Kreu i ekzekutivit, ish bashkëpunëtori i Vetëvendosjes në opozitë kur hidhej gazi lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me disa fjalë Kryesisë së Vetëvendosjes.
Sipas tij kundërshtimet politike mbesin legjitime, derisa kundërshtimet ndaj institucioneve të gjyqësorit, sipas tij, dalin në terren tjetër, me presedanë të rrezikshëm për vendin.
Ka thënë se edhe kur kanë qenë të bashkuar në opozitë edhe tash ai mbetet ithtarë i respektimit të gjyqësorit.
Lexojeni të plotë reagimin e Haradinajt:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Të respektuar kryesi e Lëvizjes Vetëvendosje,
Ju drejtohem me disa fjalë.
Kundërshtimet politike kundër marrëveshjeve të rrezikshme, kanë qenë, janë dhe mbeten legjitime.
Kundërshtimet ndaj institucioneve të gjyqësorit, dalin në terren tjetër, me presedanë të rrezikshëm për vendin.
Si kryetar i Qeverisë, sot, ju them se kam po ato qëndrime që kisha si kryetar partie, ku secili nga ne i jemi përgjigjur gjyqësorit.
Ftoj Lëvizjen Vetëvendosje që të ndajë kundërshtimin politik, me kundërshtimin ndaj gjyqësorit.
Gjyqësori, edhe ashtu në vështirësi, dobësohet edhe më tepër kur deputetët e zgjedhur e kundërshtojnë atë.
Këtë thirrje e bëj, si Kryetar Qeverie, si kryetar partie por edhe si qytetar i Kosovës.
Nuk do të jem në përkrahjen tuaj, kur jeni në kundërshtim të gjyqësorit, pasi edhe më parë u kam kërkuar edhe kolegëve të mi, por edhe vet e kam respektuar gjyqësorin.