Ministria e Bujqësisë kishte bërë një numër shkeljesh, kur i kishte shpallur përfitues të granteve njëmilionëshe bizneset që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me politikën. Lidhjet janë të natyrës partiake e edhe familjare.
Më 25 shtator të 2007-s, Hashim Thaçi do t’i nxirrte para publikut 13 të rinj, për t’i prezantuar si ekspertë. E pati bërë këtë në vlugun e fushatës zgjedhore, e cila për herë të parë do ta vinte në pushtet.
Pleurat Halili ishte prezantuar si i diplomuar në Shkencat Politike, në Universiteti i Grejslandit në Shtetet e Bashkuara. Krahas tij, në të njëjtën ngjarje ishte prezantuar edhe Blerand Stavileci dhe Kapllan Halimi.
Pas zgjedhjeve që pasuan, Thaçi u bë kryeministër, e Halili nuk pati ndonjë post në qeverinë e tij, për shkak të ndryshimit të planeve personale të karrierës. Vite më vonë, Stavileci do të bëhej ministër i Bujqësisë, ndërkaq Halimi prej vitesh është sekretar i përgjithshëm i po kësaj ministrie.
Një milion euro si grant, i ka përfituar një konzorcium, bartës i të cilit është kompania “Novus”, që e drejtohet nga Halili.
Njeriu që PDK-ja e pati promovuar si ekspert, thotë se ky është granti i parë nga Ministria dhe se në sigurimin e tij nuk ka ndikuar fakti që i ishte ofruar Thaçit dhe as afërsia që e ka me dy ish-ministrat e Bujqësisë nga radhët e PDK-së, Blerand Stavilecin e Memli Krasniqin.
“Unë, Pleurat Halili nuk jam pjesë e PDK-së”, ka thënë ai. “Këto janë zhvillime që kanë ndodhë para më shumë se 10 viteve dhe nuk kanë as nuk mund të kenë lidhje me punën që kryej tani në sektorin privat. Gjithashtu, njohjet e mundshme me personat e referuar nuk kanë dhe nuk do mund të kishin ndikim në proces. Andaj, ligjërisht nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë konflikt interesi në lidhje me lëndën në fjalë, sikurse është ngritur në mënyrë paragjykuese pyetja juaj”.
Por, ka një zhvillim të vonshëm që e implikon atë me politikën.
Disa muaj përpara se të fitohej granti, ishte zhvilluar një korrespodencë që ka ngjallur dyshime për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit që lidhet me lobimin për Kosovën. Në të është përmendur edhe emri i Pleurat Halilit. Por, kryefjalë aty është Hashim Thaçi, tash president e në dy mandate kryeministër.
Në fund të 2017-s, avokati britanik Geoffrey Nice i ishte ankuar Avni Arifit se Qeveria ia kishte borxh rreth gjysmë milioni euro, për angazhimin e tij në çështje që lidheshin me Gjykatën Speciale, por edhe për ndihmën e dhënë për Alan Donnelly dhe Suzy Jagger, autorë të biografisë për presidentin Thaçi.
Për të kryer punën për Qeverinë, Nice ka shkruar se, sipas marrëveshjes, ka bashkëpunuar me palë tjera si Donnelly dhe Jagger dhe gjithashtu edhe me Halilin. Aty ka theksuar se beson që ata janë paguar. Dhe, nëse kjo kishte ndodhur, ai donte të dinte se përse me të është vepruar ndryshe, kur vet kishte pasur rol kyç në punën që është kryer me këta individë.
Në letër kishte treguar edhe për rolin specifik që e kishte Halili. Për të kishte shkruar se do të angazhohej që të siguronte një sistem të mbyllur me anë të të cilit do të barteshin materialet që Nice dhe juristja Nevonka Tromp i kishin mbledhur, e të cilat do t’i duheshin Kosovës kur Gjykata Speciale të fillojë me akuzat. Mirëpo, sipas avokatit britanik, Halili papritmas kishte shkëputur kontaktet dhe më nuk u ishte përgjigjur atyre.
“Ishim duke pritur për një njoftim nëse ishte siguruar hapësira e sigurt për të bartur materialin, por ne kurrë nuk u njoftuam nga Pleurat Halili”, thuhet në letër. “Pas një kohe z. Halili shkëputi komunikimin me ne pa na dhënë asnjë shpjegim”.
Halili nuk ka treguar se në çfarë kapaciteti ka komunikuar me këtë avokat britanik, i angazhuar për Specialen, por edhe që e ka ndihmuar biografinë për Thaçin. Po kështu, e ka mohuar çfarëdo mbështetje dhënë për këtë biografi.
“Nuk kam asnjë lidhje kontraktore, biznesore apo tjetër me Geoffrey Nice. Me respekt u kërkoj që të keni parasysh që konteksti në të cilën përmendet emri im në korrespodencat në mes të palëve tjera e bëjnë të qartë se unë nuk kam pasur asnjë angazhim dhe asnjë rol ndërmjet Groffrey Nice dhe Hashim Thaçit. Rrjedhimisht, çfarëdo citimi është i tërthortë dhe nuk lidhet me temat e komunikimeve të tyre. Natyra e angazhimit tim është e përshkruar në letrën e Geoffrey Nice që është bërë publike”, ka thënë ai. “Me respekt dhe në mënyre miqësore u rikujtoj se interpretimi i letrave të publikuara dhe pyetja e parashtruar është e gabuar dhe tendencioze. Edhe një herë e ripërsëris se unë nuk jam pjesë, nuk kam asnjë njohuri dhe nuk e kam mbështetë në asnjë formë çfarëdo libri. Sa për informatë, në cc të këtij emaili është edhe avokati i kompanisë i cili do të bëjë vlerësimin e ndonjë shkrimi të mundshëm nga ana juaj me bazë shpifëse apo paragjykuese”.
Ndryshe nga Halili, Rade Utviq nuk ka kërcënuar. Në fakt, ai nuk ka dashur të flasë fare në lidhje me grantin e fituar, me projektin e as me lidhjet e tij me politikanët e komunitetit që i takon, e një nga të cilët e drejton Ministrinë e Bujqësisë.
Utviq për kohë të gjatë ka qenë mes fermerëve të privilegjuar të strukturave paralele në veriun e banuar me serbë. Përpos që ka siguruar fonde nga to, ka qenë pjesë edhe e strukturave në veri që e kanë luftuar rendin kushtetues të Kosovës.
Me propozim të “Ministrisë për Kosovë e Metohi”, e cila në mandatin e shkuar qeverisës ka funksionuar në Serbi, Utviq ishte zgjedhur anëtar i të ashtuquajturit “Këshill për Zhvillimin Rajonal për rajonin e Kosovës dhe Metohisë”. Ky forum ilegal kishte kryetarin dhe 12 anëtarë të propozuar kryesisht nga “strukturat qeverisëse të komunave” në Kosovë, të emëruara nga Qeveria e Serbisë.
Këshilli, përpos që kishte detyrë të promovonte synimet e zhvillimit rajonal dhe të inkurajonte realizimin e tyre në “territorin e rajonit”, duhej të jepte edhe opinione mbi “strategjinë rajonale”, e edhe ta këshillonte e t’i raportonte Qeverisë së Serbisë.
“Jep mendim për programin e financimit të zhvillimit të rajonit për të cilin është themeluar, i cili financohet nga buxheti i Republikës së Serbisë”, është një nga detyrat me të cilat ishte ngarkuar ky organ paralel në Kosovë. “T’i paraqesë Qeverisë dhe Këshillit Kombëtar një raport vjetor për punën e tij”.
Kur është pyetur për pjesëmarrjen në këtë Këshill, Utviq ka thënë se nuk e di se për çfarë bëhet fjalë dhe se vetëm tani dëgjon për të. Por, i ka ndërruar fjalët kur gazeta ia ka përcjellë përmbajtjen e vendimit, me të cilin ai është emëruar anëtar.
“Me sa di unë, kjo përbërje nuk ka pasur asnjë mbledhje”, ka thënë Utviq, pasi e ka parë përmbajtjen. “Unë, të paktën, nuk kam qenë në mbledhjen e tillë dhe nuk kam dëgjuar që ky ekip ka funksionuar. Mund të flas vetëm në emrin tim”. /Periskopi