Kush e blenë gjuhën e kritikuesit?

0
301

Kush e blenë gjuhën e kritikuesit?

Këta janë disa rreshta që burojnë nga ndjenja e dëlirësisë dhe sinqeritetit. Është ky aksion i meremetimit të asaj që ka filluar të ndryshket në konstruktin e terbijes. Nëse do, thuaj se këto janë pëshpëritje vëllazërore për ti shëruar zemrat e sëmura. Apo thuaj se këto janë fjalë të guximshme për demaskimin e pretendentëve.

I shkrova kur fillova të dëgjoj disa zëra të vrazhdët që i shqetësojnë veshët e thirrësve aktivë, që edhe ashtu janë mjaftë të shqetësuar. I kufizojnë lëvizjet e tyre duke i përçmuar dhe ofenduar, ndërsa ambiciet e tyre orvaten ti likuidojnë me kamën e helmuar të fjalëve sharëse. Këta zëra nuk vijnë nga armiku i haptë apo nga mynafiku i njohur. Këta janë zëra të njerëzve që së bashku me të mirët shtyhen me supet e tyre dhe me ta qëndrojnë në të njëjtin istikam, në atë të shërbimit të fesë.

Mirëpo këta tejkaluan kufijtë në padrejtësi ndaj vëllezërve të tyre dhe i goditën me shigjetat e tyre të drejtuara gjithandej. Pretendojnë se në çdo gjë ia qëllojnë dhe se e vërteta është nën çallmat e tyre, andaj të gjerën e ngushtuan shumë. Allahut orvaten ti afrohen – me injorancë gjithsesi – duke i shqetësuar vëllezërit e vet duke menduar se kjo ua ngritë autoritetin tek Allahu. Sikur të mos e kishin dëgjuar fjalën e të Dërguarit: “Allahu e pranon vetëm të bukurën.” [1]

• Kush e blen gjuhën e kritikuesit dhe e lidhë me rrip?!

Arabët në kohën e injorancës i ndëshkonin poetët ofendues duke ua lidhur gjuhën me rrip të lëkurës, ose u bënin atyre ndonjë të mirë ashtu që e detyronin që të ndalej nga sharjet dhe ofendimet, me një fjalë sikur të ia kishin lidhur gjuhën me atë veprim. Kur erdhi Islami, i Dërguari e aprovoi këtë veprim me rastin e shpërndarjes së presë së luftës së Hunejnit kur tha: “Shkurtojani këtij gjuhën,” dtth. heshteni me dhurata.

Umer b. Hatabi e vazhdoi këtë traditë në rastin e Hutaj’es [2] i cili filloi ta ofendojë pa masë Zuburkan b. Bedër Et-Temimiun, Allahu qoftë i kënaqur me të, me c’rast e shau shumë, por Umeri mendoi se ajo është lëvdatë derisa nuk e pyeti Hassan b. Thabitin se a është duke e sharë apo lavdëruar, e ai i tha: “O prijës i besimdrejtëve, jo që e ka sharë por e ka sakatuar me fjalët:

Lej gjërat e larta, mos udhëto pas tyre,

Dhe rri ulur se ti je ai që ushqehesh dhe vishesh.”

Me këtë rast Umeri e burgosi në Medine, por Hutaj’eh iu lut me fjalët:

Çfarë do të thuash për disa zogj të sapoçelur

Të mbetur vetëm, pa ujë e pa bimë,

Atë që i ushqente e ke futur në një gropë të errët

Andaj fal, mbi ty qoftë shpëtimi i Allahut, o Umer.[3]

Atëherë Umeri e nxori nga burgu dhe ia ndaloi që ti ofendonte dhe fyente njerëzit me poezitë e tij, por ai iu ankua se nëse nuk merrem me poezi, familja do të më vdesin nga uria. Umeri me këtë rast, mbrojti nderin e myslimanëve nga ofendimet e këtij me tremijë dërhemë.[4] Për këtë mori besën prej tij dhe ai nuk ofendoi askënd me poezinë e tij derisa nuk vdiq Umeri.

Kush do të mbrojë sot nderin e dijetarëve dhe thirrësve nga ofenduesi i cili është barrikaduar në shpellën e pasivëve që fytyrat e tyre i kanë shmangur nga dhimbjet e umetit dhe thonë: Sa i mirë ky ujë i ftohtë për tu freskuar dhe për të pirë. Sa herë që kalon kah një grup i thirrësve, ai e zgjedhë viktimën e vet e gjuan me një raketë etiketash të hidhura që lansohet nga goja e tij me shpejtësi të madhe sikur del shigjeta matanë cakut, pastaj e lë atë në mes të rrugës duke thënë: Largoni pengesën nga rruga sepse kjo është prej degëve të imanit. [5]

• Mes fshehjes së krimeve të mëkatarëve dhe “demaskimit” të thirrësve

Zemra pikëllohet dhe shpirti ngushtohet nga pamjet e një devotshmërie shume të zbehtë dhe të tejdukshme, i zoti i së cilës jeton në një rreth shumë të ngushtë të praktikimit formal të mësimeve islame. Ai sillet vërdallë në këtë vorbull duke mos pasur rast që imani i tij të depërtojë thellë në zemrën e tij dhe të reflektojë me moral të lartë dhe sjellje të çiltër. Të këtillëve ua drejtoi i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thirrjen: “O ju që (pretendoni se) besuat me gjuhët tuaja, ndërsa imani akoma nuk ka depërtuar në zemrat tuaja, mos i përgojoni myslimanët dhe mos hulumtoni në të metat e tyre.” [6]

Njeriu nuk mundet pa u çuditur me Ebu Bekrin kur, sipas asaj që transmeton Abdurrezaku, thotë: “Sikur të mos gjeja asgjë për ta mbuluar vjedhësin, zinaxhiun dhe pirësin e alkoolit përveç petkut tim, do ta zhvishja atë e do ti mbuloja me të.” Ndoshta Ibën Hubejre e ka kuptuar mirë këtë thënie të Ebu Bekrit kur ka thënë: “Mundohu t’i mbulosh mëkatarët, sepse paraqitja e mëkateve të tyre është turp për të gjithë myslimanët, e më e rëndësishmja është mbulimi i turpit.” [7]

Një zemër e madhe dhe e mëshirshme si ajo e Ebu Bekrit kishte gjerësi të mjaftueshme për ti strehuar kriminelët, ndërsa në zemrat e disa njerëzve sot nuk ka vend madje as për sukseset e vëllezërve të tyre. Për këtë arsye ata nuk duan tjetër vetëm se të hulumtojnë për të zbuluar të metat e tyre. O Allah, sa çudi e madhe!

Sufjan b. Husajni ishte një herë duke ndenjur me Ijas b. Muavijen. Në një moment kaloi afër tyre një njeri, të cilin Sufjani filloi ta përmend për të keq. Ijasi e pyeti: A ke luftuar kundër bizantinëve? Ky i tha: Jo. E pyeti për së dyti: A ke luftuar kundër mongolëve? Ky u përgjigj: Jo. Me këtë rast Ijasi ia dha një leksion të cilin Sufjani nuk e harroi kurrë, me fjalët: Prej teje janë rehat bizantinët dhe mongolët, a nuk do ta lësh rehat vëllain tënd mysliman?! [8]

Edhe dijetari Abdurrahman Abdulhalik, Allahu e ruajt, i demaskon pretendimet e rreme me të cilat kohë të gjatë ngritin zërin disa, gjoja fetarë, duke nëpërkëmbur në këtë mënyrë nderin e thirrësve aktivë. Ai i demaskon ato me fjalën e tij: “Myslimanët vazhdimisht deri në ditët e sotme janë ballafaquar me dukurinë e paraqitjes së atyre të cilët pretendojnë se e ndihmojnë fenë dhe e flasin të vërtetën. Të këtillët i lënë rehat idhujtarët, të shfrenuarit, jobesimtarët dhe ata që promovojnë amoralitet, ndërsa lapsat dhe gjuhët e tyre i kanë angazhuar tek myslimanët. Madje ka prej tyre të atillë që nuk preokupohen me tjetër gjë përveçse me thirrësit në rrugën e Allahut, duke i kritikuar, sharë dhe etiketuar ata. Për disa arsye të këtilla – të cilat ata i shohin si kundërvajtje e ato në të vërtetë nuk janë kundërvajtje – ata e trajtojnë të lejuar nderin e thirrësve, e marrin nëpërkëmbë atë, hulumtojnë sekretet e tyre dhe nuk gjejnë tjetër “vepër të mirë” për të praktikuar përveç përçarjes së tyre, mbushjes së zemrave të njerëzve me urrejtje ndaj tyre dhe orvatjes për t’i larguar njerëzit prej tyre.” [9]

• A “për hir të Allahut” duhet të nëpërkëmbet nderi?!

Dukuria e vrasjes nga zjarri mik nuk është gjë e re, por rrënjët e saj shtrihen deri në kohët e hershme, kur ato i zbuloi muhadithi i këtij umeti Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, e u ngrit për t’i këshilluar ata të cilët i orientuan fokuset e tyre për të gjetur lëshimet e vëllezërve të tyre, me ç’rast tha: “Dikush prej juve e vëren qimen në syrin e vëllait të vet ndërsa nuk e vëren trungun në syrin e vet.” [10]

Ndrësa Ibnul-Kajimin, Allahu e mëshiroftë, e përshkon ndjenja e çudisë dhe habisë nga pretendentët e devotshmërisë të cilët i zhveshën shpatat e fjalëve të tyre për të copëtuar mishin e vëllezërve duke mos i kursyer madje as të vdekurit. Ai thotë: “Ka shumë njerëz të cilët i sheh se u ruhen të këqijave dhe të ligave, ndërsa gjuha e tyre bën masakër në të gjallët dhe të vdekurit, ndërsa ai aspak nuk vret mendjen se çfarë flet.” [11]

Ibnul-Ethiri në librin e tij “El-Kamil” shënon ngjarjen e vrasjes së halifes së drejtë Uthman b. Affanit me ç’rast shënon: “…ndërsa Amër b. El-Hamak kërceu mbi gjoksin e Uthmanit derisa akoma kishte frymën e fundit dhe e goditi me thikë nëntë herë, duke thënë: tri të parat janë për hir të Allahut, ndërsa gjashtë të fundit janë për shkak të urrejtjes që kam pasur në zemër ndaj tij. Pastaj deshën t’ia presin kokën por ndërhynë gruaja dhe shërbëtorja e Uthmanit duke klithur dhe ata e lanë…”

Thotë dijetari Muhamed Ahmed er-Rashid, Allahu e ruajt, duke komentuar këtë: “Kësisoj armiqtë e Islamit gjithnjë dëshirojnë që të këpusin kokën e xhematit (bashkësisë) dhe t’ia thyejnë brinjët organizimit të tij, ndërsa justifikimi është “për Allahun” si shpreh Ibën el-Hamak. Dhe me këtë klithje “për Allahun” u dëmtuan me mija e mija djem të rinj pjesëmarrës të këtij procesi të përmirësimit në të djeshmen e afërt, u ndaluan shumë njerëz, u zbuluan shumë sekrete dhe u mbushën shumë burgje. Sikur të ishin të sinqertë do të thoshin sikur tha Ibën el-Hamak: “ … ndërsa gjashtë të fundit janë për shkak të urrejtjes që kam pasur në zemër ndaj tij.” [12] Kjo madje nuk dallon shumë prej praktikës së disave të cilët sot llogariten se i takojnë lëvizjes së da’ves. Ndërsa pyetja vazhdon të mbetet: A ishte tërë ajo, vërtetë për Allahun?!

• Mos i harroni të mirat e njëri-tjetrit

Disa sëmundje të fshehta që burojnë nga epshi, zilia, edukata e mangët si dhe dija shumë modeste mund ta bëjë atë që vjen më vonë që të harrojë vlerat e më të hershmit në thirrje në rrugë të Allahut, urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja, kohën e kaluar në burgjet e zullumqarëve, këshillat që ia ka drejtuar mëkatarit, librin e dobishëm që e ka shpërndarë, madje edhe vetëm prezantimin e tij në aktivitetet e mirësisë për të rritur numrin e myslimanëve. Ajo që më së tepërmi i brengos zemrat e pastra besimtare dhe i irriton shpirtrat e qetësuar janë sjelljet e këqija dhe të pavend të atyre që pretendojnë se kanë dije dhe janë të mirë me rastin e gabimit të dijetari të njohur apo thirrësi të pranuar i cili e ka dëshmuar veten me kohën e gjatë të kaluar në aktivitetin islam. Me këtë rast ata e nëpërkëmbin nderin e tij, i shqyejnë të gjitha mbulesat përreth tij duke i shpallur të pavlefshme të gjitha vlerat e tij, kjo madje duke qenë se të këtillët akoma nuk janë pjekur as në ide e as në mençuri. Sa e sa “shkurtabiqë” të këtillë i hasim duke bërë padrejtësi e mizori, duke shpifur akuza kundër personaliteteve që janë simbole të da’ves dhe mendjes së ndritur të cilët për Allahun kanë sakrifikuar çdo gjë të vlefshme që kanë pasur në dorë: kohën, pasurinë dhe gjakun dhe hoqën dorë nga kënaqësitë e kësaj bote në kohën kur këta kritikues ziliqarë bënin gara rreth dynjasë dhe shpejtonin pas mjegullës së epsheve të tyre duke mos u brengosur për asgjë.

Mos ua teproni me qortime, mos paçi baba ju as babai juaj

Ose plotësoni atë që ata kanë plotësuar [13]

Të rinj që nga Kur’ani nuk kanë nxënë përmendësh më tepër se kaptinat e shkurtra, dije kanë pak ndërsa të kuptuar edhe më pak, shumë vonë e njohën Allahun, në anën tjetër mendojnë se ata dhe dijetarët plot përvojë të da’ves janë të barabartë. Ata nuk janë të vetëdijshëm se: “Nuk është i barabartë ai prej jush që sakrifikoi para çlirimit dhe luftoi, këta janë në pozita më të larta se ata që sakrifikuan dhe luftuan më pas.” (Hadid: 10)

Sejid Kutbi e ka një shpjegim të bukur rreth kësaj pjese të ajetit kur thotë: “Ai që sakrifikon dhe lufton derisa akideja është e persekutuar, ndihmëtarët janë të paktë ndërsa në horizont nuk duket ndonjë shpresë, fuqi apo mirëqenie, nuk është sikur ai që sakrifikon dhe lufton derisa akideja është e siguruar, ndihmëtarët janë të shumtë ndërsa fitorja është e kapshme.” [14]

• Metodologji selefite por pak kush kupton

Ku janë ata që pretendojnë se ia duan të mirën fesë, njëkohësisht duke hulumtuar gabimet e thirrësve që mezi presin të hasin në të metat e tyre, ku janë të tillët që të dëgjojnë atë që ka thënë Ibnul-Kajimi duke sqaruar metodologjinë për vlerësimin e njerëzve, me ç’rast thotë: “Prej rregullave të fesë dhe urtësisë është se ai person, të mirat e të cilit janë të shumta dhe të mëdha e që njëkohësisht ka dhënë kontribut të çmuar për Islamin, atij mund ti mos merret parasysh ajo që i merret parasysh tjetrit dhe atij mund ti falet ajo që nuk mund ti falet tjetrit, sepse gabimi është ndyrësi, ndërsa uji kur arrin sasinë e madhe (kul-letejn) nuk ndotet, gjë që nuk është rasti me ujin e paktë i cili nuk duron as ndyrësinë më të vogël.”

Këtë e dëshmon edhe fjala e të Dërguarit që i ka thënë Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Ku e di ti, ndoshta Allahu i ka shikuar pjesëmarrësit e Bedrit dhe u ka thënë: Bëni ç’të doni se ua kam falur.” [15] Kjo ishte arsyeja pse nuk e ekzekutoi personin i cili kishte spiunuar në dëm të tij dhe të myslimanëve, me ç’rast kishte bërë krim të madh, por i Dërguari me këtë rast njoftoi se ai person kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit. Prej kësaj kuptohet se të merituarit e ndëshkimit ekziston por arsyeja e mosekzekutimit është pjesëmarrja e atij personi në atë ngjarje të madhe, andaj ai gabim i madh u fal përballë veprave të mira që kishte bërë ai. [16]

Në këtë kontekst janë edhe disa fjalë që meritojnë të shkruhen me ngjyrë ari i ka përmendur Ibnul-Kajimi në librin e tij “I’lamul-muveki’in”: “… Ai që ka sadopak njohuri në fe dhe realitet e di padyshim se njeriu i madh i cili në Islam ka kaluar kohë dhe ka lënë gjurmë të mira, i cili në mesin e myslimanëve gëzon autoritet, mundet që i këtilli të gabojë dhe të ketë ndonjë të metë, porse ato i falen, madje mund edhe ta shpërblehet për mundin që ka dhënë, andaj nuk lejohet assesi që ato të meta ti eksponohen apo të diskutohet dhe cenohet autoriteti i tij në zemrat e myslimanëve.” [17]

Para tij e ka sqaruar shumë mirë këtë metodologji selefite Seid b. El-Musejjebi, Allahu e mëshiroftë, duke potencuar nevojën e respektimit të atyre që kanë paraprirë me vepra të mira: “Nuk ka asnjë fisnik, as dijetar, as njeri i mirë e që nuk ka të meta, porse disa njerëzve nuk bën tu përmenden të metat. Ai që ka të mira më shumë se të meta, të metat i falen për shkak të të mirave.” [18]

Paramendoje Muhamed b. Sirinin duke të tërhequr në një kënd të xhamisë dhe duke të këshilluar me pëshpëritje: “Do ti bëje padrejtësi vëllait tënd po që se ia përmend atë më të keqen që di për të dhe ia fsheh të mirat” pastaj citon: “…e njerëzve mos ua leni mangut atë që u takon.” (Shuara: 183) [19]

Dijetari dhe reformatori i njohur Muhamed b. Abdul-Vehabi ka pasur përjetime të pakëndshme me këtë lloj të armiqve të suksesit që me padurim i presin gabimet dhe rrëshqitjet e të tjerëve, andaj u ka thënë me fjalë shumë të qarta: “…kur të verifikoni se vërtetë kam gabuar shpalleni atë, por nuk i hidhni në ujë të gjitha të mirat për shkak të një gabimi, apo njëqind apo dyqind gabimeve. Unë nuk e konsideroj veten se jam i pagabueshëm.” [20]

Sa shumë e prish dëlirësinë dhe pastërtinë e mirësjelljes mënyra e vrazhdët e shpalosjes së të vërtetës, mohimit të së keqes dhe refuzimit të gabimit! Nuk e di, të këtillët a kanë pasur rast të dëgjojnë (apo lexojnë) këshillën që Imam Shafiu i ka dhënë shokut dhe nxënësit të vet El-Muzeniut, kur ky i fundit në një rast pat thënë: “Filani është gënjeshtar i madh.” Shafiu i tha: “O Ibrahim, vishi pak shprehjet tua me petka të mirësjelljes. Mos thuaj: gënjeshtar i madh, por thuaj: hadithi (transmetimi dhe fjala) i tij nuk është i pranueshëm.” [21] Sikur të ishte Imam Shafiu që ti edukonte këta të ngutshmit të cilët zanat të vetin e kanë bërë gabimin e të tjerëve, që nuk perfeksionojnë tjetër pos kritikave dhe etiketimet që u bëjnë vëllezërve të tyre thirrës, dhe me këtë mburren në ndejat e pëshpëritjes dhe çnderimit.

• Mos u bën pjesëmarrës në derdhjen e gjakut të da’ves

Sa e sa artikuj të vërtetë janë shkruar, prapa të cilëve qëndron e pavërteta dhe me to janë larguar me dhjetëra dhe qindra njerëz nga të dëgjuarit e të vërtetës prej filanit.

Sa e sa artikuj të dëmshëm janë shkruar dhe i kanë dekurajuar njerëzit nga librat e autorëve të dëshmuar, e me këtë i kanë privuar nga një hajër i madh.

Sa e sa herë janë mbyllur dyer të hairit si pasojë e gjesteve dhe fjalëve tradhtare dhe planeve dashakeqe që janë thurur në errësirën e natës.

Sa e sa projekte të da’ves janë ndalur për shkak të ndonjë etikete të pamatur, të lansuar nga arsenali i ndonjë adoleshenti në llogari të bartësve të projektit.

Sa e sa duar të liga janë zgjatur padrejtësisht dhe e kanë varrosur aktivitetin islam për së gjalli qysh në djep.

Sa e sa pranga e pengesa janë vendosur për shkak të shkrimit të lapsit të dikujt, që gjithsesi nuk ka qenë për Allahun.

Dëgjoje thënien e tabi’iut të besueshëm e besnik Ebu Ma’bed El-Xhuhenij, Allahu e mëshiroftë, për ta kuptuar më mirë atë që them: Në një tubim mësimi që u mbajt me qëllim të vetëdijesimit dhe aftësimit të gjeneratës së re të burrave të shtetit islam, që do të sanonin pasojat e fitnes, ligjëroi edhe Abdullah b. Akim (Ebu Ma’bed El-Xhuhenij) dhe me një fjali e pasqyroi tërë përvojën e njerëzve të sinqertë: “Nuk do të marr pjesë në asnjë komplot për derdhjen e gjakut të halifes pas Uthmanit.”

Kjo vërtetë ishte një fjalë shumë e rëndë dhe prekëse… Të gjithë u befasuan nga kjo thënie. Të gjithë të pranishmit filluan të shkëmbejnë shikime duke u çuditur çka është duke folur ky njeri i mirë. Çfarë mëkati ka bërë ky plak i dëlirë dhe i pafajshëm i cili kurrë nuk e ka ngritur shpatën e tij kundër Uthmanit? Çfarë ka që e akuzon veten me akuzë të cilën nuk e meriton? Njëri më guximtar e pyeti: “O Ebu Ma’bed, a ke marrë pjesë në atë komplot?” Ky u përgjigj: “Mendoj se të përmendurit e të këqijave të njeriut është pjesëmarrje në komplot për derdhjen e gjakut të tij.”

Ai e akuzon veten dhe ia ngarkon një pjesë të përgjegjësisë për gjakun e derdhur të Uthmanit, ngase u bind se ajo që ai kishte menduar se është e vërtetë, u keqpërdor nga një grup keqbërësish deri në atë masë sa që e mbytën halifen Uthman, Allahu qoftë i kënaqur me të. [22]

Shpresoj se e ke kuptuar mesazhin: Mos bashkëvepro për derdhjen e gjakut të da’ves.

Mos bashkëvepro për derdhjen e gjakut të da’ves me fjalë të këqija dhe akuza kundër vëllezërve tu prej të cilave ata janë të pafajshëm.

Mos bashkëvepro për derdhjen e gjakut të da’ves duke i hulumtuar gabimet dhe lëshimet e thirrësve më qëllim të poshtërimit të tyre, vetëm pse nuk pajtohesh me ta në ndonjë detaj.

Mos bashkëvepro për derdhjen e gjakut të da’ves me përgojim apo shpifje në llogari të atyre që i prijnë asaj.

Mos bashkëvepro për derdhjen e gjakut të da’ves duke u dhënë armiqve rast që të përçajnë radhët e myslimanëve.

Mos bashkëvepro për derdhjen e gjakut të da’ves duke e spiunuar vëllain tënd tek zullumqarët apo kundërshtarët e paskrupullt.

• Në vend të përfundimit, vëlla i nderuar

Nëse je prej atyre që i ka mashtruar shejtani ndonjëherë dhe e ke shpërfillur nderin e dijetarëve të devotshëm dhe thirrësve aktivë, strehohu në një xhami të vjetër me zemrën tënde, qaj për mëkatin tënd dhe shpalle teuben tënde të sinqertë pas së cilës nuk do të devijosh kurrë dhe përsërit me përulje dhe devotshmëri: “O Zoti ynë, na fal neve dhe vëllezërit tanë që na paraprinë me iman dhe në zemrat tona mos le urrejtje për ata që besojnë. Ti o Zoti ynë je i butë dhe i mëshirshëm.” (Hashër: 10)

Ndërsa nëse je prej atyre që padrejtësisht e kanë akuzuar dhe i kanë shpifur mos u ndal as për një moment, sepse misioni yt ka shumë nevojë për atë moment, por largohu prej tij duke thënë me zë të dëgjueshëm: “Nëse ti e zgjatë dorën tënde për të më vrarë mua, unë nuk do ta zgjas dorën time për të vrarë ty. Unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” (Maide: 28)

Shkroi: ***’ib b. Ferhan El-Kahtani

Përktheu: Ekrem Avdiu

Shënimet:

[1] Pjesë e hadithit që e shënon Ahmedi në Musned dhe Buhariu e Muslimi në Sahihët e tyre. Shih Sahihul-xhami’is-sagir, 2044, 6152.

[2] Hutaj’eh është Xheruel b. Eus El-Absijj i vdekur në vitin 45 sipas hixhretit. Ishte poet i njohur që shquhej për kritikë dhe sharje, saqë thuhet se me poezitë e tij i ka sharë nënën, babin, axhën, dajën dhe veten e vet. Shih: El-bidaje ven-nihajeh, 8/100.

[3] Xhavahirul-edeb, Ahmed el-Hashimij, fq. 395.

[4] Marrë nga libri: “Klasifikimi i njerëzve mes paragjykimeve dhe bindjes” nga Bekër Ebu Zejd, me pak ndryshim.

[5] Burimi i njejtë.

[6] Shënon Ahmedi dhe Ebu Davudi, ndërsa El-Albani konsideron se është sahih. Shih: “Sahihul-xhami’is-sagir”, hadithi 3078 dhe 7984.

[7] Thënia e Ebu Bekrit dhe ajo e Ibën Hubejres është marrë nga libri “Metodologjia e ehlus-sunetit për vlerësimin e autorëve dhe librave të tyre” të Ahmed b. Abdurrahman Es-Savejanit.

[8] “Metodologjia e Ehlus-sunetit në kritikë dhe gjykim për të tjerët” nga Hisham Ismail Es-Sini, fq. 59.

[9] “Shëmbëlltyrat e mëdha mes shkatërrimit dhe lulëzimit”, të autorit Muhammed Musa Sherif, fq. 66.

[10] Thotë El-Albani: ky transmetim është autentik nga Ebu Hurejra. Shih “Sahihul-edebil-mufred”, hadithi 460 dhe 592.

[11] “El-xhevabul-kafi”, fq. 120.

[12] “El-Avaik”, të autorit Muhammed Er-Rashid, fq. 268

[13] Pjesë e poezisë së Hutaj’es, rast i rrallë ku ai lavdëron, “El-bidajeh ven-nihajeh”, 8/102.

[14] “Fi dhilalil-Kur’an”, 6/3484.

[15] Muslimi: 4550; Buhariu: 2785.

[16] El-Avaik, M. A. Er-Rashid, fq. 139.

[17] “Kava’id fit-te’amuli me’al-‘ulema”, Abdurrahman El-Luvejhik, fq. 133.

[18] Burimi i njejtë, fq. 132.

[19] “Insaf ehlis-sunneh”, Muhamed Salih el-Alijj, fq. 89.

[20] Burimi paraprak, fq. 90.

[21] “Menhexh ehlis-sunneh fi takvimir-rixhal”, Ahmed Es-Suvejjan, fq. 40.

[22] “El-Avaik”, fq. 156.