Turqia dërgon një delegacion në Gaza lidhur me krizën energjetike

Zyrtarët e Turqisë nga sektori i energjisë u takuan në Gaza me homologët e tyre palestinezë, në mënyrë që të gjenjnë zgjidhje për problemin një dekadësh të energjisë elektrike, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kemi marrë të gjitha informacionet e nevojshme që ti japim fund krizës palestineze me energjinë, ku do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm që të çrrënjosim problemet e kësaj natyre në Rripin e Gazës”, tha Safa Ozturk, zyrtar i lartë turk në ministrinë turke të Energjisë.

Nënpresidenti i Autoritetit Palestinez për Resurse Natyrore dhe të Energjisë, Sheikh Halil, tha se palët kanë diskutuar zgjidhjen urgjente për krizën që ka përfshirë Rripin e Gazës.

“Zgjerimi i kapaciteteve për energji solare në rajon ose të furnizimeve me gaz natyror nga Izraeli për centralet ekzistuese të energjisë përmes tubacioneve bëjnë pjesë në mesin e zgjidhjeve të mundshme të cilat janë diskutuar nga të dyja palët”, shtoi më tej ai.

Gjatë vizitës në Gaza, delegacioni turk pritet të përpilojë një raport për gjetjet dhe zgjidhjet e mundshme për resurset e energjisë dhe gazit natyror.

Raporti do të përfshijë një vlerësim të nevojave energjetike, fakte rreth prodhimit lokal, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë, si dhe rekomandimet për trajtimin e problemeve kronike që rëndojnë infrastrukturën e goditur nga lufta.

Raporti në fjalë do ti dorëzohet edhe Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan si dhe kabinetit qeveritar, ku më pas do të përgatitet një udhëzues lidhur me implementimin e rekomandimeve.

Një numër i kompanive turke kanë shprehur interesin për të ofruar ndihmë në Gaza për sa i përket prodhimit dhe distribuimit.

Përpjekjet e fundit humanitare turke në Gaza vijnë në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar muajin e kaluar mes të Turqisë dhe Izraelit, në të cilën palët ranë dakord për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerjeje gjashtë vjeçare.

Që nga viti 2007, Rripi i Gazës vuan nga një bllokadë e përbashkët izraelito-egjiptiane që ka privuar afërsisht 1.9 milion banorë nga nevojat e tyre më themelore, veçanërisht të ushqimit, karburantit, mjekësisë dhe të furnizimeve me materiale ndërtimore.

Artikulli paraprakGjatë muajit qershor shënohet rritje e ofertës për naftë bruto
Artikulli vijuesTërmet në Shkup