Kur të vdes! Poezi nga poeti Kuksjan që u var nga komunistët në 1988.

KUR TË VDES

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”,
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritën ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!”.

Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: “Çohu!”.

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorr tim me gur’e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur ta ngushlloni
Thoni: “Gjallë kërkush s’ka mbetë!”

(Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983)

Artikulli paraprakDosja e Shefave XIV: Lufta brenda PDK-së për pozitat e larta në institucionet e shtetit
Artikulli vijuesKëto janë shehidët medresantë