Kur do të zgjohen muslimanët..?

Në një postim tijin para një ore, dijetari elitar Shejkh Jusuf El-Karadavi, (President i Lidhjes Botërore të Dijetarëve të Muslimanëve), tërheq vëmendjen e mbarë muslimanëve të botës rreth kasaphanës së Halebit në Siri, ku përtej ligjeve dhe konventave ndërkombëtare të luftës, përditë e më shumë po vriten, po digjen e po bombardohen njerëz të pafajshëm dhe pasuritë e tyre.

Ndërkohë, bota “e qytetëruar” shpenzon miliarda harami për konferenca esamite, që përfundojnë me foto hipokrite e deklarata, përbërja e të cilave u jep mundësi terroristëve realë të këtij njerëzimi të hutuar, për të vazhduar krimet dhe shkatërrimet e shteteve islame dhe interesave të muslimanëve… Realitetet e Sirisë, në vitin e saj të 5-të nën zjarr e terror, janë argumenti më bindës për këtë!

“Ku është Ymmeti Islam, me udhëheqësit e tij, dijetarët, mendimtarët dhe ushtritë e veta, para asaj që po ngjet në Haleb?! Kur do të zgjohen muslimanët, për t’i ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre?!” – shkruan Shejkh Jusuf El-Karadavi.

Dhe, përtej kësaj, ajo që dëshmohet sot, gjithandej nga format më ekstreme të islamofobisë; diku me zjarr, diku me bombardime, diku me media, diku me mllefe e deformime historike, diku me rekrutime manjakësh mjeranë etj., ka ardhur koha të kuptohet se, në të vërtetë, ky është alarmi më serioz që duhet të tërheqë vëmendjen e elitave muslimane në çdo cep të globit për të parë interesat e veta, ato të RIZGJIMIT ISLAM!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 shtator 2016

Artikulli paraprakJa çfarë bënë kësaj gruaje çifute besimtarët musliman
Artikulli vijuesA duhet t’i rishikojë Kosova marrëdhëniet me Austrinë pas deklaratave të Sebastian Kurz?