive të ndryshme është shumë i vogël, diferenca ndërmjet femrave RAE me pjesën tjetër përfaqëson një hendek të konsiderueshëm, prej gati 20 për qind më pak.
 
Nga ana tjetër, rezulton se femrat kosovare e përdorin më shumë kompjuterin (94%) sesa meshkujt (93%).
 
Smartphone-t që në thelb janë kompjuterë xhepi që lidhen në internet dhe kryejnë telefonata, janë aktualisht pajisjet më përfaqësuese të Teknologjisë së Informacionit.
 
Dhe telefonat e serisë i-Phone dhe Samsung mbeten më të kërkuarit në tregun kosovar, sipas Muhamer Gajtani nga “Mobi Shop Gajtani” në Prishtinë.
 
“Seritë e reja çka po dalin po kërkohen më shumë, mirëpo dominojnë iPhone-i dhe Samsung-u në përgjithësi”, tha Gajtani.
 
Ndërkaq, sa i përket moshave të përdoruesve të telefonave të mençur ai tha se sillet nga më të ndryshmet. “Pothuajse të gjitha moshat po i blejnë smartphone-at, personat prej klasës pesë ose gjashtë e tutje”, u shpreh ai.
 
Gjithashtu, në projektligjin e ri për TVSH-në, qeveria e Kosovës ka parashikuar t’i lirojë nga TVSH-ja produktet e IT, por jo telefonat./kallxo
Artikulli paraprakA po mbetet veriu i Malit të Zi pa banorë, qytetarët në mënyrë masive largohen drejt BE-së
Artikulli vijuesKush Urdhëroi Fshehjen e Trupave të Shqiptarëve në Serbi?