Lëvizja BESA: BDI – ja, nga përkulja para “branitellëve” deri tek punësimi dhe avancimi i tyre në ushtri

Punësimi me kontratë të përhershme në Armatën e Republikës së Maqedonisë të 112 ish-ushtarëve profesionistë të kombësisë maqedonase, në mesin e të cilëve nuk ishte asnjë shqiptar, shpërfaq më së miri diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në këtë shtet dhe pafuqinë politike të Bashkimit Demokratik të Integrim (BDI), e cila deri më tani i ka përfaqësuar në mënyrë më të ulët ata. Punësimet e fundit janë vetëm vazhdimësi e padrejtësive dhe skandaleve të shumta, që e karakterizuan pjesëmarrjen e BDI-së në qeveri, e cila në Ministrinë e Mbrojtjes pati dy ministra nga radhët e saj gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në.

112 punësimet e fundit të ushtarëve profesionistë, të njohur si “branitella”, janë vetëm një ndër 1000 “arritjet” e mëdha të këtij subjekti politik. Nuk duhet mohuar edhe meritat dhe respekti që BDI tregonte ndaj “branitellave”, para të cilëve vendoste lule dhe përkulej ish ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Fatmir Besimi. Të kujtojmë se ky ministër, i cili në takime zyrtare komunikonte në gjuhën maqedonase edhe me bashkëpartiakët e tij, që bartnin poste ministrore, gjatë një vizite zyrtare në Serbi pati nderuar edhe të akuzuarin për krime lufte në Kosove, gjeneralin e ushtrisë serbe, Ljubisa Dikovic. Po ashtu degradimi i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë ndodhi edhe gjatë kohës kur BDI-ja nga radhët e saj pati emëruar Talat Xhaferin në këtë dikaster qeveritar, në kohën e të cilit në pozitat më të larta, me gardat major, nënkolonel, kolonel dhe kapedan avancoheshin vetëm kuadrot maqedonase. Në njësitet elitare nuk u punësua asnjë shqiptar, pavarësisht se me dispozitat aktuale kushtetuese janë të garantuar 25% vendeve për shqiptarët. Lista e 1000 e më shumë dështimeve të BDI-së është e gjatë. Atë më së miri e ilustrojnë dy personalitetet e larta të kësaj partie, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri, të cilët në skandalin e përgjimeve dëgjohen duke i thënë njëri-tjetrit: “Po ne me këtë mbrojtjen si u rrejtëm e e muerrëm… Se s’ka kurgjo, prandaj!” Kjo më së miri dëshmon se si kjo parti është tallur me fatin e shqiptarëve dhe se të vetmin preokupim e ka pasur mirëqenien e grupeve të ngushta të interesit.

Lëvizja BESA konsideron se Ministria e Mbrojtjes është një prej institucioneve më të rëndësishme shtetërore në të cilën shqiptarët duhet të kenë pozitat e tyre të garantuara me ligj, ndërsa në kuadër të platformës së saj ka paraparë që shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, të jetë shqiptar, sikundërse duhet të jenë në pozita më të larta udhëheqëse të Armatës së Maqedonisë.

Artikulli paraprakDonald Trump krahason emigrantë në një gjarpër helmues që kafshon personin që e lejon atë në
Artikulli vijuesNuk ia vlen të të përvetësojnë problemet e dynjasë!