Hamza YUSUF
Bota është dhe ka qenë gjithnjë, një distopi. Nuk ekziston asgjë e tillë si qeveria perfekte apo e patëmetë, dhe çdo doktrinë apo ideologji që ndjell njerëzit me premtimin e parajsës tokësore është e çalë dhe djallëzore: Djalli joshi Adamin me një “dominim që nuk do të mbaronte kurrë”. Demokracitë, liberale apo jo, janë sisteme thellësisht jo perfekte. Monarkitë gjithashtu kanë cene në shumë drejtime, por mbretërit janë shumë më pak të korruptueshëm, kjo falë pasurisë së tyre të pamasë, më pas liderët e zgjedhur që shpesh dalin nga një mjedis mikroborgjez me preferenca natyrale për status social dhe ngjitjen e shkallëve të pushtetit që janë gjasa për korrupsion.
Pavarësisht kësaj, historikisht, shumë lëvizje anti-monarkiste kanë qenë të motivuara nga dekadenca e monarkëve që humbën lidhjet me popullin dhe nga agonia e sundimit të perandorive në rënie në Europë dhe në Lindje. Shumë nga këta kryengritës ishin njerëz me synime të mira, por u shndërruan në kukulla në duart e të tjerëve që kishin thurur skema zullumqare. Osmanët ishin një prej perandorive të mëdha që u rrëzuan nga kolonat e pesta brenda vetes që shpesh punonin në bashkëpunim me fuqitë perëndimore.
Së fundmi, një grusht shteti u përpoq të ndryshonte pushtetin në Turqi, e menjëherë u bë burim për teoritë konspirative, madje edhe mes njerëzve që zakonisht nuk janë të prirur për teori të tilla. Një nga këto teori që u përhap në rrathë, e vendos në postulat mundësinë që presidenti Recep Tayyip Erdoğan planifikoi vetë grushtin e shtetit në mënyrë që të çimentonte pushtetin e tij, një pohim absurd madje edhe në dritën e atyre gjërave që ne i dimë tashmë. Si “provë” për këtë pohim, u vu në dukje menjëherë se grushti i shtetit ishte i papjekur dhe pa pasoja. A ka kuptim e gjitha kjo duke pasur parasysh se avionët F16 u mobilizuan nga bazat e NATO-s, u morrën në kontroll stacionet kryesore televizive, u vendosën në kontroll urat dhe si Ankaraja ashtu dhe Stambolli u vendosën në gjendje ndalim qarkullimi? Madje, edhe gazeta kryesore perëndimore si “Time” dhe “Newsweek” pohuan se grushti i shtetit ishte i planifikuar mirë në ekstrem dhe pothuajse doli me sukses.
Pretendimet se partia e Erdoğanit, AKP, po e përdor për të konsoliduar pushtetin dhe për të hequr të gjithë kundërshtarët nga ushtria, nga dega e gjyqësorit dhe nga sistemi arsimor, tingëllon një e folur e nxituar dhe pa asnjë fakt në dorë: për të shkuar më larg, kjo injoron tërësisht realitetin me të cilin përballen ata që janë në pushtet që ende mund të jenë nën kërcënim nga element armiqësorë që nuk janë identifikuar. Është ende shumë herët që të kemi në dorë të gjitha faktet. Vendi është ende i tronditur dhe liderët e qeverisë demokratike, me mbështetjen e provuar të pjesës më të madhe të popullit, po përpiqen të rikthejnë rendin dhe të sigurojnë që sistemi demokratik në Turqi të mos kompromentohet sërish.
Tragjike është se përveç një grushti shtetesh, përfshirë Sudanin, Katarin dhe Marokun, demokracitë në të gjithë botën nuk treguan mbështetje të menjëhershme për qeverinë e Turqisë, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Administrata amerikane qartësisht po priste se çfarë do të ndodhte: nëse ata kishin dijeni paraprake për grushtin e shtetit apo jo , edhe kjo është tagji për teoritë konspirative.
Duke pasur parasysh historinë tonë të përfshirjes në grushte shteti dhe në përpjekje për grusht shteti, përfshirë ato në Iran, Argjentinë dhe Kubë, teori të tilla mund të mos duken edhe aq të pavend, mirëpo pa prova të forta, duhet të përmbahemi nga teori të tilla që kërcënojnë aleancën afatgjatë të miqësisë dhe bashkëpunimit. Të paktën, presidenti Obama doli në mbështetje të fortë të qeverisë turke pasi u duk qartë se grushti i shtetit kishte dështuar – me vonesë, por një shenjë e mirë, pavarësisht.
Sërish, siç e ka demokracia, Turqia ka qenë më e patëmetë sesa pjesa më e madhe e të tjerave, me tregues ekonomikë që i kanë zili pjesa më e madhe e kombeve të botës. Në shumë nga vizitat e mia këtu, kam konstatuar se Turqia është një vend i pastër, i bukur, prosperues dhe i sigurtë. Ia vlen të dëgjosh, në mes të gjithë pasigurisë që shkaktoi grushti i shtetit, përgjigjen e një korrespondenti të BBC-së që u pyet nga kolegët e Londrës nëse ndjehej i frikësuar. Ai u përgjigj se ndjehej më i sigurtë në Turqi, madje edhe në mes të kaosit të grushtit të shtetit, sesa ndjehej në Londër, dhe përmendi ngrohtësinë e popullit turk. Kjo i vë etiketimin gënjeshtër përdorimit të figurshëm të “turqve mizorë”, një stereotipi të vjetër e keqdashës perëndimor.
Mjafton të lexosh refleksionet e shekullit të 18 nga zonja Mary Wortley Montagu, gruaja e ambasadorit anglez në Turqi për të parë sesa e jashtëzakonshme ishte edhe kultura e periudhës së fundit të perandorisë Osmane. Ajo mësoi nga turqit për vaksinimin kundër lisë dhe e çoi procedurën në Angli, ku Edward Jenner mbahet ende si pionieri i vaksinimit. Për më tepër, çdokush që ka provuar mikpritjen turke dhe ngrohtësinë e tyre e di se paragjykimet fanatike ndaj turqve janë të paprovuara.
Në vlerësimin tim të raportimit perëndimor për përpjekjen e fundit për grusht shteti, unë e konsideroj me të meta dhe çorientues. Kur m’u kërkua të flisja përpara një turme në Konya, natën pas grushtit të shtetit, unë u thashë disa mijëra turqve që ishin mbledhur në mbështetje të demokracisë së vendit të tyre: “shoqëria civile është një dhuratë e çmuar dhe që duhet mbrojtur. Turqia ka një nga shoqëritë më civile ku unë kam jetuar ndonjëherë”.
Në vlerësimin tim, vetëm Japonia dhe Omani e rivalizojnë atë. Më pas shpjegova se demokracia është e ndjeshme ndaj tiranisë së shumicës, ashtu sikundër do të jetë gjithnjë njerëz që nuk mbështesin apo që nuk votojnë për liderët e zgjedhur. “Rruga për ata që nuk janë të kënaqur me qeverinë aktuale”, thashë, “është të punojnë për t’i përmbysur ata kur mbërrijnë zgjedhjet e ardhshme sërish. Kjo është mënyra sesi funksionon demokracia, pëlqeje ose jo”.
Rrëzimi i një qeverie që e mbështet shumica e popullit, madje e një qeverie që disa mund të mendojnë se po deformon ligjet apo se po largon kundërshtarët, (diçka që në Amerikë besohet se ndodh shumë shpesh) është pa fund e pashpirt, kriminale dhe tradhti. Për këtë arsye, autorët e çdo grushti shteti duhet të nxirren para drejtësisë si një paralajmërim për të gjithë ata që mbështesin veprime tradhtare. Nuk kam informacionet që kanë shërbimet e inteligjencës turke e as media amerikane nuk i ka. Pavarësisht, nxirja dhe demonizimi i figurës së presidentit Erdoğan, pavarësisht mbështetjes së madhe që ai ka shtëpi, ka qenë e pandërprerë për disa kohë në shtypin tonë perëndimor e është pa kuptim dhe falco, ndërkohë që përforcon pikëpamjen se është i motivuar nga një antipati në drejtim të Islamit.
Ironia është se presidenti Erdoğan nuk është islamisti që ka portretizuar media perëndimore. Ai është kreu sekularist i një kombi që pohon të drejtat e të gjithë turqve, pavarësisht nga besimi, rraca e madje edhe nga orientimi seksual. Presidenti Erdoğan, nga të gjitha vlerësimet, është një musliman i devotshëm që përpiqet të lundrojë mes modernizmit dhe që e jeton besimin e tij në kontekstin e sekularizmit. Partia e tij ka ndihmuar Turqinë të largohet nga laicizmi francez drejt një modeli më amerikan të sekularizmit që lejon shfaqjen publike të fesë dhe garanton të drejtën e një politikani të thotë se në të vërtetë, besimi frymëzon vendimet e tij.
Megjithë këtë , ai nuk po kërkon ligjin e sharisë, ai nuk po kërkon një sistem njëpartiak, dhe sigurisht që nuk është një dictator, edhe nëse termin e zgjerojmë sa më shumë të mundemi. Edhe dëshira e tij për të zgjeruar fuqitë ekzekutive të zyrës së presidentit është thjesht një lëvizje drejt një modeli amerikan që i kundërvihet atij aktual në Europë. Ai pa dyshim ka hapur shoqërinë turke në mënyra që nuk mund të mendoheshin dhjetë vjet më parë. Pjesa më e madhe e njerëzve, sidomos muslimanët e devotshëm që persekutoheshin më parë, ndjehen më të lirë tashme në Turqi sesa ndiheshin nën laicizmin e qeverive të mëparshme kur ndalohej edhe mbajtja e shamisë.
Përsa më përket, presidenti Erdoğan ka treguar vlera të pamasa përballë rreziqeve të mëdha, duke vënë në rrezik sigurinë personale për shpëtimin e institucioneve të vendit të vet. Ai mund të ishte larguar lehtësisht drejt një parajse të sigurtë, por, në vend të kësaj, zgjodhi të rrezikojë jetën e vet duke dalë në rrugë dhe duke dhënë shembullin e asaj që kërkonte nga populli.
Mbështetja e tij popullore është e prekshme dhe, pavarësisht shkrimeve cinike të gazetarëve perëndimore për salltanetin e tij “të stilit osman”, mund të dëshmoj personalisht për ndershmërinë dhe përulësinë e tij të natyrshme.
Në këtë fazë, në dritën e rrethanave, ai meriton t’i jepen përfitimet që vijnë nga dyshimi. Kultura jonë perëndimore dhe civilizimi i detyrohen shumë perandorisë Osmane, dhe ndërsa osmanët nuk janë më, populli i tyre i madh, turqit janë gjallë dhe shëndoshë, dhe duke lulëzuar në një vend demokratik me industri të zhvilluar dhe në diversitet.
Ata meritojnë urimet tona më të mira dhe mbështetjen tonë për demokracinë që së fundmi, u vu nën kërcënim. Shumë dizinformim dhe keqinformim po përhapet rreth Turqisë dhe liderëve të saj, por nga terreni, gjërat duken mirë, të qeta dhe korrekte.
*Hamza Yusuf është presidenti aktual i kolegjit Zaytuna në Berkeley, Kaliforni. Ai është këshilltar për programin e universitetit të Stanfordit për Studime Islame.
Për gati një dekadë, Hamza Yusuf u rendit pa ndërprerje ndër akademikët islamë me më shumë ndikim të perëndimit në listën e 500 muslimanëve me më shumë ndikim, publikuar nga John Esposito dhe Ibrahim Kalin, (2009).
Përktheu: Juli Prifti- /tesheshi.com/