Një konflikt në familje ka shënuar një viktimë mbrëmjen e kësaj të hëne në Tiranë. Djali dyshohet të ketë vrarë me thikë babain e tij pasi ky i fundit i plagosi dajon
Ngjarja ndodhi në rrugën “Zef Jubani”, pranë shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, pas një përleshje për motive ende të panjohura në banesën e Artur Kurtit, 49 vjeç i cili mbeti viktimë. Sipas informacioneve paraprake të policisë, mësohet se Artur Kurti ka hyrë me thikë në dorë në shtëpi dhe është përleshur me djalin e tij dhe kunatin, vëllain e gruas Leonard Ristani, i cili ndodhej në banesë. Artur Kurti gjatë përleshjes la të plagosur me thikë kunatin, por në rrethana ende të paqarta për policinë, në sherr e sipër Artur Kurti mbeti i pajetë si pasojë e plagëve që mori në trup me thikë.
Sipas policisë, nga hetimet paraprake dyshohet që ndaj babait të ketë qëlluar vetë djali i tij për të mbrojtur dajon. Jurgen Kurti, 23 vjeç djali i viktimës është shoqëruar në polici, ndërsa mësohet se në banesë ka qenë edhe nëna e tij dëshmia e së cilës pritet të hedhë dritë mbi këtë ngjarje. Po ashtu nga bluzat e bardha në QSUT mësohet se kunati i Artur Kurtit është në gjendje të rëndë shëndetësore. Hetimet e mëtejshme të policisë pritet të zbardhin edhe motivin qe solli përleshjen e përgjakshme në familje.