LIBI: Sulmohet konsullata amerikane, vritet ambasadori dhe tre te tjere

 (E plotesuar)

Al Jazera: Vritet ambasadori amerikan ne Libi dhe tre punetore amerikane te ambasades pas nje sulmi te armatosur ne Bengazi.

 Raportet nga Libia thonë se persona të armatosur kanë sulmuar konsullatën amerikane në qytetin lindor të Bengazit dhe ia kanë vënë flakën ndërtesës, duke vrarë një pjesëtar të personelit amerikan. 

Sulmi ka ndodhur të martën, pas një proteste që u mbajt para Ambasadës së SHBA-së në kryeqytetin egjiptian, Kajro, për shkak të një filmi, për të cilin thuhet se është ofendues për profetin Muhamed.

Konsullata në Bengazi është raportuar të jetë djegur pasi iu vu zjarri nga protestuesit.

Ka pasur edhe raporte të përleshjeve të rënda mes milicëve të armatosur dhe forcave të sigurisë jashtë ndërtesës.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton konfirmoi se një oficer i Departamentit Amerikan  të Shtetit është vrarë gjatë dhunës, duke shtuar se “disa kanë dashur që të justifikojnë këtë sjellje si një përgjigje ndaj një materiali ofendues të postuar në internet”.

Në një deklaratë, Klinton tha se Shtetet e Bashkuara “shprehin keqardhjen për çdo përpjekje të qëllimshme për denigrimin e besimit fetar të të tjerëve”, por shtoi se “nuk ka ndonjë justifikim për veprimet e dhunshme të këtij lloji.”

Më parë gjatë ditës në Kajro, mijëra njerëz u mblodhën jashtë ambasadës amerikane për të protestuar kundër filmit të prodhuar në SHBA.

Flamuri amerikan, i cili ishte ulur në gjysmë shtize, për të shënuar sulmet e 11 shtatorit, u gris nga demonstruesit dhe u zëvendësua me një flamur islamik.

Nuk ka pasur raporte për të lënduar.

Një protestues, Hosam Jusef Ismail, e ka dënuar poshtërimin e profetit islamik nën pretekstin e lirisë së shprehjes.

“Nuk është e drejtë që një njeri të ketë të drejtë të bëjë çkado. Kjo do të ishte kundër interesave të një personi tjetër. Nuk ekziston një gjë e tillë si liria e pakufizuar. Edhe liria ka kufij. Bindjet themelore fetare duhet të respektohen nga të gjithë në botë. Ne jemi kundër këtij filmi, ne kemi dëgjuar se e fyen profetin, paqja qoftë mbi të, edhe pse unë personalisht nuk e kam parë atë. Por, ne jemi duke u përpjekur që të dërgojmë  një mesazh në tërë botën se ne, si myslimanë, i kemi vijat e kuqe, dhe se ne kemi besimet themelore. Nëse mediat përpiqen që të na bëjnë të devijojmë nga besimet tona thelbësore, ne kurrë nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Ismail.

Ambasada e SHBA-së lëshoi një deklaratë që dënon “përpjekjet e vazhdueshme nga individë të këshilluar keq, që lëndojnë ndjenjat fetare të myslimanëve – derisa ne dënojmë përpjekjet për ofendimin e besimtarëve të të gjitha feve.”

Në deklaratë thuhet se “ne fuqimisht kundërshtojnë veprimet e atyre që abuzojnë me të drejtën universale të fjalës së lirë për të lënduar besimet fetare të të tjerëve.”

Një promo e filmit “Pafajësia e Myslimanëve”, që ka shkaktuar reagime, është shfaqur në YouTube në arabisht.

Sam Basil, një izraelito-amerikan që merret me patundshmëri nga
Kalifornia, tha se ai e ka prodhuar dhe drejtuar filmin.

Agjencia e lajmeve Associated Press citon Basilin të ketë përshkruar se si të krishterët koptë janë shtypur në Egjipt.

Filmi më parë u tha se është prodhuar nga pjesëtarët e mërgimtarëve egjiptianë koptë në SHBA.(a.i.)/rel

 

 

Artikulli paraprak47 PERSONA TË VRARË NË SULMET E FUNDIT NË SIRI
Artikulli vijuesSamsung Galaxy Note II