Rënia e flokëve është një problem shqetësues si për femrat ashtu edhe për meshkujt, pasi thonë se ato janë gjysma e bukurisë. Flokët kanë ciklin e tyre, bien flokë të vjetër e dalin të rinj. Në gjendje normale, aq flokë sa bien, aq dhe dalin, me një numër prej afro 80 fijesh në ditë, prandaj nuk duhet të shqetësoheni. Por, nëse vini re rënie të theksuar të flokëve, ku ka dhe rënie të lokalizuar në formë vatrash atëherë duhet të shqetësoheni.
Flokët u bien më shumë meshkujve se sa femrave. Po ashtu të gjithë ata që merren me punë mendore kanë më shumë prirje për rënie flokësh. Faktori gjenetik është një tjetër shkak. Nëse prindërit kanë probleme me rënien e flokut, ka mundësi që ky fenomen të pasohet edhe tek njëri prej fëmijët. Specialistët e shëndetit thonë se rënia e flokut lidhet me mosfunksionimin e hormoneve mashkullore të njohura si androgjene ose atyre femërore estrogjene, gjendja psikologjike, transhëgimia, diabeti, tiroidet dhe marrja e disa medikamenteve.
Rënia e flokëve ndahet në dy lloje: alopecia areata dhe mospasja flokë që në moshë të re. Alopecia areata është rënia e flokut e lokalizuar në formë vatrash rrumbullake apo ovale. Kjo rënie ndodh në mënyrë të papritur. Alopecia areata, përveç një patologji autoimune lidhet ngusht me faktorët psikologjikë dhe shpirtërore. Shumë prej atyre që vuajnë nga kjo patologji kanë tension shpirtëror, shqetësohen lehtë, vuajnë nga frika dhe stresi i madh. Tensioni i lartë mendor dhe shpirtëror ndikon tek funksionet e rregullimit të sistemit nervor, duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë rrënjën (folikulin) e flokut.
Dalja e lëkurës së kokës në moshë të re do të thotë rënie e përhershme e flokut. Ky fenomen zhvillohet gradualisht. Në fillim, bien më shumë flokë dhe dalin më pak. Në zonën e përparme dhe në mes të kokës, rënia është më e dukshme. Trashëgimia është një ndër arsyet kryesore për këtë fenomen. Vitet e fundit, mjekët kanë zbuluar se personat me sekretim të tepërt të androgjenit kanë rënie flokësh në moshë të re.
Rënia e flokut është një fenomen që shqetëson sidomos rininë, por shqetësimi dhe presioni shpirtëror përkeqësojnë më tepër rënien. Në fillim duhet të konsultoheni me dermatologun për të gjetur shkakun e vërtetë të rënies së flokut. Nëse rënia ju ka ardhur si pasojë e stresit apo tensionit psikologjik duhet menjëherë të ndërmerrni masa për ta lehtësuar këtë situatë. Mos anashkaloni asnjëherë gjumin dhe mos punoni më shumë se sa duhet. Në të njëjtën kohë, shtoni konsumin e ushqimeve të pasura me vitamina dhe acide yndyrore omega-3.
Në jetën e përditshme, mund të merrni disa hapa për të parandaluar rënien e flokut:
1. Evitoni përdorimin e krehërit plastik apo prej najloni, të cilat mund të shkaktojnë elektrizimin e flokut dhe të ndikojn negativisht në lëkurën e kokës. Ju sugjerojmë që të përdorni krehër prej druri ose prej briri kafshësh. Këto materiale nxitin qarkullimin e gjakut në lëkurën e kokës.
2. Larja e flokëve rregullisht. Nëse keni problem me flokët mos i lani tepër shpesh. Gjatë larjes fërkoni skalpin dhe bëni masazhe të lehta në lëkurën e kokës për të nxitur qarkullimin e gjakut dhe aktivizuar qelizat.
3. Kujdesni nga shampot me shumë kimikate, pasi ato dëmtojnë lëkurën e kokës. Ju sugjerojmë përdorimin e shampos me materiale natyrore dhe biologjike, të cilat nuk sjellin ndikime negative.
4. Relaksohuni!! Presioni psikologjik dhe vuajtjet shpirtërore ndikojnë shumë tek rënia e flokëve. Paqëndrueshmëria shpirtërore dhe jeta me meraqe të mëdha sjell dobësimin e imunitetit, dëmtim të organeve të brendshme, qarkullim jo të mirë të gjakut etj. Të gjitha këto arsye ndikojnë drejtpërdrejt në rënien e flokëve. Merruni me ushtrime, meditim, shkoni në palestër merruni me vrap apo bëni shëtitje në park.
5. Përdorimi i tharëses në mënyrën e gabuar. Ajri i nxehtë i tharëses me një temperaturë 100 gradë dëmton përbërjen e flokut dhe folikulin. Prandaj, kur përdorni tharëse flokësh, duhet të përmbani një distancë prej të paktën 20 centimetrash larg nga flokët. Hiqni dorë nga përdorimi i mashave të nxehta apo piastrave nëse keni rënie të theksuar flokësh.
6. Parandaloni kapsllëkun
Kapsllëku mund të sjellë depozitimin e mbetjeve të tepërta në trup dhe gjak, gjë që ndikon në shëndetin e flokëve. Hemorroidet e shkaktuar nga kapsllëku mund të shpejtojnë rënien e flokëve. Prandaj, konsumi i perimeve të mjaftueshme dhe kumbullave është një mënyrë e mirë për parandalimin e kapsllëkut, për shkak të fibrave të pasura tek perimet dhe frutat.
7. Mos mbani kapele për një kohë të gjatë. Për shkak se flokët nuk durojnë nxehtësinë e tepërt dhe mos ajrosjen, duhet të evitoni mbajtjen e kapeles në ambjente të mbyllura ose në mjedis të ngrohtë.