Kriteret e të mençurve

Kriteret e të mençurve



Hyrje

Krahas cilësive trupore njerëzore, që së bashku me veçoritë dalluese shoqërore i klasifikojnë njerëzit, sipas kohës, vendit dhe rrethit ku ata jetojnë, ekzistojnë edhe veçori shpirtërore. Njerëzit nuk janë, ashtu siç pretendojnë t’i paraqesin disa teori perëndimore, të burgosurit e qelizave kulturore, ndikuese në mënyrën e të menduarit dhe në mënyrën e të zgjedhurit. Assesi. Kulturat e njerëzve të ndryshëm përfshijnë besimet e tyre, vlerat dhe botëkuptimet dhe shpeshherë profilizohen brenda qytetit modern. Çdo qytet ka veçoritë dhe natyrën e vet, i cili si i tillë ndikohet nga qytetet tjera, me të cilët është i ndërlidhur me rrugë të shtruara dhe mjete të ndryshme të komunikimit. Po të ishte ashtu si pohojnë këto teori, njerëzit nuk do të kishin mundësi të kuptohen mes vete, e as të ndryshojnë besimet dhe botëkuptimet të trashëguara në kulturat e tyre.

Kjo nuk do të mundej të ndodhë pa ekzistimin e atyre veçorive të përbashkëta shpirtërore, prej të cilave atë më të rëndësishmen, do ta quajmë “Standardet e mençurisë” të cilët i pranon çdo njeri edhe pse jo çdoherë i zbaton apo i pranon rezultatet e tyre.

Disa individ duke i vështruar dallimet mes njerëzve, i godet dëshpërim dhe humbje shprese: Ky është besimtar e ky ateist, ky është mysliman e ai krishterë, çifut ose budist, ky është anëtarë i filan xhematit ose partisë e ky tjetri i tjetrës. Ky është sunit e ky tjetri shi’it. Ky vështrim shpeshherë e le të hutuar. Po ta kujtonte, ky i dëshpëruar, logjikën e tij dhe kriteret e mençurisë me të cilët, pranon ose refuzon qëndrime, nuk do të lejonte të kaplohet nga pashpresa.

Në vijim do të përmendi disa kritere të mençurisë, njohjen e të cilëve Allahu na e ka obliguar në Kur’an dhe na ka detyruar të gjykojmë me të. Këto kritere janë prej argumenteve më të forta se kjo fe, Islami, është fe e natyrshmërisë, fe e cila i drejtohet njeriut, qenies të përkufizuar me kulturë, kohë dhe vend të caktuar.

Prej kritereve të pranuara nga gjithë kategoritë e mençura të llojit njerëzor janë:

1. Ligjet e logjikës

Kam për qëllim premisat logjike dhe përfundimet e tyre të pashmangshme, parimet me të cilët njohim saktësinë apo jo saktësinë e fjalisë. Prej këtyre ligjeve është “Ligji i simetrisë” ose i quajtur ndryshe i “mënjanimit të kontradiktave” ligj ky i cili është bazë dhe thelb i ligjeve të logjikës.

Gjithë njerëzit, madje edhe fëmijët, kuptojnë kotësinë e fjalisë kontradiktore.

Fjalinë tënde: “Ta kam sjellë sot një dhuratë të bukur por nuk ta kam sjellë sot atë dhuratë të bukur” edhe fëmija do ta vlerësonte si e pakuptimshme.

Çdonjëri është në gjendje të vërteton pakuptimin e fjalive: Do të blej veturë dje, ose kam blerë veturë nesër. Megjithatë, jo çdo fjali kontradiktore është e thjeshtë dhe e qartë në kontradiktën që përmban, dhe si e tillë kërkon më tepër se një shikim dhe analizë sipërfaqësore.

Shembull i tillë është fjala e Mu’tezilëve: Njeriu është krijuesi i veprave të tij. Nga kjo fjalë nënkuptojmë se në botë ekzistojnë disa sende të cilat nuk i ka krijuar Allahu, subhanehu ve teala, pohim ky i cili ndeshet me ajetin: “Allahu është krijues i çdo sendi…” (Ez Zumer, 62). Përgënjeshtrimi i Kur’anit është kufër, ky parim a na jep të drejtë të shpallim si mosbesimtarë çdonjërin i cili e thotë këtë fjalë? Assesi; shembulli i mëshirës me të cilën dallohen pasuesit e sunnetit është rregulli sipas të cilit: ajo që detyrimisht nënkuptohet prej fjalës jo çdoherë e ka të njëjtën dispozitë (nuk gjykojmë që njeriu i cili e ka thënë atë fjalë detyrimisht e ka pasur për qëllim atë kuptim i cili me parimet e logjikës dhe mençurisë medoemos nënkuptohet prej fjalës).

Prej mjeteve më të mira për argumentimin e kotësisë të ndonjë fjalie, është nxjerrja në shesh të pohimeve të gabuara që doemos nënkuptohen prej saj.

Për shembull: Kur çifutët deshën të mohojnë pejgamberinë e Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, u mbështetën në rregullin e përgjithshëm: “Allahu nuk i shpalli gjë asnjë njeriu!” (El En’am, 91) nga i cili patjetërsueshëm arrijmë në përfundim se Allahu nuk i ka shpallur Musait, alejhi selam, Tevratin, për të cilin vetë çifutët besojnë se është fjalë e Zotit; për këtë shkak Allahu, subhanehu ve te’ala, atyre u drejtohet me pyetje denoncuese: “Thuaj: “Kush e zbriti librin, me të cilin erdhi Musai e që ishte dritë e udhërrëfyes për njerëz…” (El En’am, 91)

Ndoshta vendi ku në mënyrë më eksplicite, u përmend ky kriter në Kur’an, është ajeti: “A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie. “ (En Nisa, 82)

Ky ajet duke e mohuar praninë e kundërthënieve në Kur’an, mosekzistimin e tyre e promovon si argument që vërteton se Kur’ani është i shpallur prej Allahut. Nuk është e mundshme që një krijesë të shkruan libër si Kur’ani, të veçantë për nga madhësia, llojllojshmëria e temave, për nga rreziku i tyre dhe koha e gjatë e shkrimit, e që në të, të mos ketë kundërthënie. Nëse do të vërtetosh saktësinë e këtij pohimi shih librat e shkruara prej njerëzve në të cilët ata vetë pranojnë mospajtimin e asaj që e kanë shkruar para disa vjet me atë të cilën e pohojnë sot. Analizo me vëmendje teoritë njerëzore si demokracia, kapitalizmi, socializmi etj. dhe do të gjesh kontradikta numrin e të cilëve e di vetëm Allahu. Prania e kundërthënieve ishte shkak që disa të krishterë (që quhen krishterë liberalë) të mohojnë përshkrimin e çdo gjëje që përmendet në Bibël si fjalë e Zotit. Kjo gjendje (prania e tepërt e kundërthënieve në Bibël) ishte shkak që shumica e tyre të mohojnë krishterimin si fe.

Ekzistimi i këtij kriteri në natyrshmërinë e njeriut ishte shkaku që shtyri Shejhul Islam Ibën Tejmijje, për logjikën greke, të thotë: Është dije për të cilën nuk ka nevojë i mençuri e as që mund të përfiton prej saj ai që nuk ka arsye .

Ndoshta pohimi i Shejhul Islam do të ishte më preciz po të formulohej vetëm kështu: (Logjika) është dije që nuk i nevojitet të mençurit, sepse gradat e jo arsyes dallojnë dhe çdo njeri, sa do i marrë që të jetë, ka njohuri për këtë kriter (ligji i simetrisë) aq sa i nevojitet në përdorimin ditor.

Kjo më bënte që shpeshherë të habitem me disa perëndimorë që thoshin: Logjika është gjë e veçantë për kulturën perëndimore dhe është e panjohur për popujt e tjerë. Njëri prej orientalistëve u kap fortë për këtë fjalë të kotë dhe u orvat ta vërtetojë si të saktë edhe për arabët, dhe duke folur në emër të arabëve tha:

“Ajo që del si përfundim prej kësaj është që nëse ne në Kur’an gjejmë ndonjë kundërthënie, ajo do të jetë provë për pasurinë e tij, dhe tejkalim i frytshëm i mendimit të thatë analitik. Do të kemi mundësi të ruajmë të dy kuptimet sepse çdonjëri prej tyre nxjerr në shesh realitetin e neglizhuar nga tjetri, dhe si të tillë, edhe pse ngelim të paaftë t’i bashkojmë, na japin fotografi më të qartë për të vërtetën.”

Arabët si gjithë popujt tjerë e kanë të patjetërsueshme të perceptojnë kotësinë e fjalive kundërthënëse, dhe për këtë ata në gjuhën e tyre kanë dëshmi aq shumë saqë shënimi i tyre është një detyrë e vështirë. Këto kritere nuk munden të jenë të veçantë për evropianët ashtu siç nuk munden të jenë të veçantë për arabët. Këtë e vërteton ekzistimi i gjuhëve të ndryshme për komunikim mes individëve të shoqërisë që e flet atë gjuhë, dhe si të tilla (gjuhët) duhen të përmbajnë fjalë për mohimin dhe pohimin, që nuk munden të përdoren drejtë pa rregulla për të vërtetuar atë që duhet pohuar ose mohuar. Këto rregulla janë ligji i simetrisë.

Pohimi i më tepër se një të vërtete për një gjë nënkupton mohimin dhe pohimin e saj në një kohë, lejueshmërinë dhe ndalimin e saj, mundësinë dhe pamundësinë e saj.

Sa bukur ka thënë Imam Shatibiu: “Në Sheriat çdo gjë kthehet te një fjalë e cila është e vetmja e vërtetë edhe atëherë kur ka shumë mendime për një çështje. I njëjti parim vlen edhe për bazat (themelet). Argumentet për këtë janë…”

Megjithatë disa njerëz duke synuar argumentimin e pluralizmin e të vërtetave akoma përmendin rastin e dy grupeve të as’habëve që ndryshe kuptuan fjalët e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem: Ai që beson në Allahun dhe Ditën e fundit, të mos e falë namazin e iqindisë përpos te Beni Kurejdha… Pranimin e dy mënyrave të kuptimit të hadithit, që mes vete janë kontradiktore (sipas tyre), ata e konsideruan argument për mundësinë e ekzistimin e më tepër se një të vërtete.

Kjo assesi nuk ka mundësi të kuptohet nga vepra e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i cili vetëm pranoi veprën e çdo grupi sipas kuptimit të tyre të hadithit. Ata të cilët u falën para se të arrijnë te Beni Kurejdha ishin të mendimit se vonimi i namazit është gabim, në kohë që të tjerët ishin të mendimit se përshpejtimi i namazit është gabim. I Dërguari i Allahut u shpjegoi atyre, se mënyra se si ata e kanë kuptuar hadithin është e lejuar dhe nuk ka kundërthënie mes tyre. Lejohet që namazi të falet në fillim të kohës ashtu si lejohet të falet në fund të kohës, dhe i njëjti parim vlen për lejueshmërinë e faljes para se të arrihet te Beni Kurejdha dhe pas arritjes te Beni Kurejdha.

2. Dëshmitë e shqisave

A. Të gjithë njerëzit, në shumicën e rasteve u binden dëshmive të shqisave, besojnë se atë që e kanë parë me sytë e tyre, apo e kanë dëgjuar me veshët e tyre, e kanë prekur me lëkurën e tyre, e kanë nuhatur me hundën e tyre apo e kanë shijuar me gjuhën e tyre, është ashtu si e kanë paraqitur shqisat e tij.

Në disa raste, për shkak të ndonjërës prej shumë arsyeve, ndodh që ata të mos e pranojnë të vërtetën e dëshmuar me shqisa, edhe pse kjo sjellje është në kundërshtim me arsyen e shëndosh. Për këtë shkak Allahu, subhanehu ve te’ala, e kritikoi sjelljen e tillë: “Edhe sikur të zbritnim ty një libër të shkruar në letër, e ta preknin atë me duart e tyre, ata që mohuan do të thoshin: “Kjo nuk është tjetër përveç një magji e qartë” (El En’am, 7)

Megjithatë një numër i vogël i dijetarëve myslimanë dhe jomyslimanë qartë i shprehin dyshimet e tyre rreth dëshmisë së shqisave. Prej tyre është Ebu Hamid El Gazaliu, Allahu e mëshiroftë, i cili në librin e tij “Shpëtimtari nga lajthitja” thotë: “Fillova të angazhohem seriozisht me vështrimin e gjërave të kapshme me shqisa dhe gjërave esenciale (të domosdoshme), që të shoh nëse ka vend për të dyshuar në to. Pas vështrimit të gjatë, kritik, arrita në përfundim: Nuk mund të besoj me shpirt të qetë as në gjërat që perceptohen me shqisa. Dyshimi filloi të rritet…”

“Nga vjen kjo bindje në dëshmitë e shqisave, prej të cilave më e fortë është shqisa e shikimit? Njeriu e shikon hijen dhe e sheh atë të palëvizshme, dhe në bazë të asaj që e ka perceptuar thotë: Hija nuk lëviz, që më vonë të njëjtën ta sheh në formë të ndryshme dhe të pohon se hija lëviz por gradualisht, atom pas atomi dhe e ndryshon formën e saj. Situatë e ngjashme është edhe me planetët që i shikon njeriu e që na dukën të vogla që më vonë me shkenca të ndryshme të vërtetojmë se ato janë shumë më të mëdha se sa shihen me syrin e njeriut. Këto gjëra shqisat i gjykojnë sipas dispozitave të tyre edhe pse në shumë raste kundër tyre gjykon logjika me një gjykim që assesi nuk mund të mohohet. Me këtë asgjësohet besueshmëria e plotë ndaj shqisave.

Për këto fjalë të El Gazaliut unë kamë disa vërejtje:

1. Nëse mohojmë besueshmërinë e shqisave atëherë nuk do të ishte e saktë se atë që ti e ke parë si hije ta quajmë hije, e as atë që e ke parë si planet ta quajmë planet.

2. Si e vërejte lëvizjen e hijes? Me shikim drejt saj pas një kohe. Kështu ti e ke përdorur shqisën që të përmirësosh gabimin e pohuar për palëvizshmërinë e hijes.

3. Shikimi si shqisë mjafton si argument për të vërtetuar madhësinë e planetit, sepse gjithë janë të bindur se gjërat në largësi duken më të vogla sesa janë realisht. Më vonë ata zbuluan përpjesëtimin (proporcionin) mes largësisë dhe madhësisë.

4. Ndoshta do të thuash ata këto gjëra i kuptuan me fuqinë e logjikës. Po, por më thuaj vallë, a kanë shqisat mundësi të punojnë pa ndihmën e logjikës dhe a ka mundësi që logjika të vepron pa ndihmën e shqisave?

B. Dëshmia e shqisave, për besimtarin mysliman, është fakt i mbështetur prej fesë ashtu si mbështetet edhe nga mendja. Në Islam ka baza që nuk munden të besohen ashtu siç duhet, e as të veprohet me to, nëse nuk pranohet dëshmia e shqisave.

Kur’ani Famëlartë është libër që nuk mund të lexohet pa shikim dhe dëgjim, dy prej shqisave që i ka njeriu. Ajo që vlen për Kur’anin vlen edhe për dijet e ndryshme. Namazi, agjërimi, haxhi, njohja e kohëve të tyre mbështetet plotësisht në dëshmitë shqisore. Këto janë vetëm disa shembuj që vërtetojnë obligimin e besimit në të vërtetat shkencore të dëshmuara me shqisa si për shembull faktin se toka është e rrumbullakët. Në të vërtetat shkencore me siguri nuk merr pjesë teoria e Darvinit.

C. Sidoqoftë shqisat nuk na japin dije gjithëpërfshirëse për atë që e perceptojmë. Ato na japin vetëm dije për disa pasqyrime të asaj që vështrohet. Këto fakte edhe pse të pjesshme na mjaftojnë në angazhimet tona fetare dhe atyre që i përkasin kësaj bote. Shumë nga sendet që ne i shohim si të ngurta ne esencë janë fluide dhe përbëhen nga atome që lëvizin në hapësirën e tyre. Atëherë kur ne e shohim perëndimin ose lindjen e diellit, ai vetëm se ka perënduar ose lindur para tetë minuta. Shumë nga planetët dhe yjet që ne i shohim në hapësirën qiellore vetëm se janë zhdukur dhe ne i shohim vetëm refleksionet e dritës së tyre, të cilave u duhen mijëra vjet për të arritur në tokë. Këta trupa qiellorë që janë larg planetit tonë ne i shohim atëherë kur drita e tyre përthyhet në syrin tonë. Këtë e kemi vërtetuar me instrumentet e shkencës moderne. Për atë yll ose planet ne e shohim historinë e jo të tashmen e tij.

Në veprimet tona ditore ne mbështetemi në realitetin ashtu siç e perceptojmë. Kohërat e namazit, agjërimit dhe haxhit nuk mbështeten në të vërtetat astronomike, por mbështeten në perceptimin njerëzor.

Disa të rinj me treguan për një konferencë në Britani në të cilën një shkencëtar pretendonte të argumenton kundërshtimin e Islamit me shkencën moderne, me faktin se myslimanët besojnë që dielli është ai që lëviz në kohë që toka është e palëvizshme. Këtë ai e argumentonte me librat e fikhut ku thuhet se koha e sabahut për shembull është pas agimit dhe para se të “lind” dielli, koha e drekës është kur dielli “lëviz” prej zenitit dhe kështu me radhë. Thoshte: Po të besonin njerëzit në të vërtetat shkencore (për lëvizjen e planetëve rreth diellit) nuk do të përdornin termin lindi dielli ose perëndoi dielli? Atë që ai mundohet ta mohon (përdorimin e këtyre termeve) tek shkencëtarët e astronomisë quhet lëvizje e dukshme e diellit, dhe ne si të tillë i përdorim këto terme në jetën tonë të përditshme.

Ç. Paaftësia jonë për t’i parë gjërat ashtu siç janë, ndoshta është një formë e manifestimit të mëshirës së Allahut, subhanehu ve te’ala, ndaj neve.

“Dhe (përkujto) kur Allahu t’i dëftoi ty ata në ëndërr, të paktë në numër, e sikur t’i dëftonte shumë, ju do të dobësoheshit e do të grindeshit për çështjen (e luftës), por Allahu ju shpëtoi. Allahu vërtet e di shumë mirë se ç’mbajnë kraharorët (zemrat). Kujtoni kur u takuat (në sheshin e luftës), e Ai bëri që ata në sytë tuaj të duken pak, e po ashtu edhe ju të dukeni në sytë e tyre pak; e bëri këtë për ta zbatuar Allahu një çështje që ishte e vendosur. Vetëm te Allahu është përfundimi i çështjeve.” (El Enfal, 43-44)

“Ju (çifutë) patët një përvojë të madhe në ato dy grupe që u konfrontuat ndërmjet vete. Njëri grup luftonte në rrugën e Allahut, e tjetri ishte jobesimtar, dhe me shikimin e syve të tyre i shihnin se ishin dy herë më shumë se besimtarët. Po, Allahu me ndihmën e vet përforcon atë që do.” (Ali Imran, 13)

D. Disa mosbesimin e tyre, e argumentojnë me mohimin e gjërave që nuk i shohin: “Dëftona Zotin sheshas” (ta shohim me sy)” (En Nisa 153)

Disa të tjerë pretendojnë se një qasje e tillë është e patjetërsueshme në metodologjinë shkencore. Gënjyen. Po të ishte ashtu, ata do të duhej t’i mohojnë ndodhitë historike (që nuk i kanë parë), do të detyroheshin të mohojnë gjërat që ekzistojnë në vende të ndryshme, e që janë të pakapshme për shqisat tona. Do të bëheshin si filozofët që thoshin: I besojmë gjërat derisa i shohim sepse nuk e dimë a mbeten në ekzistencë pasi që t’i mbyllim sytë ose lakojmë shikimin? Disa të tjerë janë të mendimit se shqisat janë të afta për të kapur gjërat që kanë natyrë materiale dhe me këtë qëndrim ata argumentuan pamundësinë për të parë Allahun, subhanehu ve te’ala, sepse asgjë nuk është si Ai, dhe sytë e njeriut nuk munden të shohin përpos atë që është e krijuar. Me këtë qëndrim ata bëjnë disa gabime:

I pari: Mundësia që sendet e krijuara të shihen nuk është argument se nuk ka gjëra të krijuara që nuk shihen. Të thuash: Krijesat e këtij lloji shihen, është përkufizim më përcaktues se sa të thuash: Krijesa të vetme janë ato që shihen.

I dyti: Të gjithë dimë për ekzistimin e sendeve që nuk mund të perceptohen me shqisat pa mjete ndihmëse. Me teleskop shihen sende në largësi të madhe që ne nuk mund t`i shohim vetëm me syrin tonë. Në ndihmë për t’i parë sendet e imëta na del mikroskopi. Po të gjykonim me logjikën e tyre ato nuk do të mundej të shihen sepse, sende që shihen sipas tyre janë vetëm sendet që i sheh syri pa ndihmë.

I treti: Po! Ne nuk e shohim Allahun në këtë dynja. Për këtë shkak kur Musa, alejhi selam, bëri lutje: “Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të shikoj!” (El A’raf, 143) Allahu iu përgjigj me këtë fjalë: “Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua” (El A’raf, 143).

Nga ana tjetër, në Ahiret, besimtarët do ta shohin Allahun: “Atë ditë do të ketëa fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë.” (El Kijame 22-23)

Nga këto dy ajete ne kuptojmë se shkaku i pamundësisë për të parë Allahun në këtë botë është natyra e syrit njerëzor, jo natyra e qenies hyjnore e cila nuk ndryshohet në kohë që gjendja e shqisave tona ndryshohet. Pamundësia për të parë sendet e largëta dhe të imëta, nuk është pasojë e natyrës së tyre por e natyrës së shqisave. Ashtu siç përforcohen mundësitë e shqisave tona në këtë botë me mjete të ndryshme dhe ato i shohin sendet që normalisht nuk kanë mundësi t’i shohin, ndryshim i ngjashëm do të ndodh edhe në botën tjetër në të cilën natyra e njeriut do të dallon nga natyra e kësaj bote dhe me ndryshimin e natyrës do të ndryshojnë edhe shqisat.

Ky kriter ndoshta është më i përhapuri në përdorimin ditor për vlerësimin e personave dhe veprave të tyre. Shpeshherë dëgjojmë kualifikime të llojit: Ky është politikan gënjeshtar, njeri i fesë me shumë fytyra ose vlerësimet si: Gruaja e ndershme dhe punëtori besnik në punën që kryen. Dhe kështu me radhë…

Ky kriter i aplikuar nga të mençurit e popullit nuk ka nevojë të argumentohet. Si i tillë, ai është pjesë e pandarë e logjikës njerëzore.

Çështja që kërkon shpjegim është debati dhe dyshimet që u nxitën nga disa mendimtarë perëndimorë rreth vlerave etike dhe lidhshmërisë së tyre, me urdhrat dhe ndalesat hyjnore.

Disa fetarë në mesin e të cilëve ka edhe myslimanë, pretendojnë se normat etike si sinqeriteti, besnikëria, devocioni janë bërë të njohur me paraqitjen e feve dhe kanë qenë të pakuptimta përpara fesë.

Disa tjerë janë të mendimit se vetëm besimi është nxitësi i njeriut për përkushtim ndaj këtyre vlerave, e thënë ndryshe, ai që nuk ka besim nuk ka as sjellje morale.

Kundërshtarët e tyre argumentuan se: Me anë të perceptimit dhe përvojës kemi mësuar për ekzistencën (praninë) e njerëzve të sinqertë dhe besnik, që nuk kanë lidhje me ndonjë fe. Disa filozofë, fetarët që u përmbahen vlerave etike, si sinqeriteti dhe besnikëria, i quajnë tregtarë që kërkojnë çmimin e mallit të tyre. Këta njerëz, shtojnë ata, nuk kanë lidhje as me normat etike dhe as dëlirësinë shpirtërore. Më i dëlirë është njeriu i cili e bën këtë jo me shpresën për shpërblim dhe as nga frika prej dënimit. Ai vepron kështu, pikërisht për të arritur te ndjenjat e mira pas veprës së mirë.

Cili prej këtyre qëndrimeve është i sakti?

Së pari: Nuk ka dyshim se njerëzit i kanë njohur vlerat etike, si sinqeritetit, besnikëria, çiltërsia, drejtësia dhe devocioni, para se t’i njohin fetë. Njohja e këtyre vlerave ka qenë parakusht për njohjen e fesë.

Nëse supozojmë se njerëzit nuk kanë ditur të bëjnë dallim mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes faktit se e vërteta është e mirë në kohë që gënjeshtra është e keqe, atëherë si do të bënin dallimin mes pejgamberit të vërtetë dhe atij që pretendon se është pejgamber? Si do të bënin dallimin mes fjalëve të Allahut dhe shpifjeve të trilluesve? Falënderimi është thelbi i adhurimit dhe gjithë format e adhurimeve, namazi, agjërimi, haxhi etj., janë vetëm mënyra të ndryshme për ta shprehur falënderimin ndaj Allahut. Ai që nuk e ka njohur falënderimin si cilësi e mirë, si do të mund t’i përgjigjet thirrësve të Allahut, të cilët i ftojnë njerëzit pikërisht në adhurim të Allahut?

“O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë).” (El Bekare, 21-22)

Thirrja që njerëzit ta adhurojnë Allahun në këto ajete, është thirrje për të shprehur falënderimin për begatitë që Allahu ia ka dhuruar njeriut. Të njëjtin qëllim e ka edhe thirrja që Allahu ua drejton njerëzve në ajetet e para që i ka shpallur. Në këtë mënyrë ata do të shprehin mirënjohjen e tyre ndaj Allahut, i Cili i ka krijuar dhe i ka begatuar me dije. Ai njeri i cili nuk i përgjigjet kësaj thirrjeje dhe nuk e falënderon Zotin e botëve, vetëm mashtron veten, sepse syresh mendon se është i pavarur prej Allahut, subhanehu ve te’ala.

Allahu, xhel-le she’nuhu thotë:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, për shkak se e ndien veten të pavarur.” (El Alak, 1-7)

Së dyti: Nëse teksti i shpalljes hyjnore ndërtohet mbi faktin se njerëzit e njohin mirësinë, sinqeritetin, besnikërinë, drejtësinë dhe devocionin etj., atëherë do të ishte gabim që bamirësia nga njëra anë, të definohet si gjë të cilën e ka urdhëruar Allahu dhe e liga nga ana tjetër, si gjë të cilën e ka ndaluar Allahu. Ka dallim mes fjalisë: Allahu urdhëron drejtësinë, dhe fjalisë: Drejtësia është ajo të cilën e urdhëron Allahu. Në fjalinë e parë nënkuptohet se e mira ka qenë e mirë (dhe e liga ka qenë e ligë) para se të njëjtat t’i urdhërojë Allahu (ose t’i ndalojë në rastin e veprave të liga). Ndërsa nga forma e dytë e fjalisë –nëse të njëjtën e marrim si definicion për të mirën dhe të ligën- nënkuptohet se ajo të cilën e ka urdhëruar Allahu nuk ka qenë e mirë para se të vinte urdhri i Allahut dhe e liga nuk ka qenë e ligë para se të vinte ndalimi prej saj i Allahut. Ky pohim tjetërson dhe nxit kuptime të shëmtuara, siç pohon Shejhul Islam Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, i cili arrin në përfundim se fjalët e tilla i zbrazin ajetet nga kuptimet dhe i shndërrojnë ato në pohime të së pohuarës (تحصيل حاصل). Si shembull ai e përmend ajetin:

“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”.

Nëse themi: Drejtësia është ajo të cilën e urdhëron Allahu, ajeti do ta ketë kuptimin si në vijim: Allahu urdhëron atë që e ka urdhëruar. Nëse përdorim formën e dytë (Allahu urdhëron drejtësi) kuptimi i ajetit do të jetë: Allahu urdhëron drejtësinë dhe atë të cilën njerëzit e njohin si drejtësi dhe mirësi. Ky element shihet qartë në ajetin:

“Kur punojnë ata (idhujtarët) diçka të shëmtuar, thonë: “Ne i gjetëm që kështu prindërit tanë, edhe Allahu na urdhëroi këtë (vizitën rreth Qabes lakuriq). Thuaju: “Allahu nuk urdhëron të shëmtuarën, a thoni për Allahun çka nuk dini? Thuaj: “Allahu ma urdhëroi mua drejtësinë dhe në tërësi kthejuni Atij në çdo namaz (lutje) dhe adhurojeni Atë duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për të. Ashtu sikur që ju filloi (krijoi) së pari, do të ktheheni te Ai.” (El A’raf, 28-29)

I Lartësuari hedh poshtë mundësinë, që Ai të jetë urdhërues i së shëmtuarës duke pohuar se Ai urdhëron drejtësinë. Nëse të shëmtuarën e definon si ajo të cilën e ka ndaluar Allahu dhe drejtësinë si ajo të cilën e ka urdhëruar Allahu, do të del kuptimi që vijon: Allahu nuk urdhëron atë që e ka ndaluar por, urdhëron atë që e ka urdhëruar (lejuar).

Së treti: Pse myslimani obligohet me virtyte të larta? Përgjigja është: Për tre shkaqe:

1. Sepse, si të gjithë robërit e devotshëm të Allahut që i përmbahen dhe janë të përqendruar në natyrën e tyre të pastër: edhe muslimani është i sinqertë, zbaton premtimin, për arsye se i do këto cilësi dhe i urren të kundërtat e tyre. Zbatimin e këtyre virtyteve, ai e konsideron stolisje të vetvetes dhe largimin prej tyre, e konsideron njollosje.

2. Besimi në Allahun dhe dashuria ndaj veprave që i do Allahu, vetëm e përforcon këtë ndjenje të natyrshme.

2. Me këto vepra ai shpreson shpërblimin e Allahut, në veçanti kur atë vepër e përcjell sakrifica. Në gjitha aspektet e jetës ai vepron sipas kritereve të mençurisë.

Zbatimi i këtyre normave etike, disa njerëz i konsiderojnë si vepra në kundërshtim me kriteret e mençurisë, sepse sipas tyre vepra e cila nuk sjell asnjë dobi, është e pakuptimtë. Me çfarë cilësie, vlerat etike i përjashtojmë nga rregulli i përgjithshëm “veprimi sipas dobisë dhe dëmit”?

Edhe ata që nuk besojnë në Allahun dhe Ditën e gjykimit, nuk u përmbahen normave etike që nuk u sigurojnë ndonjë lloj dobie në jetën e kësaj bote. Disa prej tyre këtë sjellje e praktikojnë për shkak të ndikimit të mirë në jetën e tyre shpirtërore, ose për shkak të famës dhe lëvdatave që u destinohen atyre. Edhe bujarët e njohur si Hatim Et Ta’i niseshin nga ky aspekt.

Pse ky shpërblim simbolik i kësaj bote të jetë më i mirë se shpërblimi i pritur prej Allahut në botën e pastajme?

Kur në kohën e rinisë mendoja rreth fjalëve të këtyre filozofëve vëmendjen ma tërhoqi ky ajet i Kur’anit famëmadh:

“Allahu tha: Kjo është dita që të drejtëve (të sinqertëve) u bën dobi drejtësia (sinqeriteti) e tyre. Ata kanë xhenete në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në ta. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh.” (Maide, 119)

Thashë: Pasi që sinqeriteti, që është në krye të cilësive të larta morale, njeriut i siguron dobi të veçantë, atëherë dobia e pritur për sjelljen e mirë të ndonjë individi, nuk ndeshet me praktikimin e saj.

Ajet që ngjalli interesimin tim është edhe ajeti në të cilin gjeta përgjigjen për dilemën e tyre:

“A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos të mirës.” (Rahman, 60)

që me fjalë tjera mundet të parafrazohet kështu: Atë që ju e konsideronit të paparamendueshme për sjelljen e mirë (dobi e pritur për atë sjellje) është prej elementeve thelbësore të saj.

Disa filozofë që iniciuan këtë debat, vetë kanë përmendur dilemën që e hedh poshtë pohimin e tyre. Kanti, filozofi gjerman që u bë i njohur me teorinë e tij “Imperativi kategorik” sipas të cilës njeriu duhet t’u përmbahet vlerave etike, jo për ndonjë shkak shpirtëror apo faktor të jashtëm, por për të zbatuar detyrën e tij ndaj ligjit të cilin e quan “Ligji moral”.

Vetë Kanti në një vend tjetër me pohimin e tij hedh poshtë këtë teori:

Gjatë analizës rreth argumenteve për ekzistimin e Zotit ai thotë se, një prej argumenteve më të mirë është ligji moral, që si imperativ e shpall drejtësinë. Thënë ndryshe: Lumturia e njeriut varet nga përkushtimi i tij ndaj cilësive të mira dhe këtë gjë, nuk mundet ta sigurojë askush tjetër përpos Krijuesit. Kjo lumturi e cila nëse, nuk do të realizohet në këtë botë, padyshim që do të realizohet në botën pas vdekjes, e cila detyrimisht duhet të ekzistojë.

Lexuesi mysliman argumentin “moral” e gjen në shumë ajete të Librit të shenjtë: “A mos menduan ata që bëjnë vepra të këqija (krime) se do të na shpëtojnë (t’i ikin dënimeve)? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre!” (El Ankebut, 4)

“Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të begatshme. A do t’i bëjmë kriminelët të barabartë me myslimanët? Ç’është me ju, si gjykoni ashtu?” (El Kalem, 34 – 36)

Autori: Dr. Xhafer Shejh Idris

Artikulli paraprakUnë kisha qenë i verbër, e jo ai…‏
Artikulli vijuesVendi i Sunetit në Islam dhe sqarimi se nuk mund të mjaftohemi me Kuranin pa Sunetin