KQZ i UP-së i përgjigjet SKV-së, e fundit e pakënaqur

Komisioni Qendror për Zgjedhjet Studentore në Universitetin e Prishtinës, (KQZ i UP-së) një ditë pas ultimatumit që organizata studentore: Studim Kritikë Veprim (SKV) ia kishte dërguar Rektoratit se në rast të mospërgjigjes deri më 28 maj, ky institucion do të përballet “me masa të ashpra dhe pa paralajmërim”, i ka kthyer përgjigje kësaj organizate studentore.

Përfaqësuesit e SKV-së, të mërkurën, i kishin dërguar ankesë kreut të UP-së për shkak të licencimit me kusht të organizatës së tyre. Në përgjigjen që SKV-ja e ka marrë të premten, nga lista e tre personave të kushtëzuar: Rron Gjinovci, Durim Jasharaj dhe Astrit Dehari, ky i fundit është hequr, kurse kanë mbetur vetëm të parët. Licencimi i SKV-së ishte bërë me kusht “që në listat e kandidatëve për këshilla dhe parlament të studentëve të mos jenë këta tre persona si dhe që ata të mos jenë persona kontaktues për shkak se janë dënuar për shkelje të rënda disiplinore nga komisionet disiplinore të fakulteteve përkatëse dhe se rasti i tyre është në procedurë gjyqësore”. Kryetari i KQZ të UP-së për zgjedhjet studentore, Vaxhid Sadriu, ka thënë se është vërtetuar se Astrit Dehari nuk ka pengesa ligjore, kurse dy të parët po, prandaj edhe ua kemi sqaruar në përgjigje. Përfaqësuesi i SKV-së, Kreshnik Ahmeti, ndërkaq, është shprehur të dielën, i pakënaqur me përgjigjen e KQZ të UP-së. “Konstatimet e Komisionit janë bërë pa asnjë referencë ligjore”, ka thënë Ahmeti. Ky ka thënë se në listën e kandidatëve të SKV-së për zgjedhje, të hënën, do të dërgohen edhe emrat e Rron Gjinovcit e Durim Jasharajt.

Ndonëse e mbajnë ende statusin e studentit, e në këtë kuptim i gëzojnë të gjitha të drejtat për të qenë të votuar dhe votues, absolventët e Fakultetit të Mjekësisë thonë se u është marrë e drejta që të jenë pjesë e zgjedhjeve studentore 2012 në Universitetin e Prishtinës. Dita e zgjedhjeve studentore në UP është 6 qershori, kurse studentët shfaqin frikën se nuk do të futen fare në lista të votimit.

“Në Fakultetin e Mjekësisë absolventët nuk figurojnë fare në listat e votuesve”, ka thënë studenti Adnan Çoçaj. Sipas tij, për këtë janë interesuar dhe i kanë bërë pyetje edhe sekretarit të Fakultetit përkatës, porse kanë marrë përgjigje se arsye për këtë është mosdalja e absolventëve në votime në zgjedhjet e fundit studentore, para tre vjetësh.

Duke u bazuar në Rregulloren për zgjedhjet e studentëve të Universitetit të Prishtinës 2012, Komisioni Zgjedhor, më 22 maj, me një vendim, ka certifikuar për zgjedhjet studentore 15 organizata studentore, një prej të cilave është certifikuar me kusht.

Për mospërfshirje në listat zgjedhore të absolventëve ka folur edhe përfaqësuesi i organizatës studentore: Studim Kritikë, Veprim, Kreshnik Ahmeti. Ai ka thënë se kanë marrë ankesa të tilla edhe nga studentë të Fakultetit të Ekonomisë dhe të fakulteteve të tjera, porse siç është shprehur ai, më së keqi është në Fakultetin e Mjekësisë.

“Ky problem në Fakultetin e Mjekësisë kishte qenë edhe më herët, por gjëra të tilla po ndodhin edhe në fakultete të tjera”, ka theksuar të dielën, përfaqësuesi i SKV-së, Ahmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në UP, Vaxhit Sadriu, njëherësh edhe sekretar i përgjithshëm i këtij universiteti, është shprehur të dielën për gazetën se askush nga studentët e rregullt nuk do të mbetet pa u futur në listat zgjedhore të studentëve. Megjithëkëtë, ai ka pranuar se në ndonjë fakultet, siç është edhe ai i Mjekësisë, ka pasur vonesa në regjistrimin edhe të absolventëve, por, siç ka thënë ai, ka ende kohë për t’i plotësuar listat./koha/kohaislame

Artikulli paraprakSIRI – ANAN NESËR TAKOHET ME ESED
Artikulli vijuesNikolliq paralajmëron njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore?