Pas lajmit që Gafurr Dugolli shef i protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë në Kosovë është arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë sipas kërkesës së autoriteteve Serbe për dyshimin që të ketë kryer veprën penale “Krime Lufte” në territorin e Republikës së Kosovës, Lëvizja BESA pyet hapur se cili është roli i BDI-së në qeverinë e Maqedonisë?
Se Maqedonia është një shtet jo i të drejtës u vërtetua edhe sot. Nuk mund të flasim për shtet të së drejtës ku burgosen persona më urdhëresa të dyshimta. Por, fatkeqësia më e madhe është që postin e Ministrit të Drejtësisë e mban një shqiptar i cili edhe pas kësaj ndodhie vazhdon të heshtë.
Andaj Lëvizja BESA kërkon shpjegim nga Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari se në bazë të cilave norma dhe urdhëresa është arrestuar Gafur Dugolli? A është bërë Maqedonia filiale e Serbisë? A është drejtësia e Maqedonisë në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare apo asaj serbe? Sa kriminel serb që kanë bërë masakra në Kosovë dhe Maqedoni shëtisin lirshëm në Maqedoni? Dhe për fund Ministri Jashari a e mbron shqiptarinë apo mos është Ministër i Drejtësisë së Serbisë?