Kryetari hallall

0
217

I thjeshtë, i afërt dhe i ndjeshëm. Ky është Rufki Suma, i cili para pak ditësh pa bërë fushatë fare, mori besimin e elektoratit për drejtimin e komunës së Hani Elezit edhe për një mandat. Ai edhe më tutje vazhdon ta mbajë primatin e kursimtarit më të madh të arkës së shtetit. Madje jo rrallë herë pronarë të restoranteve në komunën e Hanit të Elezit janë ankuar, edhe publikisht, pasi që ai nuk po i viziton fare.

Suma edhe më tutje vazhdon ta zhvillojë jetën sikurse më parë, sikur atëherë kur ishte nën uniformën e Forcave Mbrojtëse të Kosovës.

E derisa atëherë uniforma e ka bërë të njëjtë më koleget e tjerë, tash veshja, por edhe veprimet e bëjnë thuajse të padallueshëm nga elektorati që i ka dhënë votën për ta drejtuar komunën edhe një mandat. Vetë Suma thotë se nuk e do jetën e luksit, por e bën atë sikur e bëjnë të gjitha banorët e komunës që ai drejton.

Në mëngjes ai zakonisht han byrek, në njërin nga lokalet që ndodhet përreth komunës, e në drek vazhdon me ndonjë gjellë, po ashtu pak metra larg objektit të komunës që ai drejton. “Asnjëherë nuk do ta prek buxhetin e komunës për ta ushqyer veten. Unë nuk do t’i prek edhe mjetet që më takojnë mua. Unë edhe më herët, pa u bërë kryetar komune kam ngrënë bukë me para të mia. Por, edhe tash ha me para të mia. Unë për këtë punoj dhe marrë pagë”, ka thënë Suma.

Kur jam i lirë bukë ha në shtëpi

Ai më tutje ka thënë se paratë që atij i takojnë për dreka e darka i shpenzon për qëllime tjera që iu hyjnë në ndihmë qytetarëve të varfër të komunës së tij. Kryetari thotë se në komunën e tij nuk ka mjete për të tepruar dhe abuzuar me to. Suma thotë se komuna që drejton ai për një vit i ka shpenzuar 15 mijë euro në kategorinë buxhetore për dreka e darka zyrtare. Por, sipas tij, në këtë shumë llogaritën të gjitha shpenzimet që behën siç janë dita e çlirimit dhe dita e dëshmorëve të Hanit të Elezit, ku ftohen mbi 400 persona.

Suma ka treguar se kur se eventualisht është i lirë dhe kur në shtëpinë e tij gatuajnë ndonjë gjë, ai shkon në shtëpi për të ngrënë drekë, mirëpo sipas tij kjo ndodh shumë rrallë. Kryetari Suma më tej ka treguar se shumë shpesh drekon nëpër byrektoret e vendit. Mirëpo, edhe kur del për vizitë nëpër komuna tjera, ai prapë byrektoret i zgjedh si vendin më të mirë për të ngrënë mëngjesin, apo edhe drekën. “Kur jam në Prishtinë me punë, shumë shpesh më ndodh që të shkoj te byrektorja ‘Bosna’. Aty drekoj pasi që kjo nuk është problem për mua se ku ha. Me rëndësi unë me hëngër diçka që unë e dua”, ka thënë ai.

Nuk e shfrytëzoj pauzën e drekës

Po ashtu, ai ka treguar se shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë nuk e shfrytëzon kohën e drekës, ashtu sikurse shfrytëzohet nga të gjithë. Më tej, kryetari Suma ka treguar se për çdo vit, i viziton veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve në Shqipëri si kryetar i Komunës, por edhe atëherë ai çdo shpenzim që bën e mbulon me mjete të veta financiare. Po ashtu, ai ka treguar se makina zyrtare e komunës, nuk është ndërruar që nga ardhja e tij në pushtet.

Meqenëse sipas tij ka pasur riparime mirëpo, makina zyrtare e komunës nuk është ndërruar me vite të tëra. ”Nuk besoj që ka ndonjë kryetar që është më i afërt me popullin e vendit të tij. Nuk dëshiroj që të dallohem në opinion dhe nuk dua që të tjerët ti’ bëj që të mendojnë se po takona me kryetarin. Mirëpo, aq shumë mundohem që tua lehtësoj atyre që ata të mos hezitojnë të më takojnë mua për asgjë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka treguar se kostumet duhej t’i mbajë vetëm e vetëm sa për të respektuar kodin e veshjes, sepse në të kundërtën, ai ka treguar se asnjëherë nuk do të ishte veshur me kostume. Ndërkaq, sa i përket zbukurimit të qytetit në fund të vitit, ashtu sikurse ndodh me çdo qytet në botë, ai ka bënë të ditur se komuna e Hanit të Elezit për këtë qëllim nuk shpenzon as edhe një cent./zeri