Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë vendosur të bëjnë disa ndryshime në qeveri.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është emëruar zëvendëskryeministër i parë, duke e pasuar në këtë post ish-liderin e PDK-së, aktualisht presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Kurse, Enver Hoxhaj është emëruar në postin e ministrit të Jashtëm, po ashtu duke e plotësuar vendin në qeveri që ka drejtuar Hashim Thaçi para se të zgjidhej president.
Ndryshimet e fundit në qeveri janë prezantuar nga kryeministri Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, dhe Kadri Veseli, lider i PDK-së, gjatë një konference të përbashkët për media.
Gjatë konferencës së përbashkët u tha po ashtu se zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do të jetë edhe me tutje i angazhuar në postin e ministrit të Drejtësisë, por me mundësinë që të zëvendësohet në të ardhmen e afërt.
Dy liderët e partive partnere thanë po ashtu se janë marrë vesh për ndërmarrjen e reformave në fushën e ekonomisë, hapjen e vendeve te reja të punës dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Po ashtu, reformat u tha se do të shtrihen në fushën e legjislacionit.
Kurse, për sigurinë më të madhe të investitorëve të huaj u përmend edhe çështja e eksterritorialitetit në zonat ekonomike për investimet e huaja.
Ndër tjera u tha se më 2017 do të zbatohet Ligji për sigurimet shëndetësore si dhe do të aprovohet Ligji për Trepçën.