Lëvizja BESA: Të ndalojë dhuna ndaj të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave”

“Në kohën kur po zhvillohet procesi gjyqësor kundër të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave”, edhe njëherë jemi dëshmitarë se në Maqedoni, kur janë të akuzuar shqiptarët, kemi të bëjmë me standarde të dyfishta. Kështu nga deklaratat e të akuzuarve dhe familjarëve të tyre u kuptua se ndaj tyre ushtrohet dhunë fizike dhe torturë nga ana e forcave policore rrugës derisa ata dërgohen në gjykatë”, reagojnë nga Lëvizja BESA.

Ata shtojnë se derisa ata nuk shpallen fajtorë dhe derisa duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë, si dhe njëkohësisht e pyesin publikisht ministrin e Drejtësisë dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, që janë nga radhët e BDI-së, se cili është roli i tyre ndaj kësaj dhune që ushtrohet nga forcat policore? A jeni në dijeni se me çfarë torturash ballafaqohen të akuzuarit e Kumanovës vetëm sepse janë shqiptarë?

“BESA konstaton se edhe në këtë proces gjyqësor kemi mosrespektim të kushteve elementare për gjykim nga ana e gjykatës, shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe mostransparencë të skajshme rreth provave të Prokurorisë Publike, që janë dëshmi se në Republikën e Maqedonisë sistemi gjyqësor është skajshmërisht i politizuar dhe është thellë i kapur nga partitë në pushtet. Me këtë rast BESA edhe një herë konstaton se gjendja në sferën e gjyqësisë duhet të pësojë ndryshime rrënjësore në drejtim të funksionimit të gjykatave në shërbim të drejtësisë në vend dhe ato të mos bëhen mjet i politikanëve për interesat e tyre në politika ditore”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Artikulli paraprakVizitë shqiptarëve në Nish dhe xhaminë me imam nga Kosova
Artikulli vijuesKëshilltari i Ali Ahmetit, Ibrahim Kelmendi vazhdon ta fyej profetin Muhamed, e quan amoral dhe maniak seksual?!