KUR’ANI ËSHTË SHPALLJE E ZOTIT

Dr Mustafa Mahmud

KUR’ANI ËSHTË
SHPALLJE E ZOTIT

I thashë mikut:

Ndoshta biseda jonë e sotme për të vërtetat shkencore në Kur’an do të jetë më interesante nga diskutimet tona të gjertanishme, duke marrë parasysh marrjen tënde me shkencë dhe insistimin tënd për gjithçka ekskluzive në të vërtetat dhe argumentet shkencore. Këtu duhet të thuhet edhe kjo se atë që e ka thënë Kur’ani për qiejt, Tokën, yjet, planetët, spermën, embrionin dhe formimin e njeriut në kohën kur për dituritë shkencore, astronominë, gjeologjinë, anatominë, atomistikën etj., nuk ka patur kurrfarë gjurme, shkenca vetëm në kohën më të re po i zbulon. Mirëpo, Kur’ani nuk është marrë me këto çështje dhe nuk i ka paraqitur deri në detaje siç e bën këtë p.sh. një vepër e cila këtë e ka lëmë të ngushtë, sepse Kur’ani në radhë të parë është libër besimi i cili ka për qëllim që ta rregullojë jetën e njeriut dhe të vendosë marrëdhënie më të mira dhe më njerëzore ndërmjet njerëzve. Nga ana tjetër, sikur Kur’ani rastësisht, të kishte hyrë në detaje dhe në të gjitha finesat e mundshme, atëherë ata të cilëve iu drejtua do t’i vënte në situatë të vështirë, sepse do t’u fliste me gjuhën të cilën atëherë nuk do të mund ta kuptonin. Andaj Kur’ani në komunikimin e së vërtetës u shërbye me metodën e tregimit, kontaktit dhe tërheqjes së vëmendjes në faktet të cilat shkencat do t’i zbulojnë pas qindra vjetëve, që e gjithë kjo së bashku më së qarti u ka folur gjeneratave të cilat kanë ardhur, se Kur’ani është vepër e Zotit dhe Shpallje e Tij për njerëzimin.
“Ne atyre së shpejti do t’ua tregojmë argumentet Tona në horizontet dhe në veten e tyre. Atëherë atyre do t’u bëhet plotësisht e qartë se Kur’ani është i vërtetë. A nuk mjafton që Krijuesi yt në gjithçka është dëshmitar.” (Fussilet, 53).
Meqë ata të cilëve iu drejtua Kur’ani nuk u kënaqën vetëm me dëshminë e Zotit që Kur’ani është vepër e Tij andaj u bë e domosdoshme që ajo t’u tregohet edhe me këto argumente. Kështu All-llahu xh.sh. thotë në Librin e Tij. Vazhdimisht Kur’ani, nga dita në ditë, po zbulon gjithnjë e më tepër argumente dhe dëshmi të tilla të qarta. Kështu p.sh. në lidhje me rrumbullakësinë e Tokës, kanë ardhur këto ajete të qarta në të cilat është përdorur fjala “tekvir” që të përshkruajë e paraqesë lëshimin e natës dhe të ditës si dy gjysmëtopa: “…me natë e mbulon ditën, kurse dita shpie në natë.” (Ez-Zumer, 5). Pastaj kemi ajetin i cili e përshkruan rregullimin e Tokës: “… pastaj Tokën e ka rregulluar.” (En Nâziât, 30). Fjala “duha” e cila është përdorur në këtë ajet është fjala e vetme në fjalor e cila ka kuptimin e shtrirjes dhe rrumbullakimit. Ndërkaq Toka, siç është e ditur, në dukje është e tillë, në realitet e rrumbullakët, përkatësisht në formë veze.
Pastaj lexojmë ajetet në të cilat flitet për notimin e bjeshkëve në lartësi, përkatësisht të Tokës, sepse ajo bashkë me bjeshkët përbën një tërësi:
“Dhe i sheh bjeshkët për të cilat mendon se pushojnë, ndërsa ato në realitet fluturojnë sikur retë. Kjo është vepër e All-llahut i cili çdo gjë e ka krijuar dhe rregulluar në mënyrë të përkryer.” (En-Neml, 88). Bjeshkët të cilat duken se janë të palëvizshme, të qeta, në realitet lundrojnë nëpër kozmos. Në këtë ajet ekziston edhe një tregim i shkurtër edhe për një fakt tjetër. Fjala është për formimin e materies nga atomet ashtu siç përbëhen retë prej pikave. E gjithë kjo është thënë duke i krahasuar bjeshkët me retë.

Në Kur’an hasim edhe në ajete në të cilat flitet për ndërrimin e ditës dhe të natës, për caktimin preciz të kohës së tyre, për fillimin e krijimit e deri në fund të vazhdimit të tyre.
“As Diellit nuk i duhet ta arrijë Hënën, e as nata ta kapërcejë ditën.” (Jâsîn, 40). Aty janë pastaj edhe ajetet tjera në të cilat flitet për formën e Tokës si të topit, sikur edhe kur është fjala për fillimin e natës dhe ditës bashkërisht në të njëjtën kohë qysh prej krijimit si dy gjysmëtopa. Mirëpo, sikur Toka të ishte e rrafshtë, dita dhe nata domosdo do të vinin njëra pas tjetrës. Kur të vie Dita e gjykimit, Toka përsëri do të jetë njëkohësisht në natë dhe në ditë, ashtu siç ka qenë edhe në ditën e krijimit:
“ Ashtu që kur Toka të stoliset me bukuri të ndryshme dhe qëndiset me petkun e vet dhe banorët e saj binden se mund ta mbledhin frytin, vjen caktimi Ynë, natën ose ditën, dhe Ne ato i bëjmë si të korrura, si të mos kishin qenë dje fare.” (Jûnus, 24). Në fjalët e Zotit “natën ose ditën” gjendet vërtetimi i kësaj kohe të cilën nuk mund ta shpjegojmë ndryshe, por që njëra anë e Tokës është e fshehur prej Diellit dhe gjendet në terr, ndërsa ana tjetër e ekspozuar Diellit dhe me të e ndriçuar, që del nga forma e rrumbullakët e Tokës. Andaj edhe është thënë: “… dhe as nata ta tejkalojë ditën.” (Jâsîn, 40). Pastaj kemi edhe theksimin e shumë lindjeve dhe shumë perëndimeve, si në ajetet:
“… E marr për dëshmitar Krijuesin dhe Sunduesin e lindjeve dhe të perëndimeve.” (El-Meârixh, 40); “Ai është Krijues dhe Sundues i dy lindjeve dhe dy perëndimeve.” (Err-Rrahmân, 17). Po të mos ishte Toka ajo që është, do të ishte vetëm një lindje dhe një perëndim. Njeriu, thuhet në Kur’an, djallit të vet në Ditën e gjykimit do t’i thotë: “Çfarë fati sikur të ishim të larguar njëri prej tjetrit sa është larg vendi i lindjes së Diellit prej vendit të perëndimit të tij.” (Ez-Zuhruf, 38). Në Tokë nuk ka largësi më të madhe se largësia e lindjes dhe perëndimit të Diellit përveç nëse është Toka e rrumbullakët. Në kontekst të këtyre ajeteve bëjnë pjesë edhe ato (ajete) në të cilat flitet se qiejt kanë orbitat e veta, zonat dhe rrugët:
“…. dhe qielli me rrugë yjesh.” (Edh-Dhârijât, 7), “… dhe qielli i cili kthen…” (Et-Târik, 11), do të thotë i cili kthen në Tokë gjithçka që ngrihet; avullin e ujit e kthen në formë të shiut, trupat e ndryshëm me gravitetin e Tokës, radio-valët me reflektim nga jonosfera siç i kthen rrezet ngrohëse infra-të kuqe të reflektuara dhe kështu e nxen natën. Siç e kthen qielli atë që në të “hedhet” nga Toka, ai po ashtu thithë, reflekton dhe shpërndanë atë që në të “hedhet” prej “botës së jashtme” dhe në atë mënyrë e mbron dhe ruan Tokën nga torpilat vdekjeprurës të rrezeve kozmike dhe të rrezeve ultra-vjollcë. Si i tillë, qielli në realitet është pullaz i Tokës.
“Qiellin e kemi bërë kulm i cili është i ruajtur fort.” (El- Enbijâ, 32), “Dhe qiellin e kemi ngritur me forcën Tonë dhe Ne jemi në gjendje që të gjithë t’i mbajmë dhe ushqejmë.” (Edh- Dhârijât, 47)Në këtë ajet flitet për të ashtuquajturën shtrirje e domosdoshme e kozmosit.
Në kohën e shpalljes së Kur’anit konsiderohej se atomi është pjesa më e vogël e materies dhe e pandashme më tej. Kur’ani vjen dhe flet në mënyrë precize për pjesët më të imta të materies se atomi, për pjesët përbërëse të vetë atomit. Kur’ani, përndryshe, është libri i parë i cili ka përmendur se atomi nuk
është më i vogli:
“Diturisë së Zotit nuk mund t’i shmanget asgjë, as sa pesha e një atomi në qiej dhe në Tokë, dhe asgjë as më e madhe se ajo, e as më e vogël…” (Sebe’, 3).

Të gjitha këto dëftime të shkurtra por plotësisht të qarta të Kur’anit për dukuritë mahnitëse dhe admiruese në kozmos, siç janë forma e rrumbullakët e Tokës, përbërja dhe natyra e kozmosit dhe e atomit, dhe atë në kohën kur për to askush nuk ka pas as përfytyrimin më elementar, flasin mjaft dhe në mënyrë më të qartë për origjinën hyjnore të Kur’anit, për embrionin e njeriut dhe formimin e tij, për spermën dhe aftësinë e saj për caktimin e gjinisë së të posalindurit:
“Ai është Ai i cili e ka krijuar çiftin, mashkullin dhe femrën, prej ujit të njeriut…” (En Nexhm, 45). Pra fjala është për një fakt biologjik i cili sapo është bërë i njohur në kohën tonë. Ne sot themi se koka e spermës është e vetmja e cila i përbënë faktorët e determinimit të gjinisë.

Kur’ani qysh në atë kohë flet për krahasimin e majeve të gishtërinjve, për shenjat e gishtërinjve, në kontekstin e të folurit për ringjalljen pas vdekjes:
“A mendon njeriu se nuk mund t’i tubojmë eshtrat e tij? Përkundrazi, Ne kemi mundësi që përseri dhe sakt t’i rregullojmë majet e gishtërinjve të tij.” (El-Kijâm34), do të thotë, përsëri do t’i formojmë edhe majet e gishtërinjve të tij dhe do t’i rregullojmë siç kanë qenë… Shumë më vonë është zbuluar se majet e gishtërinjve te të gjithë njerëzit janë të ndryshme.
Kur’ani thekson se shtëpia më e dobët është ajo e merimangës. Zoti xh.sh. thotë shtëpia e jo peri i merimangës, sepse është e ditur se peri i merimangës është katër herë më i fortë se sa peri i ngjashëm me të. Fjala është për dobësinë e shtëpisë e jo të perit, sepse shtëpia e merimangës si e tillë është strehim i keq për atë që strehohet në të, kurth për atë që bie në të prej vizitorëve të huaj. Ajo është vdekjeprurëse edhe për anëtarët e tjerë të “familjes” së merimangës, sepse merimanga femër e ha mashkullin e saj pas mbarësimit. Ajo i ha edhe të vegjlit e saj pasi t’i bëjë, kurse edhe të vegjlit e hanë njëri-tjetrin.
Shtëpia e merimangës është shembulli më i mirë i strehimit të keq dhe përfundimit të keq, siç thekson Kur’ani. E ngjashme është edhe gjendja e atij i cili kërkon ndonjë strehim tjetër përveç strehimit të Zotit. Për këtë flasin këto ajete madhështore të Kur’anit:
“Shembulli i atyre të cilët në vend të All-llahut xh.sh. marrin mbrojtës dhe ndihmës tjetër është sikurse shembulli i merimangës e cila vetes i ndërton shtëpi si vendbanim, por në të vërtetë, vendbanimi më i dobët është shtëpia (rrjeti) e merimangës, sikur këtë ata vetëm ta dinin.” (El-Ankebût, 41).
Përfundimi i këtij ajeti veçmas është karakteristik. Zoti xh.sh. thotë: “… sikur këtë ata vetëm ta dinin”, duke paralajmëruar se këtë njerëzit një ditë do ta kuptojnë. Është e ditur se shumë zbulime në këtë lëmi janë zbulime të reja të mëvonshme.
Në kaptinën e Kur’anit El-Kehf, një ajet në përkthim thekson:
“Ata kanë qëndruar në shpellën e tyre treqind e nëntë vjet.” (El-Kehf, 25). Sot dihet se treqind vjet, sipas kalendarit diellor, janë të barabarta në ditë, orë, minuta dhe sekonda me treqind e nëntë vjet sipas kalendarit të Hënës.
Në kaptinën Merjem, All-llahu i Lartmadhërishëm e paraqet situatën e Merjemes kur ajo në kohën e lindjes strehohet nën një dru të hurmës duke e dëshiruar vdekjen… kur ajo u thirr që ta shkundë pemën dhe t’i hajë hurmat e freskëta të cilat pikonin:
“… dhe dhembjet e lindjes e detyruan që të vijë te trupi i një hurmeje. Ajo tha: – Ku të kisha fat të kisha vdekur pa e pritur këtë dhe të isha harruar krejtësisht. Dhe u thirr nga poshtë me fjalët: – Mos u pikëllo! Zoti, Krijuesi yt të ka dhënë që nën ty, të rrjedhë një përrockë. Shkunde për ty trupin e hurmës. Do të bien hurma të freskëta, andaj ha e pi dhe t’i kesh sytë e gëzuar!” (Merjem, 23-25).
Përse është fjala mu për hurmat?
Zbulimet më të reja shkencore në këtë lëmi flasin qartë se hurma në vete përmban materien e cila e mbledh mitrën, e lehtëson lindjen dhe pengon gjakderdhjen pas lindjes, ngjashëm me oxytosinin dhe materien e cila zbut. Ndërkaq, në mjekësi është e njohur që zbutësit bimorë e lehtësojnë dhe sigurojnë lindjen. Dhe ja pra, edhe në këtë shembull vërejmë madhështinë e fjalëve të Zotit për përkryershmërinë e Kur’anit si shpallje e Zotit:
“Nuk mund t’i vjen kurrfarë mangësie, e as ndryshimi as para tij e as prapa tij”. (Fussilet, 42);
“Sikur të ishte ai prej tjetërkujt përveç All-llahut, ata mesiguri në të do të gjenin shumë kundërthënie”. (En-Nisâ, 82). Sikur të mos ishte Kur’ani me origjinë hyjnore, ai me atë rast nuk do të ishte i përkryer; një ajet do ta kundërshtonte tjetrin, do të ishte përplot kontradikta dhe mangësi të tjera që janë karakteristike për veprat të cilat janë prodhim i mendjes dhe shpirtit njerëzor.

Botimi i dytë i ndonjë vepre zakonisht dallohet prej botimit të parë sepse autori i saj i shton diç të re ose hjek diç nga botimi i parë, qoftë për ta korrigjuar vetveten, përmirësuar gabimet ose për të futur njohuri të reja deri te të cilat ka ardhur në ndërkohë.
Kur’ani si shpallje e All-llahut xh.sh. njerëzimit, është ruajtur nga të gjitha gabimet dhe të metat. Ai është i përkryer sepse është vepër e Të Përkryerit. Kur’ani si i tillë ka mundur të flasë për të kaluarën të cilën askush tjetër nuk e ka njohur, sepse për të nuk ka patur dokumente të shkruara si dhe për të ardhmen dhe atë që sjell ajo me vete. Po sjellim vetëm disa ajete në të cilat Kur’ani i ka paralajmëruar ngjarjet të cilat së shpejti edhe kanë ndodhur.

Në kaptinën Err-Rrûm Kur’ani thotë se romakët, të cilët kanë pësuar disfatë në një betejë, së shpejti do të ngadhënjejnë:

“Janë mundur romakët në tokën më të afërt, ndërsa ata pas disfatës pas DISA vjetëve do të triumfojnë…” (Err-Rrûm, 24).

Fjala “bid’a” – disa, në gjuhën arabe e ka kuptimin e pacaktuar ndërmjet tre dhe nëntë. Dhe vërtet, romakët pas shtatë vjetëve triumfuan.
Për fitoren në Bedër !Kur’ani thotë:

“Së shpejti ai grup do të jetë i mundur dhe ata do ta kthejnë shpinën dhe do të ikin.” (El-Kamer, 45).

Për ëndërrimin e (Muhammedit a.s.) për hyrje në Mekke, në Kur’an qëndron:

“All-llahu ia ka vërtetuar Të dërguarit të Tij ëndrrën e vërtetë… mesiguri do të hyni në Mesxhidu-Haram, nëse dëshiron All-llahu, plotësisht të sigurt, disa me koka të rruara, ndërsa disa me flokë të shkurtuara.” (El-Fet’h, 27).

Ashtu edhe ndodhi. Edhe tash paralajmërimet e Kur’anit po realizohen para syve tanë.

Ibrahimi a.s. kështu e ka lutur All-llahun xh.sh.:

“O Zoti ynë, unë disa pasardhës të mi i kam vendosur në një luginë jopjellore te tempulli Yt të cilin Ti e ke bërë të shenjtë… O Zoti ynë, bën që ata ta falin me përpikëri namazin. Vendos në zemrat e njerëzve dashuri mes tyre dhe furnizoi me fryte, që të jenë falënderues.” (Ibrâhîm, 37).

Ibrahimi a.s. e ka lutur All-llahun xh.sh. që ta furnizojë këtë luginë jopjellore. Pastaj u erdhi premtimi i Zotit mekkasve se jetën do t’ua bëjë të begatshme me plot pasuri, kur u urdhëroi që mushtrikëve t’ua ndalojnë vizitën e Qa’besë ndërsa ata u frikësuan nga bllokada ekonomike sepse “banorët e Mekkes në jetën e tyre ekonomike mbështeteshin në të ardhurat të cilat i fitonin me rastin e vizitës së Qa’bes”. All-llahu xh.sh. i qetësoi me fjalët:

“Nëse i frikësoheni varfërisë, atëherë All-llahu do t’ju pasurojë prej begative të Tij…” (Et-Tevbe, 28).

Ky premtim edhe sot e kësaj dite po përmbushet. Për çdo ditë ngrihet çmimi i naftës, burimet kryesore të së cilës shtrihen në këtë nënqiell. Nëse kësaj i shtohen edhe thesarët e uraniumit në këto vise, atëherë edhe më mirë mund të shihen “begatitë e Zotit” për të cilat është fjala në ajetin e më sipërm.
Nga ana tjetër, Kur’ani flet për botët tërai të panjohura. Ai i zbulon sekretet e xhinnëve dhe engjëjve. Flet për gjërat të cilat për shumicën më të madhe janë të panjohura dhe për të cilat pak diçka mund të dinë vetëm disa sufij, por edhe ata për ato gjëra mund të dinë vetëm atë dhe aq sa thotë Kur’ani se mund të dinë
dhe shohin. Pastaj aty është edhe fjala e fundit e Kur’anit për: administrimin, etikën, udhëheqjen, luftën, paqen, ekonominë, shoqërinë, martesën, afarizmin, për të drejtat (e njeriut) të shprehura me stil të pashoq, me shprehje autentike, me fjalë të cilat me vlerën e tyre estetike paraqesin fenomen të veçantë në
historinë e gjuhëve përgjithësisht.

Ibnu Arebiun njëherë e pyetën për fshehtësinë e përkryerjes së Kur’anit, e ai u përgjigj vetëm me një fjalë: “E vërteta absolute”, sepse fjalët e Kur’anit janë absolutisht të vërteta, ndërsa maksimumi që një shkrimtar mund ta arrijë është e vërteta relative, dhe më së shumti që mund të arrijë është e vërteta e tij subjektive e cila del nga shikimi i tij i gjërave, të cilit hapësira e të pamurit i është gjithmonë e kufizuar. Secili prej nesh përfshin dhe arrin një pjesë të së vërtetës, derisa pjesët tjera të saj i shpëtojnë, ai shikon prej një këndi duke e larguar shikimin prej këndeve tjera, nga e cila del se gjithçka gjer te e cila arrin individi është vetëm një pjesë e terësisë. Vetëm All-llahu i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëfuqishëm është Ai i cili e përfshinë të vërtetën absolute dhe gjithçka tjetër. Andaj edhe themi se Kur’ani e ka burimin prej All-llahut xh.sh. sepse e jep të vërtetën absolute të gjithçkaje.

Muhammedin a.s. e kanë pyetur për Kur’anin, e ai ka thënë:

“Në të është lajmi për atë që ka qenë para jush, gjykim për atë që është ndërmjet jush dhe lajmërim për atë që vjen pas jush; ai është kufiri, nuk është mahi, ai është vërejtje e urtë, lidhje e fortë e Zotit, rruga e drejtë. Kush e lëshon shkatërrohet, kush kërkon udhëzim tjetër përveç tij humbet. Ai nuk i shtrembëron mendjet, nuk kërkon shumë diskutime; dijetarët nuk mund të ngopen, kurse vlerat e tij asnjëherë nuk mund të harxhohen (shteren)”.

Ja pra mik, ky është Libri ynë. Dhe gjithçka që përmban në vete dhe që porosit Kur’ani buron vetëm nga Zoti xh.sh.

Artikulli paraprakPSE TË MOS JETË KUR’ANI VEPËR E MUHAMMEDIT?
Artikulli vijuesDYSHIMET