Ish-të burgosur në Bosnje dhe Hercegovinë, rreth 50 sish, si dhe përfaqësuese të shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës” kanë shkuar në Hagë, ku të mërkurën do të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit për Ratko Mlladiqin, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës.
Mlladiq përballet me 11 akuza, përfshirë ato për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje.
Kryetari i Lidhjes së të Burgosurve, Jasmin Meshkoviq, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se shpreson se Tribunali i Hagës ka gjetur dëshmi për përgjegjësinë direkte të Mlladiqit në planifikimin dhe ekzekutimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe për krime të tjera të luftës.
Në korrik të vitit 1995, trupat e Mlladiqit kanë hyrë në qytetin e Srebrenicës, i cili ishte shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara, dhe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.
“Presim dhe duam që Ratko Mlladiq të jetë në gjendje të dëgjojë shpalljen e plotë të aktgjykimit dhe provat mbi të gjitha akuzat. Ato janë përgjegjësia për gjenocidin në Srebrenicë dhe përgjegjësia për gjenocid në gjashtë komuna të tjera të Bosnjës, pastaj terrorizimi i qytetarëve të Sarajevës, mbajtja peng e forcave ndërkombëtare dhe krime të tjera kundër njerëzimit”, tha Meshkoviq.
“Presim të gjykohet për të gjitha akuzat dhe të marrë dënimin më të rëndë të mundshëm”, shtoi ai.
Në Hagë kanë udhëtuar edhe vëllezërit Sabahudin dhe Hajrudin Shehiq, të cilët kanë qëndruar në kampin Vogoshqa për 150 ditë. Sabahudini tha se nuk do t’i harrojë kurrë “ditët e torturës”.
“Dua të marr pjesë në shpalljen e aktgjykimit më të rëndë për Ratko Mlladiqin”, tha ai.
Kryetarja e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës”, Munira Subashiq, tha se pret burgim të përjetshëm për Mlladiqin.
“Një aktgjykim i tillë për Mlladiqin është shumë i rëndësishëm, sepse ai është më përgjegjësi për gjenocidin në Srebrenicë. Të gjithë tanët do të ishin të gjallë po të mos vinte ai dhe po të mos dëshironte spastrim etnik. Burgim i përjetshëm – ky do të duhej të ishte vendimi për Mlladiqin, për gjenocidin e bërë jo vetëm në Srebrenicë, por edhe në Prijedor dhe komuna të tjera. Mjafton të thuhet se kudo ku ka shkelur çizmja e tij, është bërë gjenocid”, tha Subashiq.
Gjatë luftës në Bosnje, që ka zgjatur nga viti 1992 deri më 1995, janë vrarë mbi 100,000 njerëz. Prokurorët në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi thonë se Mlladiq ka mbikëqyrur fushatën e vazhdueshme të spastrimit etnik kundër joserbëve në territorin e Bosnjës.
Mlladiq akuzohet edhe për organizimin e rrethimit të Sarajevës, i cili ka zgjatur gati katër vjet. Rreth 10,000 njerëz janë vrarë në bombardime dhe nga snajperistët.
Mlladiq është arrestuar në vitin 2011 në fshatin Llazarevo të Serbisë, pas 16 vjetësh në arrati.
Në argumentet përfundimtare, prokurorët i kanë kërkuar gjykatës ta dënojë Mlladiqin me burgim të përjetshëm. Çdo gjë më pak do të ishte e turpshme, kanë thënë ata.