Gjatë hartimit dhe përcjelljes në Kuvend, projekti në fjalë u emërtua si projektligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, dhe është miratuar me 84 pro dhe 22 kundër, AA
Kuvendi i Shqipërisë miraton ligjin për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit komunist
Pas një debati që ka vazhduar disa orë mes deputetësh të forcave të ndryshme politike, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e shumë debatuar për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit të regjimit komunist.
Ligji në fjalë që është hartuar sipas modelit gjerman të hapjes së dosjeve, parashikon mbledhjen, administrimin, përpunimin dhe përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Gjithashtu përcakton edhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Gjatë debateve parlamentare, deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar variantin e qeverisë, ndërsa në Parlament më parë është dorëzuar edhe një version tjetër për ligjin e hapjes së dosjeve
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, një dikaster ky që ka përgatitur ligjin në fjalë, Erion Veliaj ka mbajtur sot një fjalim në Parlament dhe ka mbrojtur variantin e qeverisë për ligjin e hajes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Ai iu ka bërë thirrje deputetëve që ta mbështetin këtë variant, duke e konsideruar si një nga ligjet më të mira për dekomunistizmimin që ka patur Shqipëria.
Një fjalim gjatë diskutimeve për këtë projekt ligj ka mbajtur edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, aktualisht deputet i shumicës parlamentare, i cili ka theksuar se ky ligj krijon një raport me të vërtetën. “Përpiqemi të krijojmë një raport me memorien e pasardhësve tanë. Ky nuk është një ligj që do të shpall fajtorët, pasi është një histori tjetër, por kërkon të bëhet transparencë”- u shpreh Majko.
Ndërsa Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, parti i opozitës,u shpreh se për këtë ligj duhet një reflektim nga të gjitha palët. “ Duhet të reflektojmë të gjithë së bashku. Nuk kemi bërë kurrë mjaftueshëm për ata që luftuan komunizmin dhe kërkuan lirinë, sepse këtyre njerëzve që sakrifikuan jetën e tyre iu detyrohemi pafundësisht dhe nuk mund ti lëmë robër të manipulimit politik apo edhe të mospërfilljes”- u shpreh Mediu.
Ligji i miratuar sot nga Parlamenti parashikon për zbatimin e këtij ligji ngritjen dhe funksionimin e një autoriteti shtetëror për informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit, anëtarët e të cilit do të zgjidhen nga parlamenti.
Në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit ka patur disa përpjekje dhe ligje për të përmbyllur procesin e hapjes së dosjes të sigurimit të shtetit komunist, që janë shoqëruar me debate të ashpra mes qeverisë dhe opozitës, dhe shoqërisë civile nga njëra anë.
Ligji më i fundit që i përket vitit 2008 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, si i pa pajtueshëm me Kushtetutën e vendit.kohaislame