Vritet me plumb në kokë 8-vjeçari, shoqërohen në polici 8 persona

VLORË- Një fëmijë 8 vjeç është vrarë teksa ishte duke fjetur në ballkonin e banesës së tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë me dije se Jurgen Lukaj është goditur në kokë nga një plumb që ka bërë rikoshet dhe se nuk ishte ai shënjestra e dy personave që qëlluan me kallashnikov. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një familje rome, banuese në lagjen “24 Maji” të qytetit bregdetar. Mësohet se rreth orës 02:30, Albert Lukaj (baba i 5 fëmijëve) ishte duke fjetur në ballkon me 2 nga djemtë e tij. Ndërsa ka dëgjuar zhurmë, kryefamiljari është zgjuar dhe ka vënë re dy persona që po tentonin të kapërcenin murin rrethues të shtëpisë së fqinjit. Lukaj teksa ishte përgjumësh ka sharë dy të “paftuarit”, të cilët i janë kundërpërgjigjur po me të shara.

Në grindje e sipër, dy personat e panjohur kanë kërcënuar se do ta vrisnin Lukajn, ndërsa kanë qëlluar dy herë me kallashnikov. Sipas policisë lokale, njëri nga plumbat ka bërë rikoshet në një kangjellë dhe më pas ka plagosur 8-vjeçarin. Për pasojë djali është plagosur rëndë, ndaj familjarët e dërguan urgjentisht në Spitalin Rajonal të Vlorës. Pas dhënies së ndihmës së Parë mjekësore, bluzat e bardha të Vlorës kanë dërguar fëmijën e plagosur në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dhe ndërroi jetë. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, policia e Vlorës deklaroi se dyshohet që dy personat që qëlluan me armë mund të kenë shkuar për të grabitur. Ky version duket pak i besuar se familja Lukaj dhe fqinji i tyre jetojnë në varfëri. Një tjetër pistë ku po heton policia është një konflikt i mundshëm i familjes Lukaj apo familjes fqinje me persona të tjerë.

Dje efektivat blu kanë shoqëruar për ngjarjen 8 persona. Ndërkaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” Albert Lukaj tregon me detaje ngjarjen ku mbeti i vrarë djali i tij 8 vjeç.
Çfarë ndodhi në orët e natës?
Isha duke fjetur në ballkonin e banesës time, së bashku me dy djemtë, kur dëgjova zhurmë. U ngrita dhe vura re dy persona që kishin hipur në murin rrethues të shtëpisë së fqinjit. Sapo i pashë i shava, ndërkohë që edhe ata më shanë dhe më thanë se do më vrisnin. Më pas ata qëlluan me automatik dy herë dhe u larguan.
I njohët personat që po tentonin të futeshin në shtëpinë e fqinjit?
Ishte natë dhe nuk munda që t’i njoh. Ndeza dritën dhe po shikoja fëmijët nëse ishin mirë. Pashë se njëri nga çunat nuk ishte zgjuar nga zhurma. Iu afrova dhe pashë se koka e tij ishte gjithë gjak. E dërguam në spital, por im bir nuk i mbijetoi plagës.
A keni konflikte me njeri?
Nuk kemi asnjë konflikt. Mbijetesën e familjes sime e siguroj me çfarë të gjej dhe nuk i kam rënë në qafë askujt. Nuk arrij të kuptoj pse ndodhi gjithë kjo. Policia duhet të gjej dhe të kapë vrasësit e djalit tim.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare BalkanWeb)kohaislame

Artikulli paraprakMekke: Presidenti i ri i Egjiptit kryen Umrën
Artikulli vijuesSiri: Dezertimet rrisin presionin ndaj Assadit