Lëvizja “Studim Kritikë Veprim” bllokon hyrjen e Rektoratit

Aktivistë të Lëvizjes Studentore për Barazi “Studim Kritikë Veprim”, janë mbledhur para hyrjes kryesore të ndërtesës së rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për siç thuhet të mos lejuar fillimin e punës në rektorat. Sipas tyre, ata nuk do të largohen nga rektorati derisa aktivistëve Durim Jasharajt dhe Rron Gjinovcit tu njihen të gjitha të drejtat si studentë të rregullt të Universitetit të Prishtinës.
Në komunikatën e lëshuar nga kjo lëvizje studentore thuhet se vendimi për moslejimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet studentore të këtij viti është i pabazuar në Rregulloren për Zgjedhje të UP-së, në Statutin e UP-së apo në Ligjin për Arsimin e Lartë, është vendim i motivuar politikisht.

“Frika nga programi ynë i cili parasheh liri për Universitetin e Prishtinës dhe një universitet për shoqërinë, po bënë që organizatës sonë t’i vihen pengesa të paarsyetuara dhe të pabazuara. Paniku që ka kapur administratën e UP-së, organizatat e varura studentore, dhe pushtetin, po e nxjerr vrazhdësinë e tyre dhe gatishmërinë që të shkelin çdo parim për ta ruajtur gjendjen e tyre ekzistuese”, thuhet në kumtesë.

Ata kanë njoftuar se kanë bërë ankesën në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa po ashtu kanë dorëzuar listat e tyre tek Komisioni Zgjedhor me Rronin dhe Durimin si emrat e parë në listën e Parlamentit Studentor.

“Ne nuk i njohim vendimet që na janë lëshuar deri tani, pasi ato nuk bazohen në ndonjë nga dokumentet e përmendura dhe i kërkojmë MASHT-it që të mos e bëjë gabimin e njëjtë. Gjithashtu i jemi drejtuar Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për të kërkuar nga këto institucione që të thonë fjalën e tyre për rastin eklatant të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut”, thuhet në kumtesë.

Më tej thuhet se qëllimi i tyre është pengimi i punës së rektoratit derisa të shfuqizohen vendimet e padrejta dhe kolegëve të tyre tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhje si e drejtë që u takon duke qenë studentë të rregullt të UP-së.

“Ne do ta mbajmë të mbyllur hyrjen e ndërtesës, nuk do të hyjmë në objekt dhe do të kujdesemi që oborri i rektoratit për herë të parë pas shumë kohësh të jetë prapë publik, pra i studentëve”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakPa siguri në konvikte
Artikulli vijuesTentimvrasje në Deçan, motive haraçi