Lëvizja BESA: Dënojmë torturimin e shqiptarëve nëpër burgje (VIDEO)

“Rasti më i fundit i torturimit i një të burgosuri shqiptar në burgun e Shtipit është shembull eklatant se si keqtrajtohen shqiptarët nga ky pushtet. Edhe krahas faktit që vite me radhë kemi ministra shqiptar të Drejtësisë dhe zëvendësministra të Punëve të Brendshme, torturat e të burgosurve shqiptarë nuk kanë fund. Tashmë të gjithë ata që kanë menduar se me ardhjen e ministrave të rinj kjo do të ndryshojë, ka gabuar rëndë. Të ftuar nga partia për zbavitje nëpër piknikë, as ministri i Drejtësisë e as zv/ministri i Punëve të Brendshme nuk e panë të arsyeshme t’i vizitojnë burgjet dhe të angazhohen për kushtet dhe sigurinë e të burgosurve shqiptarë.

Edhe pse sipas konventave ndërkombëtare askush nuk guxon t’i nënshtrohet torturës, trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese, kjo për drejtësinë në Maqedoni nuk vlen.

Ne si Lëvizje BESA e dënojmë ashpër çdo akt të këtillë të keqtrajtimit dhe kërkojmë përgjegjësi institucionale që aktorët e këtij torturimi të vihen përballë drejtësisë. Në të kundërtën shqiptarëve vetëm u shtohet qëndrimi i injorimit dhe mosnjohjes së sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë.

Për këtë shkak Lëvizja BESA e ripërsërit qëndrimin e saj se Maqedonia ka nevojë për një RIDEFINIM më të thellë të gjithë sistemit të saj, përfshirë këtu veçmas sistemin e sigurisë dhe të drejtësisë, sepse me këto veprime ky shtet vetvetiu e ushqen shkatërrimin e tij”, – tha në konferencën për shtyp, Blerim Sejdiu drejtor i Departamentit të Drejtësisë në Lëvizjen BESA.

Artikulli paraprakTre të vrarë në Çikago
Artikulli vijuesMogherini dhe Han në maj vijnë në Kosovë