Kurti: Qeveria bien nëse donë deputetët

Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi edhe sot të kritikojë Qeverinë për gjendjen e rëndë ekonomike e politike në Kosovë. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se qeveria aktuale duhet të japë dorëheqje sa më shpejtë, me qëllim që vendi të shpëtojë nga kriza, raporton RTK. Largimin e dy deputetëve nga koalicioni qeverisës, Kurti e quajti ndërgjegjësim të tyre për pasojat e mjerimit social dhe rrënimit politik që kjo qeveri po ia sjell Kosovës.Në takimin e sotëm të katërt të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i saj, Albin Kurti, theksoi se situata politike dhe ajo ekonomike në vend vazhdon të mbetet shumë e rëndë, për çka ai sërish fajësoi Qeverinë aktuale të vendit. Kurti tha se me daljen e deputetëve nga koalicioni qeverisës tashmë nuk mund të flitet se a mund të rrëzohet kjo qeveri, por vetëm a duan deputetët ta bëjnë këtë.

“Deputetët që po ndërgjegjësohen që po dalin nga koalicioni qeverisës, i cili Kosovës po i sjell veçse ditë të zeza të mjerimit social dhe rrënimit politik, kanë bërë që numri i deputetëve që e përkrahin këtë qeveri të jetë më i vogël se 60. Prandaj, tash nuk është çështja se a mundemi ta rrëzojmë këtë qeveri, por çështja është se a duam ta rrëzojmë këtë qeveri”, theksoi Kurti.

Sa i përket rrëzimit të mocionit kundër privatizimit në seancën e kuvendit, Kurti tha se Plani i Ahtisarit është zgjidhje brutale kundër demokracisë e cila është vënë, sic tha ai, në shërbim të privatizimit brutal të Kosovës. Kurti ndërkaq shtoi se me ata që vjedhin vota është e pamundur të arrihet reforma zgjedhore.

“Qëllimi i marrëveshjes së tre kryetarëve partiak në prill të vitit të kaluar, ishte emri i presidentes në zarf dhe jo reformat zgjedhore a kushtetuese. Nuk mund të merresh vesh me ata që organizuan vjedhjen e votave për reformë zgjedhore”, tha ai.

Në këtë takim, u bë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta mbështesin nismën e Vetëvendosjes për rrëzimin e qeverisë, nismë kjo, që sipas Kurtit, duhet të aktualizohet sërish.koha/kohaislame

Artikulli paraprakFilloristët detyrohen të blejnë libra
Artikulli vijuesShqiptarët e veriuti kërkojnë EULEX-it të jetë i drejtë