Ky është zullumi më i madh

Gjithashtu duhet të largohemi nga zullumi.
Zullumi është: padrejtësia dhe vendosja e gjërave jo në vendin e tyre që u takon sipas fesë. Zullumi më i madh është: shirku ndaj Allahut të Patëmeta dhe të sfiduarit e Tij me kundërshtim dhe me gjynahe.
Allahu thotë:
“Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe” (Lukman- 13).
“Jobesimtarët janë zullumqarët e vërtetë” (El-Bekareh- 254).

Gjithashtu, marrja e pasurisë së dikujt pa të drejtë, apo uzurpimi i ndonjë pjese të tokës së tij, apo sulmimi i tij. Edhe zullumi është gjynah prej gjynaheve të mëdha dhe mëkatim ndaj Allahut. Zullumi –Allahu na ruajt- është rrjedhojë e errësirës së zemrës, sepse, sikur zemra e zullumqarit të ndriçohej me dritën e udhëzimit, do t’i pranonte këshillat.
Allahu thotë:
“… për zullumqarët (në Ditën e Gjykimit) nuk ka asnjë mik të afërt dhe as ndërmjetësues të pranueshëm” (El-Gafir-18).
“…për zullumqarët nuk do të ketë asnjë që t’u ndihmojë (Ditën e Gjykimit)” (El-Haxh-71).
“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë zullumqarët! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin)” (Ibrahim-42).
“… kush prej jush ka bërë padrejtësi, Ne atij do t’i japim të shijojë dënim të madh” (El-Furkan-19).

Transmetohet në Sahihun e Muslimit, nga Ebu Dherri –radijAllahu anhu-, nga i Dërguari –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem-, i cili ka thënë:
“Allahu thotë: “O robërit e Mi, vërtet, Unë ja kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe midis jush, pra, mos i bëni zullum njëritjetrit”.

Është transmetuar nga Xhabiri, se Profeti –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Ruajuni nga zullumi, sepse zullumi do të jetë errësira[2]në Ditën e Kiametit” (Muslimi).

Dhe transmetohet nga Abdullah bin ‘Amër bin el-‘As –radijAllahu anhuma- se Pejgamberi –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë:
“Musliman (i mirëfilltë) është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë rehat muslimanët e tjerë. Dhe muhaxhir (i mirëfilltë) është ai, i cili largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar”. (Buhariu dhe Muslimi).

Këto hadithe dhe të tjera të ngjashme me tematikën e tyre, aludojnë për domosdoshmërinë e kujdesit nga zullumi ndaj personave, ndereve dhe pasurive, për shkak të sherrit dhe fesatit të madh dhe përfundimeve të shëmtuara. Gjithashtu, aludojnë për domosdoshmërinë e pendimit tek Allahu nga zullumi i mëparshëm dhe për këshillimin e njëri-tjetrit që të largohemi nga çdo gjë që e ka ndaluar Allahu, qoftë ai prej zullumit apo prej gjërave tjera që janë mëkate.
Allahu më dhëntë sukses mua dhe juve drejt moraleve të larta dhe veprave të mira, dhe na largoftë nga moralet e ulëta dhe veprat e këqija. Gjithashtu, na udhëzoftë në rrugën e drejtë, sepse Ai, vërtet, është më Bujari dhe më Fisniku!

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
Marrë nga “Meusua’tu fetaua el-lexhneti ue-l-imamejn

Artikulli paraprakNuk do të hyjë në Xhenet ai që merret me thashetheme
Artikulli vijuesRekorde dijetarësh në leximin e Sahih Buharit