Filloristët detyrohen të blejnë libra

Përkundër asaj se Ministria e Arsimit i siguron të gjitha tekstet shkollore për nxënësit e klasës së parë deri në klasën e tetë, në disa shkolla nxënësit duhet të blejnë prapë libra, pasi që kjo u kërkohet nga mësuesit e tyre.

Një gjë e tillë po ndodhë në shkollën fillore “Dardania”, në Prishtinë, ku nxënësit e klasës së dytë dhe të katërt, tashmë kanë blerë disa libra, të cilat ua kërkuan mësimdhënësit.

Kjo kërkesë e mësimdhënësve që nxënësit të blejnë libra, ka ngjallur reagime tek prindërit, të cilët këtë e quajnë të padrejtë. Sipas tyre, ministria i siguron librat për fëmijët e tyre dhe se kërkesa për blerje të librave nga ana e shkollës nuk do të duhej të ndodhte.

Tekstet shkollore që janë kërkuar nga nxënësit e kësaj shkolle janë Edukata Shoqërore, Ekologjia dhe fletore pune e Gjuhës Shqipe.

E disa prej këtyre teksteve, është detyruar t’i blejë edhe nxënësi i klasës së katër, Eron Hoti,i cili vijon mësimin në shkollën “Dardania” në Prishtinë.

Ai sapo i kishte blerë dy libra të cilat ia kishte kërkuar mësuesja e tij, atë të Edukatës Shoqërore dhe fletore pune e Gjuhës Shqipe, kurse nëna e tij, e cila nuk deshi të flasë para kamerave tha se këto dy libra kanë kushtuar 4,5 euro.

Ka edhe prindër të tjerë që janë ankuar te mësimdhënësit, të cilët larg kamerave thonë se nuk ankohen pse çmimet janë të larta, por pse të blejnë diçka për të cilat janë dhënë paratë . Ata madje dyshojnë edhe për keqpërdorime në këtë mes.

E zëvendës drejtoresha e shkollës fillore “Dardania”, Vjollca Dibra pranon se janë blerë librat nga nxënësit e kësaj shkolle por thotë se mësimdhënësit janë të detyruar t’i thonë fëmijëve të blejnë librat e lëndët zgjedhore, siç janë të detyruar t’i blejnë edhe nxënësit.

Por, njëjtë me të nuk mendon drejtori i kësaj shkolle Ismajl Begaj, i cili habitet që në shkollën ku ai është drejtor, ka ndodhur një gjë e tillë.

Kërkesën e mësimdhënësve,Begaj e quan absurde dhe fajëson mësimdhënësit që nuk kanë bërë te ai.

Për dallim nga zëvendës drejtoresha dhe mësimdhënësit e shkollës, të cilat mendojnë se këto libra duhen të sigurohen nga vetë nxënësit , Begaj mendon se blerja e këtyre librave nga vetë nxënësit nuk është dashur të ndodh dhe se kjo nuk është në rregull.

Arbër Morina, zëdhënës i MASHT-it ka thënë për Kosovapress se ata nuk kanë informacione nëse nxënësit e ndonjë shkolle, janë detyruar të blejnë libra.kohaislame

Artikulli paraprakKur është koha e duhur për të ndërruar routerin
Artikulli vijuesKurti: Qeveria bien nëse donë deputetët