Kumanova s'do të preket nga Prokurorja speciale

Kumanovës dhe gjykimi i kosovarëve që u arrestuan pas ngjarjes së rëndë të fillimit të majit do të mbeten në duart e Prokurorisë Publike. Konfirmimi i kësaj informate vjen nga vetë zyrtarët e Prokurorisë, të cilët kanë përgënjeshtruar të dhënat, sipas të cilave, rasti i Kumanovës do t’i jepet për hetim dhe procedim të mëtejshëm Prokurores speciale ose prokurorëve që do të zgjidhen prej saj, njofton e përditshmja gazetë Koha.

Sipas këtyre të dhënave, prokurorja speciale Katica Janeva sipas të gjitha gjasave do të procedoj edhe rastin e pjesëtarëve të grupit të armatosur, që u arrestuan në Kumanovë. Pa marrë një konfirmim zyrtar, informatat e këtij lloji bën të ditur se prokurorët e caktuar për këtë rast, pasi kanë mbledhur provat, kanë paralajmëruar t’i lënë në procedim të mëtutjeshëm rastin Prokurorit të ri special, që u zgjodh mëngjesin e së martës, pas një marrëveshje politike midis katër partive më të madha.

Po këto informata thonë se për çështjen në fjalë, Prokurori special të mërkurën ka diskutuar edhe me ministrin e Drejtësisë, Adnan Jashari. Megjithatë, në një prononcim për gazetën Koha, Prokuroria publike ka përjashtuar mundësinë që rasti i Kumanovës t’i kalojë Prokurores speciale, duke theksuar se Prokuroria speciale është formuar për një qëllim konkret dhe se vetë Ligji është shumë i qartë lidhur me rastet që do të hetohen ose ndiqen nga kjo prokurori.

“Rasti i Kumanovës do të mbetet në duart e prokurorëve që janë angazhuar që në fillim. Ligji i ri është shumë i qartë dhe parasheh që Prokurori special të hetojë aferën e përgjimeve, ndërsa rasti i Kumanovës ka të bëjë me vepër ‘terrorizëm’ dhe me disa vepra të ngjashme, që nuk kanë një pikë të përbashkët me përgjimet”, tha Elizabeta Nedenkovska, zëdhënësja e Prokurorisë publike.

Në këtë mënyrë, Prokuroria publike ka vërtetuar se nuk mund të pritet që as rasti “Monstra” ose “Sopoti” të hetohen nga Prokurorja speciale, megjithëse në opinion qarkulluan të dhënat se rasti “Monstra” është gjetur në tryezën e bisedimeve të katër parive më të mëdha politike në vend.

Ndërkaq, mbetet i paqartë çfarë është kërkuar ose propozuar për rastin “Monstra”, duke ditur që lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pranoi hapur që posedon materiale që janë siguruar me përgjimet, e që siguronte se vetëm Prokurori special do të zbardh të vërtetën e vrasjes së pesëfishtë.

SOKOLI VAZHDON TË MBAHET NË IZOLIM

Për sa i përket rastit të Kumanovës, avokatët e të akuzuarve kanë vazhduar ankesat dhe akuzat lidhur me mbylljen e Prokurorisë publike në aspektin e njohjes së tyre me provat që janë siguruar me hetimet e deritanishme. “Megjithëse kaluan më shumë muaj arrestimi dhe shqiptimi i masës së paraburgimit, ne deri më sot nuk jemi njohur me asnjë provë. Arsyetimi i Prokurorisë mbetet i njëjtë, se janë duke vazhduar hetimet dhe marrja në pyetje e të akuzuarve. Gjithashtu, vetë prokurorët kishin vërejtje lidhur me ankesat tona dhe reagimet tona nëpër media, duke na sugjeruar të presim dhe mos prononcohemi, megjithëse Ligji është i qartë dhe parasheh bashkëpunim të vazhdueshëm midis prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve”, tha avokatja Artene Iseni. Ajo njëkohësisht ka informuar se klienti i saj, Sami Ukshini, vazhdon të mbahet në dhomë izolimi në burgun e Manastirit, megjithëse ka kërkuar që të transferohet në një burg me kushte më të mira, ku para së gjithash – do t’i mundësohet kujdesi i duhur shëndetësor. Sipas avokates Artene Iseni, për këtë qëllim është kërkuar reagimi i ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari, ai i Avokatit të Popullit dhe i gjyqtares që shqiptoi masën e paraburgimit. Megjithatë, dy institucionet e para në përgjigjet e tyre me shkrim kanë sqaruar se nuk kanë kompetenca lidhur me transferimin e të dënuarve ose të akuzuarve nga një burg në një tjetër, ndërsa gjyqtarja e rastit ka vendosur të hesht.

 

Artikulli paraprakKE për refugjatët, 24 mln euro Maqedonisë për përballje me krizën
Artikulli vijuesUSHT dhe Universiteti turk “Karamanoglu”, projekte shkencore për fonde nga BE