Lekaj: Është shkelje nëse publikohet kontrata e autostradës

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik ku ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj po raporton në lidhje me rritjen e kostos së Autostradës “Arbën Xhaferi” për 63 milionë euro, atij iu kërkua publikimi i kësaj kontrate.

 

Publikimin e kontratës e kërkoi së pari anëtarja e komisionit Mimoza Kusari-Lila. “Kërkoj urgjentisht që të publikohet kontrata dhe të dihen dëmet. Nuk është çështje individuale, por e rrezikimit të buxhetit të shtetit”, tha Kusari-Lila.

Publikimin e kontratës e kërkoi edhe deputeti Dardan Sejdiu. “Nuk e kam pa kontratën ministër ju kisha lut që publikoni dy kontratat. Janë kontrata shtetërore”, tha Sejdiu.

Por ministri Pal Lekaj tha se publikimi i kontratës së autostradës përbën shkelje, ndërsa ai nuk do ta nënshkruante sikur atëherë të ishte ministër. “Çuditem që është nënshkruar kjo kontratë. Nuk e kam nënshkruar. Është shkelje nëse publikohet. Sikur të kisha qenë ministër nuk e kisha nënshkruar po mu më obligon kontrata mos me publiku sepse është dëmi shumë më i madh”, tha Lekaj.

Për shtimin e kostos së autostradës me arsyen se është shtyrë nga ana e Qeverisë së Kosovës ky projekt, ministri Lekaj fajësoi qeverisjen e kaluar.

Lekaj tha se Bechtel-Enka ka kërkuar 63 milionët shtesë për periudhën 2014-2016. “Zgjatja e afatit të kontratës është kërku nga ish- qeveria dhe asnjëherë nuk është materializuar me ndonjë vendim. Rrezikon që kjo çështje të përfundojë në arbitrazh”, tha Lekaj.

Ai tregoi se 63 milionët konzorciumi që po rregullon autostradën i ka kërkuar për shpenzimet që i shkaktohen nga zgjatja e punimeve.

Por Hykmete Bajrami tha se ish-qeveria nuk i ka mbetur borxh Bechtel-Enkas. “Bechtel- Enka nuk ka situacione të papaguara në mandatin e kaluar. Ju rekomandoj si deputete që ju rreth vetes të keni njerëz që punojnë për interesa të vendit e jo kështu siç po e shoh këtë raport punojnë në të mirë të Bechtel- Enkas”, tha Bajrami.

Anëtari i komisionit Bilall Sherifi e pyeti ministrin çfarë qëndrime do të mbajë rreth pretendimeve të Bechtel-Enka-s dhe si pret Lekaj të shpëtojë nga borxhi prej 63 milionë eurove.

Lekaj tha se nuk pajtohet me borxhin, ndërsa premtoi insistim për publikim të kontratës. “Ka për të insistuar që të publikohet kontrata dhe të jemi transparentë. Por nëse nuk pajtohet pala, këtë çështje e kryen vetëm Gjykata Themelore. Nuk pajtohem me 63 milionë. Në bazë të kontratës ne do të dakordohemi as më pak as më shumë. Qëndrimi im është se ish qeveria është vonuar”, tha Lekaj. /Kallxo

Artikulli paraprakQKUK kryen një operacion të rrallë
Artikulli vijuesPo përgatitet një marrëveshje e re për demarkacionin