Kryetari i Deçanit, i vendosur të mos ia kthejë pronën Manastirit

Ka tre vjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ditë më parë, Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se vendimet e Kushtetueses janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen. Përmes një njoftimi, Apostolova ka kërkuar nga institucionet e të gjitha niveleve që ta zbatojnë vendimin e Kushtetueses dhe të mbështesin sundimin e ligjit.

“BE-ja shpreh shqetësim të thellë për mungesën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 19 majit 2016 mbi çështjen e mosmarrëveshjes së tokës në Deçan dhe të tjerave që ndikojnë në pronat e anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë”.

“Vendimet nga autoriteti më i lartë ligjor i Kosovës, janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen pa vonesa të mëtejshme. BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet që të mbështesin fuqishëm sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka shkruar Apostolova.

Mirëpo, Komuna e udhëhequr nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e ka ndërmend ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj, tha se nuk do ta zbatojë këtë vendim edhe nëse kjo do t’i kushtojë me postin e kryetarit. Ramosaj theksoi se vendimi i Kushtetueses është një goditje për zhvillimin ekonomik të komunës së Deçanit, dhe se ai vendim, sipas tij, po e vretshpresën e qytetarëve të kësaj komune, duke i penguar të shfrytëzojnë resurset dhe potencialet që ka Deçani.

“Unë jam jurist me profesion edhe i di pasojat e mos-zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që dikush mund ta ketë të drejtën që është e rregulluar edhe me ligj edhe me Kushtetutë, për të shkarkuar një kryetar komune prej postit, por pak e rëndësishme është kjo, dhe po ashtu mund të dërgohet një kryetar komune deri në penalitet, deri në burg, por edhe kjo është shumë e parëndësishme karshi efektit që mund të bëhet kur Manastiri i Deçanit, i merr 24 hektarë që janë potenciali kryesor zhvillimor”, deklaroi Ramosaj.

Për këtë këmbëngulje, Ramosaj tha se e ka edhe mbështetjen e shefit të partisë së tij, AAK-së, pra kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai shtoi se mbyllja e këtij kontesti mund të bëhet nëse Gjykata Kushtetuese e kthen në rishqyrtim rastin ose nëse Komuna e Deçanit dhe Manastiri i Deçanit, e zgjidhin këtë kontest me mirëkuptim.

“Kam edhe mbështetjen e kryeministrit Haradinaj, sepse kjo duhet të bëhet me një lloj kompromisi, e jo të dëmtohen qytetarët e Komunës së Deçanit, dhe as Komuna e Deçanit, mirëpo që edhe Manastiri do të ishte ndier mirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë këto zgjidhje, jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë, jemi të gatshëm çdo kërkesë të tyre ta shqyrtojmë me kujdes”, theksoi Ramosaj.

Mirëpo, në zyrën e kryeministrit Haradinaj, nuk kanë komentuar fare për këtë çështje.

Për rastin e Manastirit të Deçanit, kishte folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Kisha ka pronësi mbi disa parcela të tokës dhe vendimet e gjykatave, kishte potencuar ai, “nuk u nënshtrohen interpretimeve apo edhe më pak negociatave politike”.

Igumeni i Deçanit, Sava Janjiq, tha për Radion Evropa e Lirë se është për keqardhje që edhe pas tre vjetësh, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohet.

“Ne besojmë se secila shoqëri duhet të respektojë sundimin e ligjit. Për këtë arsye u jemi drejtuar autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Thjesht, e kemi kaluar gjithë procedurën, ku është folur për të gjitha aspektet e kësaj çështjeje dhe të gjithë i kanë sjellë argumentet e tyre. Gjykata ka vendosur që ajo është tokë e Manastirit dhe gjithmonë ka qenë e Manastirit. Andaj, ne nuk kemi të drejtë e as synim të negociojmë atë që gjykata tashmë e ka vendosur”, tha Janjiq.

Sipas tij, nuk janë qytetarët e Deçanit që e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, porse bëhet fjalë për interesa private të disa familjeve.

“E vetmja gjë, për të cilën mund të flasim është zbatimi i vendimit. Nuk jemi të gatshëm të luajmë me ligjin. Jemi gati të presim që vendimi i gjykatës të zbatohet. I takon Kosovës të tregojë nëse si shoqëri është e pjekur për zbatimin e ligjit”, tha Janjiq.

Vite më parë, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm ,me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi.

 

Artikulli paraprakTë rinjtë në Kosovë, Të mbikualifikuar për punën që bëjnë
Artikulli vijuesVideoja ku mashtruesit Kadri Rexhepi e Rrahim Hashimi e përfshijnë Xhavit Halitin në fajde (Video)